Debati mbi periudhën Osmane – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Periudha disa shekullore e sundimit osman në Ballkan në përgjithësi, mes tyre edhe në trojet shqiptare, karakterizohet historikisht nga një dinamikë komplekse dhe e larmishme, përtej cilësimeve vetëm bardh e zi.

Sundimi osman në trojet shqiptare kishte natyrën e një regjimi perandorak para-modern, ngjashëm me të tjerët e kohës së tij, i cili për disa shekuj ofroi një rend relativisht të qëndrueshëm dhe një nivel pluralizmi dhe tolerance fetare më të madhe se shumë nga shtetet evropiane bashkëkohëse të tij, por ai nuk arriti të modernizonte ekonomikisht e institucionalisht shoqërinë shqiptare, dhe në shek. XIX, kur u formuan identitetet dhe shtetet kombëtare, u karakterizua nga shtypja e aspiratave për identitet shtetëror dhe kombëtar të shqiptarëve.

Nëse historiografia jonë do ta kishte trajtuar këtë periudhë me objektivitet maksimal, pa ngarkesa dhe synime ideologjike nacionaliste, fetare dhe preferenciale kulturore, ne sot do të ishim më të qetë dhe nuk do të kishim nevojë për debate kaq të ashpra dhe qëndrime antagoniste, që ndezin zjarrin e përçarjes dhe dëmtojnë unitetin kombëtar mes shqiptarëve.

Por e keqja më e madhe në këtë mes, nuk janë reagimet naive të të gjitha palëve, që nxijnë apo zbardhin këtë periudhë historike, por të atyre njerëzve dhe qarqeve që akoma ndjekin agjenda të imponimit identitar të mbarë shqiptarëve, sipas dëshirave të tyre ideologjike e fetare. Këto projekte kanë nisur që me shkëputjen nga Perandoria Osmane, para më se një shekulli, dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, me ulje-ngritjet e tyre.

Si shqiptarë dhe myslimanë njëkohësisht, ne nuk e kemi problem pse kritikohet periudha osmane, sepse ne nuk shenjtërojmë historinë njerëzore të njerëzve të gabueshëm, qofshin këta edhe myslimanë, por ne na irriton së tepërmi kur kjo histori deformohet dhe sidomos kur kjo bëhet nga premisa fetare e ideologjike anti-islame apo hipernacionaliste.

Ne nuk jemi naivë të mos kuptojmë se e gjithë kjo tendencë, për t’u marrë akoma kaq emocionalisht me sundimin osman, edhe pas 113 vjetësh, por edhe veprimtaria më e gjerë që prek kulturën, artin, shkencën dhe politikën, bëhet me synime identitare të de-islamizimit të shumicës shqiptare. E është pikërisht kjo, ajo që ne nuk mund ta pranojmë, edhe pse deri më sot dhe në vazhdim, kemi qenë objekt i vazhdueshëm i kësaj agjende.

Të jeni të bindur, se në këtë betejë ne nuk do të dorëzohemi, siç mund të kemi bërë në mjaft raste e periudha, por dijeni se të dëmtuar në ketë mes jemi të gjithë, janë shqiptarët dhe Shqipëria etnike, jo ajo londineze.

 

/Hoxhë Dr. Justinian Topulli/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit