20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Del nga “varri” pas gjashtë vitesh

Më të lexuarat

Sherif Abdu’l Aziz

Sa njeriun e ka shpëtuar sadakaja, sa hidhërimin e Zotit të Madhëruar e ka shuar ajo, e sa njeriut ia ka larguar brengat e pikëllimin, ngase ajo pa rënë në dorë të fukarasë ka rënë në dorë të Mëshiruesit, kështu që për dhënësin qe dritë, argument dhe shpëtim në këtë dhe botën tjetër. Ajetet, hadithet dhe tekstet tjera fetare që ftojnë, nxisin dhe tregojnë vlerën e dhënies së sadakasë janë të shumta, sikur që të shumta janë edhe rrëfimet e vërteta nga jeta e lëmoshëdhënësve. Të gjitha këto dëshmojnë dhe vërtetojnë pozitën e lartë dhe rolin e fshehte me të cilin disponon sadakaja, e të cilin ndodhë të mos e diktojë as dhënësi, tamam siç iu ndodhi atyre tre vetave që iu bllokua dera për të dalë nga shpella, e për të cilët na rrëfen Pejgamberi, alejhis selam…

Edhe tregimi në vijim provon-dëshmon se sadakaja ka një rol të padiskutuar në shpëtimin dhe çlirimin e njeriut nga brengat dhe pikëllimet. Imam Sheukani në librin e tij të famshëm ‘el-Bedru’t taliu bi mehasini ma ba’de’l karni’s sabii’, vëll.1, f. 493, në biografinë e Ali Ibn Muhammed Ibn Ahmed el Bekrijj, një prej dijetarëve jemenas të shek. VII h., përmend një tregim të çuditshëm përkitazi me vlerën e sadakasë. Tregimin, për të mbyllur gojët e atyre që akuzojnë me “zhdukje mendjesh” dhe “mite e legjenda”, autori e cilëson si tregim të përcjellë me saktësinë më të madhe të mundur (tevatur) dhe se ai është i përhapur në tërë Jemenin me gjithë mundësitë e pakta të komunikimit të njerëzve ndërmjet vete.

Tregimi na çon në Jemen, në Hamra, qytet në perëndim të Jemenit, afër bregdetit të Detit të Kuq, tek një bujk, i cili ishte i njohur për sinqeritet, devotshmëri, moral dhe lëmoshëdhënie të shumtë për skamnorë, e në veçanti për udhëtarët. Kishte ndërtuar edhe një xhami dhe për çdo natë ndizte një llambë që të orientoheshin kalimtarët dhe dërgonte darkë për nevojtarët. Nëse gjente ndonjë nevojtar në xhami, ia jepte ushqimin, ndryshe e hante vet dhe ngrihej e vullnetarisht falej. Kjo ishte rutina e tij…

Pas një kohe të gjatë mbretëroi një thatësirë e madhe saqë u shterën të gjitha puset. Meqë punonte në bujqësi, ujin e kishte të domosdoshëm, kështu që vendosi ta thellonte pusin e vet uji i të cilit qe shterë po ashtu. Filloi ta thellonte bashke me të bijtë por derisa ishte atje poshtë duke e thelluar, iu shembën muret e pusit sipër dhe e zunë. Fëmijët menduan se e pati puna e tij, kështu që nuk u lodhën fare ta nxjerrin nga aty. Thanë: ky pus është varri i tij. U mërzitën e qanë, ia falën xhenazen dhe ndanë pasurinë e tij duke menduar se ai ka vdekur.

Fëmijët nuk e kishin idenë fare se çfarë në të vërtetë i ka ndodhur babait të tyre. Njeriu para se t’i shembeshin muret e pusit sipër kishte arritur tek një shpellë aty poshtë. Bashke me muret qe shembur edhe një dërrasë, e cila kishte penguar t’i binte sipër pjesa e gurëve dhe dheut.

Njeriu mbeti në errësirën e shpellës dhe vetminë e saj; nuk shihte as duart. Këtu erdhi në shprehje mirësia e Allahut ndaj tij, erdhi lehtësimi pas vështirësisë, u jetësua në praktikë roli i sadakasë. Njeriu mbeti i shtangur kur errësirën ia ndriçoi një llambë mbi kokën e tij e pastaj gjeti edhe ushqim të cilin ua barte çdo natë të varfërve në xhami. Ky ushqim i vinte çdo natë dhe nëpërmjet tij arrinte të dallojë ditën nga nata. Kohën e kalonte duke e përkujtuar Allahun, duke e lutur dhe duke u falur.

Ky besimtar i sinqertë vazhdoi të jetë i burgosur i varrit të tij dhe peng i pusit të tij për gjashtë vite derisa djemtë e tij filluan ta hapin pusin prej fillimit. Filluan me gjurmime derisa arritën tek thellësia ku ishte dera e shpellës. Befasia e takimit me babanë gjallë dhe shëndoshë e mire i trishtoi shumë ata. E pyetën për punën e tij ndërsa ai ua përkujtoi sadakanë që çdo natë e dërgonte në xhami. Ajo e shoqëroi për gjashtë vite në varr derisa edhe e nxori prej tij.

Burimi: http://www.islammemo.cc/zakera/mwakef/2009/04/19/80818.html

Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit