14.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Cilin titull duhet ta posedojë që të kem të drejtë t’i flas publikut për Islamin?

Më të lexuarat

Pyetja:

Cilin titull në Islam duhet ta posedojë unë që të kem të drejtë të flas për publikun (shikuesit) në rrjete sociale rreth fesë Islame, Kuranit, hadithit, etj…

***

Përgjigja:

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit e Mëshiruesit!

Lavd i qoftë Allahut, Zotit të botëve! Paqja, mëshira dhe përshëndetjet e Allahut qofshin për krijesën më të mirë mbi rruzullin tokësor, Muhamedin, dhe mbi gjithë familjen dhe shokët e tij, si dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Të flasësh për fenë Islame, ashtu siç është nder dhe shpërblim i madh për atë që e vepron, njëkohësisht është përgjegjësi e madhe mbi supet e atij që e bën këtë. Të flasësh për fenë Islame, fenë e vetme të pranuar tek Zoti nuk është njëjtë sikur të flasësh për shkencat natyrore, për teknologji, për art, për mjekësi, apo ndonjë shkencë tjetër të kësaj natyre, madje, nuk është njëjtë as sikur të flasësh për ndonjë fe tjetër të cilën, pamëshirshëm, e kanë shtrembëruar njerëzit zullumqarë e keqbërës.

Të flasësh për fenë Islame do të thotë t’u tregosh njerëzve me besnikëri e sinqeritet të plotë rreth asaj që Allahu i Lartësuar ia zbriti robit të Tij Muhamedit, përmes robit të tij të ndershëm Xhibrilit (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dy!); me fjalë të tjera, të dëshmosh se ti je ai personi i denjë prej të cilit njerëzit duhet të marrin këtë dituri hyjnore.

Të flasësh për fenë më të mirë që i ka zbritur njerëzimit do të thotë t’i thërrasësh ata në adhurimin e Zotit Një, të Vetmit, pos të Cilit s’ka zot të denjë për adhurim, me dije të paluhatshme e me bindje të thellë në atë që thërret, duke dëshmuar se ti je i pari që e ke realizuar njësimin e Zotit të botëve, me një sinqeritet që buron nga brendësia jote se këtë gjë nuk e bën për tjetër përveçse për hir të Fytyrës së Zotit tënd të Madhërishëm.

Po qe se do të ktheheshim pakëz në historinë e të parëve tanë të devotshëm, do ta vërenim me lehtësi se ata nuk kërkonin të viheshin në ballë të ndejave të diturisë, madje edhe nëse ishin kolosë të dijes. Të kërkosh që të bëhesh prej atyre që flasin haptas për fenë Islame pa përgatitje të mirëfilltë është vënie e vetvetes para shkatërrimit. Ai që flet për fenë Islame është sikur të ketë nënshkruar në emër të Zotit të Gjithësisë. Ai që flet për fenë, duke pasur si nxitës të vetëm dëshirën për të kontribuuar dhe ambicien për të thirrur në fe, pa ia bashkëngjitur kësaj përgatitjen paraprake dhe kërkimin e diturisë, nuk do t’i bëjë dobi as vetes e as të tjerëve.

Nga pyetja e shtruar më lart, në shikim të parë do të kuptonim se ju i keni plotësuar të gjitha kushtet për të thirrur në fe, saqë tashmë ju ka mbetur vetëm edhe titulli me të cilin do të vihet “qershia mbi tortë” dhe të vazhdoni përpara. Jo, nuk është kaq e thjeshtë. Përgjigjes ndaj pyetjes tënde ia bëra një hyrje vetëm për të kuptuar më mirë atë që është më e rëndësishmja, e të cilën do ta shpjegojë në vijim.

