19.2 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Dashuria për Muhamedin alejhi selam

Më të lexuarat

Dashuria është pjesë e jetës. Ta duash dikë është shumë e natyrshme. Në jetë duam prindërit, gruan, fëmijët, pasurinë, të afërmit, shokët e dashamirët. Shpeshherë dashuria për këta njerëz është e lidhur me një interes, e me kohë ajo mund të shtohet e të pakësohet, nganjëherë edhe zhduket me zhdukjen e personave në fjalë. Por për besimtarin ekziston një dashuri e veçantë, që i kalon kufijtë e çdo dashurie. Ajo nuk largohet por vetëm sa shtohet sepse është pjesë e besimit dhe radhitet para vetes, familjes e pasurisë. Mosekzistimi i saj i heq kuptimin të qenët besimtar musliman. Kjo është pikërisht dashuria që ka besimtari ndaj të Dërguarit të Allahut, për atë burrë që nuk pati shok në fytyrën e kësaj toke, sepse si ai nuk është dashur dhe nuk duhet askush më shumë.

Dita më e mirë për banorët e Medinës qe ardhja e tij në Medinë. Dashuria ndaj tij e bëri Ebu Hurejrën që shpeshherë të flinte tek pragu i derës së Resulullahut. Momentet më të vështira për ata që jetuan me të ishin kur largoheshin nga ai. Gëzimi më i madh për çdo njeri ishte kur e takonte atë. Dashuria ndaj tij bëri që edhe sendet e ngurta të qajnë për të. A nuk qau trungu i palmës kur ai u largua nga ajo? Dashuria e madhe ndaj tij e bëri Bilalin që ta lërë Medinën pas vdekjes së Pejgamberit alejhi selam dhe të mos e thërriste më ezanin në Medinë sepse thoshte “Eshhedu enne Muhameden resulullah”, por Resulullahu nuk ishte më. Dashuria ndaj tij bëri që banorët e Medinës të mos e harrojnë kurrë ditën kur ai u nda nga kjo jetë dhe ta konsideronin si dita më e errët. Dashuria ndaj tij sot bën që anekënd botës muslimanët ta duan edhe pse nuk e shohin, ta respektojnë edhe pse ai nuk është gjallë e të shkojnë pas gjurmëve të tij.

O vëlla musliman, a je nga ata që e do Pejgamberin tënd?

Allahu nuk i ka obliguar besimtarët që ta duan dikë në këtë botë më shumë sesa Pejgamberin e tyre. Kjo dashuri është obligim, jo diçka vullnetare për besimtarët dhe për këtë kemi shumë argumente nga Kur’ani dhe Suneti. Pos kësaj, kjo ka edhe dobitë e saj dhe në të njëjtën kohë është shenjë për ta ditur nëse vërtet ti e do Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem apo jo.

Obligueshmëria e dashurisë ndaj Pejgamberit më shumë se ndaj vetes, prindit, fëmijës, pasurisë dhe njerëzve në tërësi

Enesi radijAllahu anhu transmeton nga Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Asnjëri nuk ka besuar përderisa të mos jem më i dashur për të se babai i tij, fëmija, vetvetja dhe njerëzit në përgjithësi.”[1]

Frytet dhe dobitë e dashurisë ndaj Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem
Kush e do të Dërguarin Muhamed salallahu alejhi ue selem, Allahu e do atë person dhe ia fal mëkatet.

Allahu thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.”[2]

Nuk do të përfitojë nga dashuria e tij vetëm se ai që e do. Ai do të jetë i lumtur në këtë botë dhe në tjetrën.

Dashuria ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është shkaktare për arritjen e kënaqësisë së imanit.
Allahu ka bërë shkaqe që besimtari ta arrijë kënaqësinë e imanit dhe njëri nga ata është edhe dashuria ndaj Pejgamberit më shumë se ndaj të gjithë njerëzve.

Omer ibën Hattabi radijAllahu anhu një ditë i tha Pejgamberit sal-Allahu alejhi ue sel-lem: “O i Dërguar i Allahut, vërtet ti je më i dashur për mua se çdo gjë, përveç vetes time.” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, derisa të jem më i dashur se vetja jote.” Omeri radijAllahu anhu më pas tha: “Tash, pasha Allahun, je më i dashur për mua se vetja ime.” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Tani po, o Omer!”[3]

Kuptimi i kënaqësisë së imanit, ashtu siç kanë përmendur dijetarët, është të ndiesh kënaqësi ndaj adhurimeve dhe të durosh vështirësitë në fe.

Ata që e duan do të jenë me të në xhenet.
Ata që e duan të Dërguarin e Allahut, do të jenë shoqëruesit e tij në xhenet.

Imam Muslimi shënon nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, kur është kiameti?”

Iu përgjigj: “Çfarë ke përgatitur ti për të?”

Ai i tha: “Dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “Ti do të jesh me atë që e do.”

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nuk jemi gëzuar, pasi e kemi pranuar Islamin, me diçka tjetër më shumë se atë ditë kur kemi dëgjuar këtë nga goja e Resulullahut.”

Ai po ashtu ka thënë: “Unë e dua Allahun, Pejgamberin e Tij, Ebu Bekrin dhe Omerin. Shpresoj tek Allahu që të jem me ta në xhenet edhe nëse nuk kam punuar si ata.”

Nëse njeriu mediton për dobinë që ka përfituar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili e nxori atë prej errësirave të kufrit në dritën e imanit, drejtpërsëdrejti apo me shkak, do të kuptojë gjithashtu se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është shkaktar për qëndrimin e tij të përjetshëm në begatitë e xhenetit, do të kuptojë se kjo është dobia më e madhe në të gjitha aspektet dhe për këtë arsye Pejgamberi sal-Allahu alejhi ue sel-lem meriton që dashuria ndaj tij të jetë më e madhe se dashuria ndaj të tjerëve, sepse dobia e cila është shkak për ta dashur atë është më e madhe se dobitë e tjera.

Shenjat e dashurisë ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem
Kurtubiu thotë: “Çdonjëri i cili beson me besim të vërtetë te Pejgamberi sal-Allahu alejhi ue sel-lem nuk mund të mos gjejë në veten e tij diçka prej kësaj dashurie që i kalon të gjitha dashuritë.”[4]

Prej shenjave të kësaj dashurie janë:

Kapja pas Sunnetit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe zbatimi i urdhrave të tij. Allahu subhanehu ue teala thotë: “Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare.” [5]
Të ndriçuarit me dritën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem si dhe të udhëzuarit me udhëzimin e tij.
Allahu subhanehu ue teala thotë: “Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë.” [6]

Të stolisurit me moralin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Allahu subhanehu ue teala thotë: “Ju keni shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.”[7]
Testoje veten për atë ditë, se sa e do Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke i parashtruar vetvetes këto pyetje:

A përmallohesh ndonjëherë për ta parë Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?
A e mbivlerëson mbi veten, familjen dhe pasurinë?
A do të shpenzosh tërë pasurinë dhe atë që ke për ta mbrojtur atë?
A ëndërron ndonjëherë sikur të ishe nga ata që e panë atë?
O Allahu ynë! Ndriçoji zemrat tona me dashurinë ndaj Teje, ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ndaj atyre që ju duan ju!

_______________________________

[1] Buhariu dhe Muslimi.

[2] Ali Imran: 31.

[3] Buhariu.

[4] Fet’hul Bari, 1-59.

[5] Ahzab: 36.

[6]Maide: 15

[7] Ahzab: 21.

Rashit Zylfiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit