Çelësat e udhëzimit në Suren El-Fatiha

Më të lexuarat

Nga çelësat e Kuranit në Suren El-Fatiha
është fjala e Allahut të Lartësuar:
“Na udhëzo në rrugën e drejtë, rrugën e atyre që Ti i ke begatuar.”

Përmes ndalesave vijuese:

1 / “Na udhëzo në rrugën e drejtë”
Sahabët e kanë shpjeguar rrugën e drejtë si Kurani. Prandaj kërkesa më madhore për të cilën i luteni Allahut ditë e natë është udhëzimi drejt Kuranit dhe metodologjisë së drejtë të Allahut, me të cilën arrihet lumturia e kësaj bote dhe e botës tjetër.
Si rrjedhojë, nëse dëshiron që Allahu të të hapë dyert e Kuranit për të nxjerrë thesaret dhe dijet e tij, atëherë qëndro i përkushtuar në lutjen drejtuar Zotit tënd, sepse ky është çelësi më i madh që tregon Sureja El-Fatiha në këtë ajet.

2 / Allahu e përshkruan këtë rrugë — që është Kurani dhe Islami — me drejtësi (istiqame),
dhe ajo është e kundërta e shtrembërimit dhe dredhimit; ajo është rruga më e shkurtër dhe më e qartë. Kjo është një nga udhëzimet e Kuranit: që besimtari të kapet pas asaj që është e qartë, e prerë dhe e njohur në kuptim (muhkem), ndërsa për ajetet e paqarta (muteshabih), dijen e tyre ta lërë tek Allahu, i Cili e ka veçuar Veten me njohjen e tyre.
Nëse Allahu na ka fshehur disa të vërteta që do të zbulohen në botën tjetër, atëherë zhytja dhe thellimi në to është humbje e jetës dhe nënçmim i arsyes, sepse filozofët dhe ithtarët e teologjisë spekulative u devijuan dhe u larguan nga udhëzimet e Kuranit kur u morën me të paqartën — e cila është nga dija e së fshehtës — dhe lanë pas të qartën dhe të prerën.
Prandaj, kush dëshiron që t’i hapen dyert e Kuranit, le t’i përmbahet asaj që është e qartë dhe e prerë.

3 / “Rruga e atyre që Ti i ke begatuar”
prej pejgamberëve, të sinqertëve, dëshmorëve dhe të mirëve; dhe në këtë grup hyn brezi më i madh prej tyre, e ata janë sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, të cilët u edukuan në shkollën e Muhamedit ﷺ dhe e morën prej tij kuptimin e Kuranit dhe shpjegimin e domethënieve të tij.
Prandaj, tregimet që janë përmendur me të gjitha hollësitë e tyre duhet të shërbejnë për nxjerrjen e mësimeve dhe urtësive, në mënyrë që të na hapen drynat e Kuranit dhe të na zbulohen thesaret dhe sekretet e tij. Për këtë arsye ka gabuar ai që ka menduar se tregimet janë vetëm për argëtim dhe marrje të një mësimi të përgjithshëm; përkundrazi, ky ajet, së bashku me ajete të tjera, tregon se ne jemi të urdhëruar të ndjekim gjurmët e pejgamberëve dhe të të përmendurve prej të mirëve pas tyre dhe të sahabëve, dhe përmes tyre të zbulojmë çelësat e meditimit dhe një metodologji për jetën.

Dhe të vërtetën ka thënë Allahu kur thotë:
“Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, andaj pas udhëzimit të tyre ti udhëzohu.”
Dr. Nasir El-Hunejni

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit