20.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Arsim Bajrami: Reforma zgjedhore nuk duhet ta prekë Kushtetutën

Më të lexuarat

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Arsim Bajrami, ka kundërshtuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës në këtë kohë. Ai ka thënë se procesi i reformës zgjedhore nuk duhet ta prekë ndryshimin e aktit më të lartë juridik në vend.

“Mendoj se reforma zgjedhore nuk duhet të ketë implikime kushtetuese. Kushtetuta jonë është Kushtetutë e kompromisit, është Kushtetutë që ka bërë kompromis midis vullnetit të popullit për pavarësi dhe standardeve të papara për të drejtat e pakicave. Ky balancë duhet të mbrohet dhe nuk guxon të prishet”, ka thënë Bajrami në një intervistë për “Epokën e re”.

Sipas Bajramit, vazhdimi i vendeve të rezervuara për minoritetet do ta vështirësojë konsensusin politik dhe do t’i faktorizojë pakicat në mënyrë të pamerituar. “Nëse shkohet me praktikën e vendeve të rezervuara ai mund të jetë një institucion me efekte krejt të kundërta dhe të bëhet një institucion me të cilin pakica e mban peng shumicën në vendimmarrjet politike. Neve do të na duhet që për të gjitha vendimet e rëndësishme shtetërore dhe kushtetuese të zhvillojmë negociata me pakicat dhe pakicat do të bëhen faktorë, element kyç për marrjen e vendimeve të rëndësishme që nga ndryshimi i Kushtetutës, modernizimi dhe ndryshimi i ligjeve themelore”, ka thënë Bajrami

Sipas tij, nuk janë korrekte kërkesat e minoriteteve dhe pretendimet e ndërkombëtareve për të vazhduar edhe më tutje me mandatet e rezervuara. “Mendoj se nuk janë fort korrekte as presionet ndërkombëtare që vijnë në këtë drejtim, sepse po t’i krahasojmë praktikat e shteteve evropiane, asnjë prej këtyre shteteve nuk aplikon vende të rezervuara dhe të garantuara. Madje as për pakicat milionëshe nuk kanë vendosur standarde të tilla”, ka deklaruar Bajrami.

Ai ka thënë se vazhdimi i vendeve të rezervuara për minoritetet do ti sjell telashe Kosovës në të ardhmen në shumë vendime të rëndësishme. “Nëse lejohet një gjë e tillë, atëherë ne çështjen e rëndësishme si ndërrimin e Kushtetutës, ndërrimin e ligjeve, apo transformimin e FSK-së në një ushtri të rregullt do ta lëmë në duart e pakicave. Nëse subjektet politike të pakicave do të jenë të ndikuara nga Beogradi, atëherë në mënyrë të tërthortë do të hapet një mundësi e interferimit të politikave të Beogradit në Kuvendin e Kosovës. Dhe kjo është krejtësisht e palejueshme në një shtet demokratik”, është shprehur Bajrami./express

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit