18.1 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Çavuşoğlu mesazh kundër ksenofobisë në ceremoninë e përkujtimit të Solingenit

Më të lexuarat

DÜSSELDORF/ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu dha një mesazh për luftë të përbashkët kundër racizmit, ksenofobisë dhe antiislamizmit në ceremoninë e përkujtimit të përvjetorit të fatkeqësisë së Solingenit në Gjermani, raporton Anadolu Agency (AA).

Fatkeqësia në Solingen të Gjermanisë ndodhi 25 vite më parë, kur një grup racistësh i vënë zjarrin shtëpisë së familjes turke Genç, me ç’rast pesë anëtarë humbën jetën.

Ceremonia e përkujtimit u mbajt në godinën e kryeministrisë së shtetit Nordrhein-Westfalen në Düsseldorf, ndërsa krahas shefit të diplomacisë turke, të pranishëm ishin edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri i njësisë federative, Armin Laschet.

“Pritja e vetme e këtyre njerëzve që e kanë konsideruar Gjermaninë si atdhe të dytë është të jenë pjesëtarë të barabartë të kësaj shoqërie”, tha Çavuşoğlu, duke tërhequr vëmendjen në tragjedinë e familjes Genç dhe problemet e turqve të tjerë në Gjermani që janë përballur me sulme raciste.

Çavuşoğlu nënvizoi se Turqia dhe Gjermania duhet të punojnë së bashku për çështjen e integrimit.

“Ajo që na ngelet neve është të marrim mësim nga kjo fatkeqësi dhe të arrijmë të bëhemi një trup kundër gjëmës së quajtur racizëm. Në mënyrë që sulmet si ky të mos përsëriten, duhet merren masa efikase kundër ksenofobisë”, porositi shefi i diplomacisë turke.

Ai lavdëroi qëndrimin e Mevlude Genç, e cila në fatkeqësinë e vitit 1993 humbi dy bijat dhe tre mbesa.

“Me qëndrimin gjakftohtë dhe të fortë atë ditë, familja Genç, posaçërisht nëna Mevlude, u bënë shembull për shoqërinë gjermane dhe për ne”, tha Çavuşoğlu.

“Qëllimi i vetëm i pjesëmarrjes sime sot në këtë ceremoni është të dënojmë edhe një herë së bashku mendjet e prishura dhe çdo rrymë negative, përfshirë racizmin, ksenofobinë dhe antiislamizmin, si dhe të japim një mesazh të përbashkët për luftë kundër tyre. Ne jemi të detyruar të vazhdojmë pa ndërprerje këtë luftë tonë, sepse sulmi i Solingenit nuk është sulmi i parë e as i fundit në Gjermani, Evropë apo më larg”, shtoi ministri i jashtëm turk.

Çavuşoğlu po ashtu theksoi se politika dhe media ka rol të madh në këtë çështje, duke theksuar nevojën për braktisjen e retorikës margjinalizuese dhe diskriminuese dhe zbatimin e një kontrolli të brendshëm efikas.

Ndërkohë, Laschet në fjalën e tij e cilësoi fatkeqësinë e Solingenit si fatkeqësia më e keqe pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se kjo fatkeqësi jo vetëm që do të hyjë në librat e historisë, por nga ajo do të nxirren mësime rreth urrejtjes dhe ksenofobisë.

“Jemi me ju. Kush humb fëmijën, nuk e harron deri në vdekje. Edhe po të kalojnë 25 vite apo 50. Nuk humb nga kujtesa jonë”, shtoi Laschet.

Para ceremonisë, kancelarja gjermane Merkel dhe ministri Çavuşoğlu u takuan me Mevlude Genç dhe Durmuş Genç.

Merkel dhe Mevlude Genç u shfaqën dorë për dore në sallën e ceremonisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit