2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Çfarë është fuzioni bërthamor dhe çfarë kanë arritur shkencëtarët?

Më të lexuarat

Sekretarja e Energjisë, Jennifer Granholm, njoftoi të martën “një arritje të rëndësishme shkencore” në përpjekjet prej dekadash për të përftuar energji nga fuzioni, forma e energjisë së Diellit dhe yjeve. Falë fuzionit bërthamor do të prodhohej energji elektrike duke përdorur nxehtësinë që përftohet nga ndërveprimi i reaksioneve bërthamore.

Shkencëtarët në Laboratorin Kombëtar “Lawrence Livermore” në Kaliforni prodhuan për herë të parë më shumë energji nga një reaksion i fuzionit, se energjia që shpenzohet për ta krijuar atë. Ky quhet ndryshe një bilanc pozitiv energjie, tha Departamenti i Energjisë.

Kjo arritje do t’i hapë rrugën përparimeve në fushën e mbrojtjes kombëtare dhe të ardhmes së energjisë së pastër, thanë Sekretarja Granholm dhe zyrtarët e tjerë.

Sekretarja Granholm u shfaq përkrah shkencëtarëve të laboratorit Livermore në një konferencë për shtyp në Uashington.

“Kjo është një arritje e rëndësishme për shkencëtarët dhe personelin e laboratorit që i kanë kushtuar karrierën e tyre bërjes realitet të fuzionit. Kjo arritje do të sjellë pa dyshim zbulime të mëtejshme”, tha Granholm, duke shtuar se ky moment “do të zërë vend në librat e historisë”.

Këshilltarja shkencore e Shtëpisë së Bardhë, Arati Prabhakar, e cila ishte në konferencën për shtyp përkrah Sekretares Granholm, tha se energjia nga fuzioni është “një shembull i jashtëzakonshëm i asaj që mund të arrihet me këmbëngulje” dhe “një mrekulli e inxhinierisë që është e pabesueshme”.

Mbështetësit e energjisë nga fuzioni shpresojnë se një ditë do të prodhohet energji pothuajse e pakufizuar, pa ndotje karbonike, dhe që do të zëvendësojë energjinë e prodhuar nga burime minerare apo me format e tjera tradicionale të prodhimit të energjisë. Prodhimi i energjisë së këtillë që do të furnizonte shtëpitë dhe bizneset është ende dekada larg realizimit. Por, shkencëtarët thonë se ky është megjithatë një hap domethënës.

“Është si shenja për të filluar garën”, theksoi profesor Dennis Whyte, drejtor i Qendrës për Shkencën e Plazmës dhe Fuzionin në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets. “Duhet të nxisim përpjekjet për t’i bërë të disponueshme sistemet e energjisë nga fuzioni, për të trajtuar problemin e ndryshimit klimatik dhe për sigurinë energjetike”.

Arsyeja pse krijimi i një reaksioni të fuzionit që prodhon energji ka qenë kaq i paarritshëm është kryesisht sepse shkencëtarët duhet të krijojnë kushte ekstreme në laborator në mënyrë që të ndodhin reaksionet. Zakonisht, laserë të mëdhenj përdoren për të nxehur hidrogjenin në temperatura në miliona gradë Celsius. Plazma që përftohet më pas kufizohet nën një presion jashtëzakonisht të lartë, duke bërë që izotopet të bashkohen me forcë të mjaftueshme që të shkrihen në një element tjetër, duke çliruar energji kur kjo ndodh, në formën e nxehtësisë.

Ricardo Betti, profesor në Universitetin në Rochester dhe ekspert i fuzionit me laserë, u shpreh se njoftimi është domethënës, por se ekziston një rrugë e gjatë për t’u përshkuar përpara se të kemi prodhimin e elektricitetit të qëndrueshëm.

Ai e krahason këtë arritje me momentin kur njerëzimi mësoi për herë të parë si të bënte përpunimin e karburantit dhe ta ndizte atë për të marrë energji.

“Ende nuk keni motorin. Nuk keni gomat”, tha profesor Betti. “Nuk mund të thoni se keni një makinë”.

Për të bërë punën kërkimore për fuzionin duhen burime dhe përpjekje të shumta. Njëra prej përqasjeve është shndërrimi i hidrogjenit në plazmë, një gaz me ngarkesë elektrike, që në vazhdim kontrollohet nga magnetë gjigandë. Kjo metodë po eksplorohet në Francë, me bashkëpunimin e 35 vendeve, në Reaktorin Ndërkombëtar Eksperimental Termonuklear, si dhe nga shkencëtarët në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets dhe nga një kompani tjetër private. Vitin e kaluar, ekipet që punojnë me këto projekte në dy kontinente të ndryshme, njoftuan se po bënin përparim domethënës me teknologjinë e magnetëve që iu nevojiten për këtë proces./AP

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit