6.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

“Civilna Zastita”, gati për kontroll qind për qind të veriut

Më të lexuarat

Nëse me marrëveshjen e Brukselit, “Civilina Zastita”, një strukturë paralele e sigurisë në veri të Mitrovicës do të shndërrohet në Agjencinë e Sigurisë Emergjente, siç po përflitet, atëherë kjo strukturë e sigurisë ka nisur që tani të përgatitet për ta kontrolluar 100 për qind të territorit të veriut të Mitrovicës dhe të Kosovës.
Kjo strukturë paralele e sigurisë, aktualisht kontrollon 80 për qind të territorit të veriut të Mitrovicës, komandohet nga Kërstimir Pantic, ish-kryetar paralel i Mitrovicës, tani zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovën. CZ-ja tani ka vendosur kamera tredimensionale nëpër pikat më strategjike, financuar pikërisht nga ZK, të cilën e udhëheqin Vulin e Pantic, sipas një projekti sigurie të kësaj zyre, shkruan “Zëri”.

Gazeta ka mësuar se shumë kamera janë vendosur edhe nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier, me qëllim të kontrollimit sa më të mirë të situatës në këto zona, ndërsa do të shfrytëzohen edhe për vëzhgimin e lëvizjeve të forcave të sigurisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

“Veriu i Mitrovicës është duke u vëzhguar 24 orë në ditë pa ndërprerë përmes kamerave. Ato ndihmojnë shumë, sepse në rast se vërehet ndonjë lëvizje jo e zakontë e forcave të sigurisë ndërkombëtare, por edhe atyre të Prishtinës në veri, strukturat e caktuara bëjnë thirrje tek banorët për tubime ose bllokime rrugësh”, thonë burimet e gazetës.

Qendra e kontrollit e këtyre kamerave është e vendosur në një objekt ushtarak të ish-Jugosllavisë, i cili ndodhet në “Lagjen e Boshnjakëve”, ndërkohë që në vendosjen e këtyre kamerave kanë ndihmuar edhe punëtorët e kompanisë së sigurimit “Soko” në veri të Mitrovicës, e cila financohet nga Beogradi. Për vendosjen e kamerave është në dijeni edhe Policia e Kosovës.

“Ne dimë që janë vendosur kamera, por nuk e dimë kush i ka vendosur. Në rast të incidenteve policia nuk ka qasje në ato kamera. Sigurisht që strukturat ilegale të sigurisë në veri i vëzhgojnë lëvizjet e forcave ndërkombëtare të sigurisë, si të KFOR-it dhe të EULEX-it, por edhe lëvizjet e pjesëtarëve të komuniteteve joserbe”, ka thënë zëdhënësi rajonal i policisë, kapiten Besim Hoti.

Ndërkaq, një serb që jeton në “Lagjen e Boshnjakëve”, Gradimir Jevtovic, i ka thënë gazetës, se “Civilna Zastita” është duke u përgatitur që ta marrë nën kontroll gjithë veriun, pasi që, siç ka thënë ai, “kjo është paraparë me marrëveshjen e Brukselit”.

“Kjo punë fillon me vendosjen e kamerave, nga këtu shohim të gjitha lëvizjet, e pastaj vijnë edhe aktivitetet tjera me të cilat do të punohet për sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht a janë ata serbë, shqiptarë, boshnjakë, apo romë. Nëse ne pranojmë ta zbatojmë marrëveshjen, atëherë CZ-ja do të jetë forcë kryesore e sigurisë në veri”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, serbët e veriut të Kosovës, jo vetëm që nuk pajtohen me marrëveshjen, por ata kanë paralajmëruar edhe protesta dhe bllokada në gjithë territorin e veriut të Kosovës, por edhe në Serbi.

Përfaqësuesit e katër komunave veriore të Kosovës kanë ftuar gjithë qytetarët serbë të Kosovës, ata të Serbisë dhe të Republika Srpska që të mblidhen në Beograd, në një miting që do të mbahet më 10 maj, që t’i japin mbështetje, siç kanë thënë: “mbetjes dhe qëndrimit të institucioneve të Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë”.

“T’i mbështesim vëllezërit në Kosovë dhe kërkesën e tyre për respektim të Kushtetutës, ligjeve dhe institucioneve të Serbisë, e kundër marrëveshjes së Brukselit dhe kapitullimit. Stop kapitullimit dhe okupimit: sot Mitrovica – nesër Novi Sadi e Subotica, sot Kosova – nesër Republika Srpska”, shkruhet në thirrjen e organizatorit të mitingut “Mbesim në Serbi”. Mitingu është paraparë të mbahet më 10 maj në orën 12:44 minuta, koha që aludon në Rezolutën 1244.

Ndërkaq, përfaqësues të komunave paralele serbe, Prishtinë, Skenderaj (Serbicë), Shtërpcë, Rahovec, Kamenicë, Vushtrri, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Obiliq, kanë kërkuar të takohen me kryeministrin Dacic dhe zëvendësin tij, Aleksandër Vucic, për sqarim rreth përmbajtjes së marrëveshjes. Ata kanë thënë se si “përfaqësues legjitim të qytetarëve kanë të drejtë në takim të drejtpërdrejtë, që të japin mendimin për marrëveshjen”.

Ata pohojnë se në komunat e tyre jetojnë një e treta e serbëve që janë në Kosovë. Ata janë kërcënuar se nëse nuk pranohen të krerët e qeverisë serbe, atëherë do të mblidhen dhe do të protestojnë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, siç kishte ndodhur me 30 prill, kur rreth 20 serbë që jetojnë në jug të Ibrit kishin protestuar me kërkesën që të kenë trajtim të njëjtë sikurse serbët e veriut të Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit