Çfarë dimë për fazën e parë të marrëveshjes së Gazës?

Më të lexuarat

/Nga Ghinë el-Khatib/

Pas fillimit të negociatave të tërthorta midis delegacioneve të lëvizjes së rezistencës islame (Hamas), Izraelit dhe ndërmjetësve të hënën e kaluar në Sharm el-Sheikh, u njoftua në agim të ditës së enjte se është arritur një marrëveshje lidhur me fazën e parë të planit të presidentit amerikan Donald Trump për Rripin e Gazës.

Çfarë përfshin faza e parë?

Faza e parë përfshin një armëpushim – hyrja në fuqi e të cilit ende nuk është përcaktuar – si edhe lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura në Rripin e Gazës deri të hënën e ardhshme, si afat maksimal, ndërkohë që pritet nënshkrimi zyrtar i një marrëveshjeje që do t’i japë fund luftës dyvjeçare.

Kur do të nënshkruhet marrëveshja?

Ndërmjetësit nuk kanë shpallur ende datën e nënshkrimit, por pritet që ai të bëhet në Egjipt, mesditën e së enjtes, sipas një burimi palestinez që citohet nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).
Agjencia Reuters raportoi, sipas një burimi izraelit, se Këshilli i Sigurisë dhe qeveria izraelite do të zhvillojnë dy mbledhje për të miratuar marrëveshjen në orën 17:00 me orën lokale (14:00 GMT).

Çfarë përmban marrëveshja?

Presidenti amerikan njoftoi se marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit për fazën e parë “nënkupton se të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë forcat e tij në vijën e rënë dakord – hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përhershme”.

Sipas një drejtuesi të Hamasit, i cituar nga AFP, lëvizja do të lirojë 20 pengje izraelite të gjalla në këmbim të lirimit nga Izraeli të më shumë se 2000 të burgosurve palestinezë – prej të cilëve 250 me dënim të përjetshëm dhe 1700 të arrestuar që nga fillimi i luftës para dy vjetësh.

Një burim palestinez i përfshirë në negociata tha se shkëmbimi duhet të kryhet brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes dhe se “marrëveshja është arritur me pëlqimin e të gjitha fraksioneve palestineze”.

I njëjti burim shtoi për AFP-në se marrëveshja parashikon edhe futjen e të paktën 400 kamionëve ndihmash në ditë në Rripin e Gazës “gjatë pesë ditëve të para pas armëpushimit”, me rritje graduale në ditët në vijim.

Gjithashtu, “marrëveshja parashikon kthimin e të zhvendosurve nga jugu i Gazës drejt qytetit të Gazës (qendra) dhe veriut të sektorit menjëherë pas zbatimit të saj”.

Sa i përket tërheqjes së ushtrisë izraelite, rrjeti amerikan ABC citoi një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të thoshte se tërheqja drejt vijës ndarëse në Gaza do të zgjasë më pak se 24 orë nga miratimi i marrëveshjes nga Tel Avivi.

Në lidhje me pengjet izraelite të vdekur, një zyrtar për New York Times deklaroi se mbetjet e rreth 28 personave do të kthehen në disa faza, pasi identifikimi i vendndodhjes së disa prej tyre kërkon më shumë kohë.

Çfarë pritet më tej?

Nuk janë bërë ende publike të gjitha detajet e marrëveshjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed el-Ansari, konfirmoi se të dyja palët kanë pranuar “të gjitha nenet dhe mekanizmat e zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, që do të çojë në përfundimin e luftës, lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë dhe hyrjen e ndihmave. Detajet do të shpallen më vonë.”

Pritet që Trump të vizitojë Egjiptin në ditët e ardhshme, pasi Shtëpia e Bardhë tha se ai po shqyrton mundësinë e një udhëtimi në rajon.
Kryeministri izraelit Netanyahu e ftoi Trump-in të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit, dhe Trump i tha Axios-it se është i gatshëm ta bëjë këtë.

Tel Avivi përjetoi festime publike pas shpalljes së arritjes së marrëveshjes që do të sjellë kthimin e pengjeve izraelite.

Çfarë mbetet e paqartë?

Ende ka detaje thelbësore të paqarta – përfshirë kohën, administrimin e Gazës pas luftës dhe fatin e lëvizjes Hamas.
Nuk ka asnjë tregues të qartë se kush do ta qeverisë Gazën pas përfundimit të luftës. Plani 20-pikësh i Trump-it lë të kuptohet për një rol të Autoritetit Palestinez, por vetëm pas reformave të mëdha.

Kur do të shqyrtohen fazat e tjera?

Deri më tani, marrëveshja mbulon vetëm fazën e parë të planit të Trump-it. Faza e dytë, që përfshin çarmatosjen e Hamasit dhe krijimin e një qeverie teknokrate palestineze për të qeverisur Rripin e Gazës nën mbikëqyrje ndërkombëtare, me një “Këshill Paqeje” të kryesuar nga presidenti amerikan, kërkon më shumë negociata.
Një drejtues i Hamasit tha se bisedimet për zbatimin e fazës së dytë do të fillojnë sapo të nisë zbatimi i fazës së parë.

Al-jazeera

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit