Ballkani dhe BE-ja; Qarku i integruar
Marrë nga The economist
Integrimi evropian është ende qëllimi qendror e strategjik i të gjithë vendeve të Ballkanit perëndimor, por kriza Evropiane e ka ndryshuar peizazhin politik. Me fillimin e BE-së disa gjëra ishin të qarta. Për anëtarët e Bashkimit Evropian pika e nisjes për ish vendet e Jugosllavisë dhe Shqipërinë ishte stabilizimi i rajonit, ndërsa për vendet e Ballkanit ideja i shërbente procesit të ndërtimit të shteteve moderne dhe funksionale. Tani të gjitha bastet janë jashtë loje. Askush nuk e di se çfarë rezervon e ardhmja sepse askush nuk e di se me çfarë do të ngjajë BE-ja pas 1 apo10 vitesh.
Ministrja e jashtme e Kroacisë Vesna Pusiç u shpreh se kur vendi i saj ti bashkohet BE-së në korrikun e vitit të ardhshëm, kjo do ti marrë 12 vjet dhe 4 muaj punë të vështirë për të arritur atje deri nga fillimi zyrtar i procesit dhe se BE-ja tek e cila Kroacia do të integrohet nuk është e njëjtë me atë që ajo pandehte gjatë fillimit të anëtarësimit. Pas Kroacisë vendet e mbetura si Serbia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja janë të gjithë në faza të ndryshme përgjatë kësaj rruge, por do të duhen vite përpara se vendi më i përparuar nga këto, aktualisht Mali i Zi, do të jetë gati për tu anëtarësuar.
E gjitha kjo dhe tërë kuptimi i saj është diskutuar në një letër të shkëlqyer nga Dimitar Beçev, përfaqësues i Këshillit Evropian lidhur me Marrëdhëniet me Jashtë. “Kriza e euros nuk e ka vrarë zgjerimin por po e drejton rajonin në qarkun më periferik të Evropës me shumë shpejtësi ndër periferitë e periferisë”. Në të kaluarën thotë ai “Në kohë të mira, bërthama Evropiane e eksportoi prosperitetin e saj drejt jug-lindjes periferike, por tani në kohën e krizës, po eksporton lëkundshmëri”.
Ekonomitë e Ballkanit janë tashmë në mënyrë tërësore pjesë e zonës euro, kjo është tejet e habitshme, megjithëse mënyra se si ata janë integruar ndryshon. Pjesa më e madhe e eksporteve të tyre dhe gjithashtu e remitancave, që janë veçanërisht të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën, shkon drejt zonës euro. Pothuajse të gjithë indikatorët matës shfaqin rënie dhe kjo tregon se nuk duket që të ketë hapësirë për optimizëm në horizont. Në të vërtetë ashtu siç z. Beçev thekson “Për të gjitha qëllimet praktike, Ballkani është tashmë pjesë e BE-së”. Si rezultat i kësaj ai argumenton se “Stanjacioni dhe rritja e niveleve të papunësisë, sidomos në mesin e të rinjve, zhduk mbështetjen e Brukselit ndaj atyre partive reformiste që pëlqejnë të flasin rreth kësaj. Votuesit e Ballkanit në vetvete nuk po kthehen kundra Evropës, por ata kanë më pak gjasa për të marrë në konsideratë premtimet e saj për një të ardhme të ndritur në kuptimin formal”.
Gjithashtu shtetet aktuale anëtare të BE-së kanë më shumë dyshim se kurrë rreth asaj se sa janë reformuar vendet e Ballkanit. Në të vërtetë, në të kaluarën raportet vjetore të progresit nga Komisioni Evropian janë marrë si standardi i artë i matjes, tashmë vende të veçanta, veçanërisht Gjermania, kanë filluar të bëjnë kontrollet e tyre respektive. Ata janë dyshues ndaj raporteve të përgatitura nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim. Ata besojnë se nuk janë neutral në këtë proces pasi ka një interes vetjak në mbajtjen e të gjithë treguesve të udhës së zgjerimit, përndryshe ajo nuk do të kishte asgjë për të bërë.
Efekti grek po i ndryshon gjithashtu gjërat. “Në Ballkan, Evropianizimi është mbajtur jashtë premtimit të modernizimit dhe konvergjencës me vendet e pasura dhe të mirëqeverisura të “Evropës së vjetër”-citon z. Beçev.
“Por drama e shpalosur greke merret si një goditje e rëndë në këtë tregues të konvergjencës. Greqia ishte një nga modelet e rajonit: një vend thelbësisht Ballkanik që kishte bërë kalimin nga zhelet tek pasuria, nga prapambetja dhe marxhinaliteti, tek prosperiteti nën yllin e zbukuruar të BE-së. Megjithatë tani, Greqia është një paralajmërim për rreziqet e evropianizimit pa transformim të thellë”.
Tragjedia është se luftërat dhe shkatërrimet e dy dekadave të fundit, lënë të kuptojnë se mund të jetë tepër larg, koha kur vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë gati për tu integruar. Historiani dhe komentatori britanik, Timothy Garton Ash, gjatë shkrimit në Foreign Affairs (Marrëdhëniet me Jashtë) shkon aq larg sa parashikon se në të ardhme BE-ja mund të mbijetojë vetëm si: “Një pallat origami traktatesh dhe institucionesh” e cila “do të bjerë gradualisht nga efikasiteti dhe rëndësia reale, ashtu si Perandoria e Shenjtë Romake, dikur”.
Megjithatë, Garton Ash mund të jetë i gabuar dhe deri tani vendet e Ballkanit nuk kanë shumë zgjidhje përveç vazhdimit të punës drejt anëtarësimit, edhe pse ata nuk kanë asnjë ide çfarë lloj BE-je do të ekzistojë kur ato do të jenë gati për të. Por ashtu siç argumenton zoti Beçev, ata duhet të inkurajohen ta bëjnë këtë me riforcimin e përpjekjeve nga ana e BE-së (ajo jep një numër sugjerimesh rreth asaj se si ajo duhet ta bëjë këtë) duke thënë se: “BE-ja mund të jetë ende zgjidhja, më shumë sesa problemi por vetëm nëse ajo nuk e heq nga agjenda politike, zgjerimin e saj”.
Perktheu: Ervin Hakorja
…