Pikë së pari, duhet ta kesh të qartë që përhapja e diturisë nuk kërkon titull a post të caktuar, ngase Pejgamberi ﷺ ndaloi që dikujt t’i jepet një post nëse ai vetë e ka kërkuar atë, ngase po qe se ndodh kështu, i këtilli do të merret në përgjegjësi për të, përderisa, në anën tjetër, nëse dikujt i jepet një post pa e kërkuar ai vetë, ai do të bekohet e do të ndihmohet nga ana e Allahut të Gjithëmëshirshëm.

Së dyti, për të përhapur diturinë fetare ekziston vetëm një mënyrë: të bëhesh vetë dijetar. E meqë, në vendin ku jetojmë dijetarët nuk njihen ndryshe përveçse me emrin ‘hoxhë’, atëherë i bie se duhet të bëhesh hoxhë. “Vallë, a vetëm hoxhallarët kanë të drejtë të flasin për fenë?” – mund të jetë pyetja jote e radhës. “Po,” – do të ishte përgjigja ime. Ngase kjo lidhet drejtpërdrejt me gjërat që i përmenda në hyrjen e këtij shkrimi. Pejgamberi ﷺ kur tregoi për shenjat e kohës së fundit të njerëzimit, ndër të tjera përmendi edhe shfaqjen e “ruvejbidëve” – ashtu i quajti ata që flasin për fenë pa dituri të mirëfilltë fetare. Në një hadith tjetër, Pejgamberi ﷺ flet për largimin e dijetarëve në kohën para Kiametit, dhe në vijim tregon se pas vdekjes së dijetarëve, vendin e tyre do ta zënë njerëz injorantë të cilët do të zënë poste të diturisë, e pastaj do të pyeten për fe dhe do të përgjigjen pa dije, e, rrjedhimisht, do ta humbasin vetveten dhe do t’i devijojnë të tjerët.

Së këndejmi, duhet ta kesh plotësisht të qartë se për të dalë publikisht dhe për të folur për fenë duhet të edukohesh në një institucion të mirëfilltë të fesë, të pranueshëm tek të gjithë hoxhallarët vendorë, e më e mira do të ishte të aplikosh për studime në vendet e origjinës së fesë Islame, si në universitetet e njohura të vendeve arabe, ku fillimisht do ta mësosh mirë gjuhën arabe për dy vite me radhë (përafërsisht), pastaj do të vijosh edhe disa vite të tjera në njërën prej degëve të fesë Islame atje. Gjatë kësaj kohe do të kesh mundësinë që të jetosh në vendin ku Islami është më i fortë se në vendet tjera, do të bashkëjetosh me njerëz që gjuhë amtare kanë gjuhën arabe, gjuhën e Kuranit, pa të cilën s’paramendohet që njeriu të bëhet i ditur, do të prezantosh nëpër ligjëratat e hoxhallarëve me nam, do të mësosh Kuran përmendësh dhe ta përmirësosh leximin e Kuranit sa të kesh mundësi, e shumë e shumë dobi të tjera të cilat janë të domosdoshme për një njeri që të konsiderohet hoxhë dhe thirrës në Islam. Për të mos harruar se pastaj nevojitet edhe pranimi (qoftë edhe i heshtur) nga hoxhallarët e mirënjohur të vendit, ashtu që të njihesh si thirrës dhe dijetar musliman.

Ndërkaq, si përmbyllje, duhet ta kemi të qartë se nëse një person dëshiron që të bëjë dobi dhe të thërrasë në fenë Islame, nuk e ka të ndaluar një gjë të tillë, por vetëm duhet ta bëjë këtë nga pozita që ka në shoqëri, dhe jo të hiqet sikur hoxhë, pa qenë i tillë, apo të kërkojë një post që nuk e meriton, apo të thërrasë në fe me qëllim që të bëhet i famshëm si thirrës derisa ta fitojë besimin e njerëzve, e pastaj të thërrasë në ato gjëra që ia thotë mendja e tij, e kështu me radhë.

Allahu e di më së miri!

Hekuran Helshani

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit