Autoriteti Saudit për Ushqimin dhe Barnat ka dhënë miratim të përshpejtuar për një ilaç të ri revolucionar kundër kancerit, të quajtur “Anktiva”, i cili shkatërron kancerin pa përdorimin e kimioterapisë, për trajtimin e kancerit të fshikëzës urinare dhe të mushkërive.
Anktiva është një ilaç imunoterapie i gjeneratës së re, i cili aktivizon sistemin mbrojtës vetjak të trupit. Pra, në vend që ta helmojë drejtpërdrejt kancerin, ai vepron duke forcuar “ushtarët” e trupit që luftojnë kundër kancerit.
Ky ilaç rrit numrin dhe aktivitetin e qelizave NK, luftëtarë të rëndësishëm të sistemit imunitar që janë në gjendje të njohin dhe shkatërrojnë qelizat kancerogjene, si edhe të qelizave imune T, të cilat e njohin dhe e mbajnë mend kancerin. Në këtë mënyrë, sistemi imunitar i gjen dhe i shënjestron më lehtë qelizat e kancerit.
Kimioterapitë klasike shpesh dëmtojnë edhe qelizat e shëndetshme dhe e dobësojnë imunitetin. Anktiva, përkundrazi, synon forcimin e sistemit imunitar. Për këtë arsye, ajo ka potencialin të ofrojë një veprim më të synuar, më pak efekte anësore dhe një përgjigje imunitare më të qëndrueshme në kohë.
Një shembull mbresëlënës që tregon se sa i fuqishëm mund të jetë ky qasje është raportuar në studime klinike: tek një pacient me limfomë (kancer i gjakut), te i cili 95% e palcës së kockave ishte e mbushur me qeliza kancerogjene dhe që nuk kishte dhënë asnjë përgjigje ndaj trajtimeve standarde, qelizat imunitare të marra nga vetë pacienti ose nga një dhurues i përshtatshëm janë forcuar në laborator në mënyrë që të njohin dhe të sulmojnë kancerin, dhe më pas i janë rikthyer pacientit. Si rezultat, palca e kockave është pastruar plotësisht dhe prej 15 muajsh nuk është vërejtur asnjë shenjë e sëmundjes. Ky rast tregon qartë se sa efektive mund të jetë drejtimi i duhur i sistemit imunitar në luftën kundër kancerit.
Në studimet klinike të kryera, veçanërisht në raste të vështira që nuk i janë përgjigjur trajtimeve standarde, raportohet se sistemi imunitar është rimëkëmbur, jetëgjatësia e pacientëve është zgjatur dhe janë arritur rezultate premtuese në lloje të ndryshme kanceri, veçanërisht në kancerin e mushkërive.
Themeluesi i kompanisë që ka zhvilluar Anktiva është kirurgu dhe shkencëtari miliarder me famë botërore, Dr. Patrick Soon-Shiong. Kompania prej kohësh zhvillon studime mbi trajtime të bazuara në imunitet, pa kimioterapi.
Miratimi i Anktiva-s nga Arabia Saudite për pacientët e rritur me kancer të fshikëzës urinare dhe të mushkërive shihet si një hap i rëndësishëm dhe pararendës në trajtimet e kancerit të bazuara në sistemin imunitar.
Ky miratim ka rritur gjithashtu gjasat që vendi të përballet me një fluks pacientësh që do të udhëtojnë atje për trajtim.
