22.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Dështimi i pakthyeshëm i universitetit dhe spitalit publik si fatkeqësi

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Lajmet që mbizotërojnë mbi atë që ndodh në spitale dhe universitete kudo në botë kanë të bëjnë me raste të rralla operacionesh, me suksese në transplante, me gjetje të reja apo me teknika të reja diagnostikimi apo mjekimi, me programe studimi, konferenca shkencore etj. Lajmet që dominojnë universitetin dhe spitalin publik në Shqipëri kanë të bëjnë me arrestime për ryshfet të mjekëve apo të pedagogëve. Vetëm u njoftua se një grup pedagogësh të Universitetit të Shkodrës u kapën duke marrë para. Më parë janë kapur pedagogë në Tiranë, në Elbasan, në Durrës, në Gjirokastër dhe gjithandej. Janë arrestuar mjekë, shefa klinikash, drejtorë shërbimesh në QSUT, në spitalet në rrethe dhe kudo. Një gjendje më të përzishme, të shëmtuar dhe të neveritshme nuk mund të imagjinohet për këto shërbime. Ky është një dështim i plotë i trupës së pedagogëve dhe mjekëve që drejtojnë këto instiutucione sado të justifikohen me veprime individuale të dikujt apo të disave. Nuk është një rast, nuk janë pak raste, janë pandalur raste që zbulohen përditë. Më të rënda janë përjetimet e atyre që kanë të bëjnë me këtë realitet: pacientët dhe studentët. Ka dy arsye madhore gjithë ky degradim. Së pari, një bjerrje morale e atyre që janë në krye të universiteteve dhe spitaleve, një zvetënim i pashembullt i atyre që përfshihen në marrje ryshfeti dhe që lënë njerëzit pa mjekuar, i mjekojnë keq, që ju japin nota kot studentëve, që poshtërojnë veten dhe atë që përfaqësojnë.

Një arsye e dytë është pamundësia e shtetit për të mbajtur në këmbë universitete publike, spitale publike, për të ofruar shërbim në përputhje me taksat që mbledh dhe me detyrat që ka. Nga një pikëpamje e shkencave dhe e filozofisë politike shteti është parë gjithnjë si një problem, si një ngrehinë që ka prirjen të rritet dhe të korruptohet, duke u shndërruar njëherazi në monopolin e vetëm dhe në përbindëshin e vetëm. Për këto shkaqe shumë mendimtarë, sidomos të së djathtës, por edhe vetë arkitektura e shteteve demokratike ka synuar në një shtet të vogël që mbron liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Shteti u shndërrua në një ideal, në një qëllim fundor dhe suprem nga komunizmi, i cili e pa si zgjidhjen e vetme të sëmundjeve që karakterizonin njeriun dhe shoqërinë dhe të cilat buronin sipas komunizmit kryesisht nga konkurrenca dhe nga prona private. Në të vërtetë kjo pikëpamje u poshtërua nga historia, e cila pa të kryhen krime mizore nga një shtet i tillë dhe të ndërtohen institucione krejtësisht të korruptuara.

Ndonëse kjo ide u poshtërua ajo vazhdon ta ketë shumë të rëndë hijen dhe vazhdon të mbajë në këmbë një shtet jo vetëm shumë të madh, por edhe të prodhojë një gjuhë dhe kulturë urrejtjeje dhe neverie ndaj pronës private apo ndaj atyre që arrijnë të prodhojnë biznese, sipërmarrje apo institucione të sukseshme dhe shumë më pak të korruptuara se sa ndërmarrje apo institucione shtetërore. Kjo arsyeja e dytë e cila ka qenë shumë problematike kudo, në Shqipëri është shumë më dramatike. Idetë për rritje të rolit të shtetit, për universitete publike apo për spitale publike që ofrojnë shërbim falas janë thjesht populiste dhe do të prodhojnë vetëm më shumë korrupsion dhe asfare spital apo universitete më të mirë. Idetë se të varfrit ndihmohen më shumë me spitale publike falas apo me universitete publike falas janë shumë qesharake dhe e kanë provuar në gjithë këto vite se sjellin vetëm dështim.

Padyshim që shteti në Shqipëri do të vazhdojë të ketë universitete dhe spitale por këto universitete dhe spitale do të mbesin kaq të mjera sa tani në qoftë se ato nuk do të pranojnë të hyjnë në një garë të drejtë me spitalet dhe universitetet private. Përballë taksave të njerëzve dhe përballë ligjeve të vendit ato duhen të jenë njëlloj të baraslarguara në çdo kuptim. Këtu nuk ka vend për asnjë diskutim mbi teori politike apo ideologji. Nuk ka nevojë për asnjë konspiracion dhe për asnjë hamendësim. Shteti është shumë i korruptuar dhe e ka treguar këto vite, e tregojnë edhe arrestimet e mjekëve dhe pedagogëve që kapen banalisht duke marrë para nga pjesa më vulnerabël e shoqërisë, nga pacientët dhe nga studentët, nga të varfërit dhe të pamundurit. Kushdo që e politizon këtë çështje ka vetëm qëllime meskine politike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit