Presidenti Ahmed Al-Sharaa po profilohet gjithnjë e më tepër si arkitekti i një Sirie të bashkuar
Në një analizë objektive për gazetën “Daily Sabah”, profesori dhe studiuesi i njohur turk Muhittin Ataman shpjegon arsyet pse projekti politik i YPG-së në verilindje të Sirisë pësoi një kolaps përfundimtar në fillim të këtij viti.
Sipas Ataman, ky dështim shënon fundin e një epoke ku varësia nga mbështetja e huaj dhe ideologjitë artificiale tentuan të diktojnë fatin e një rajoni me dinamika komplekse shoqërore. Analisti argumenton se gjithçka nisi me ngurrimin e YPG-së për të zbatuar memorandumin e 10 marsit 2025, i cili parashikonte integrimin e tyre në Forcat e Armatosura Siriane.
Ky ngurrim çoi në një konflikt të shkurtër, por vendimtar, në fillim të këtij viti. Ushtria siriane rimori kontrollin e Alepos dhe rajoneve strategjike me naftë si Raka dhe Deir el-Zour brenda vetëm 12 ditësh. Një pikë kyçe ishin llogaritë e gabuara gjeopolitike të YPG-së.
Ataman shkruan se grupi priste një ndërhyrje shpëtuese nga SHBA-ja ose Izraeli, por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, fuqitë perëndimore zgjodhën të përmirësonin marrëdhëniet me qeverinë qendrore siriane, duke lënë milicinë pa mbrojtjen e nevojshme për të mbajtur entitetin e saj gjysmë-autonom.
Ahmed Al-Sharaa, arkitekti i një Sirie të bashkuar
Në këtë kontekst, figura e presidentit Ahmed Al-Sharaa lartësohet si ajo e një lideri racional dhe pragmatik që arriti të shmangte gjakderdhjen e panevojshme përmes një vizioni të qartë shtetformues. Ataman vlerëson aftësinë e Al-Sharaa-s për të treguar fuqi dhe vendosmëri, duke i bindur fiset lokale arabe se stabiliteti i tyre qëndron te qeveria qendrore.
Duke vepruar me një urtësi politike që i mungonte paraardhësve, Al-Sharaa nuk u mjaftua me fitoren ushtarake, por ofroi një dorë të shtrirë për kurdët, duke i shndërruar ata nga elementë opozitarë në qytetarë me të drejta të plota nën një kushtetutë gjithëpërfshirëse.
Po ashtu, analisti turk e cilëson sistemin e krijuar nga YPG-ja si një projekt artificial, i papërshtatshëm për realitetin lokal. Në dallim nga Kurdistani i Irakut (KRG), i cili ka rrënjë etnike dhe tradicionale, eksperimenti i YPG-së bazohej në një themel ideologjik socialist/komunist që nuk përputhej me mjedisin fetar dhe konservator të popullsisë vendase.
Por fundi i YPG-së nuk do të thotë fundi i të drejtave të kurdëve. Ataman thotë se qeveria e re në Damask po ndërmerr hapa për integrimin e tyre. Përmes dekretit të fundit, gjuha kurde është njohur si gjuhë kombëtare, mijëra kurdëve u është dhënë shtetësia që u ishte mohuar prej dekadash dhe Nevruzi është shpallur festë kombëtare.
Në fund, Muhittin Ataman nënvizon se suksesi i shtetit sirian në integrimin e kurdëve dëshmon se stabiliteti i vërtetë vjen nga pajtimi i brendshëm dhe jo nga aleancat e paqëndrueshme me aktorë të jashtëm./tesheshi/
