ANALIZË: LËVIZJA E DEÇANIT – MES “LËVIZJES KOMBËTARE” DHE LËVIZJES PËR PËRÇARJE NDËRVËLLAZËRORE – Nga Dr. Shkodran Imeraj

Më të lexuarat

Deçani, simbol i rezistencës dhe i sakrificës për lirinë e Kosovës, është bërë në vitet e fundit objekt manipulimi nga individë e grupe që, përmes një zhurme të organizuar mediatike, përpiqen të shtrembërojnë të vërtetën historike dhe ta zëvendësojnë atë me versione të fabrikuara, që nuk kanë as mbështetje në fakte, as në kujtesën kolektive.
Ajo që shpesh paraqitet si një “lëvizje e re”, në thelb nuk është gjë tjetër veçse një platformë përçarjeje, ndarje ndërvëllazërore mes shqiptarëve myslimanë, katolikë e ortodoksë, dhe sulmesh të motivuara politikisht kundër institucioneve që kanë pasur një rol jetik në shtetndërtimin e Kosovës, si dhe drejtohet kundër mbi 90% të shqiptarëve të Kosovës, të cilët i përkasin besimit islam, si dhe kundër gjithë atyre shqiptarëve patriotë të besimeve katolike e ortodokse.
Arsyeja pse më ka shtyrë të bëj këtë analizë rreth të ashtuquajturës “lëvizje kombëtare”, e cila po baltis emrin historik të Deçanit, është sepse disa nga themeluesit apo bashkëthemeluesit e saj janë marrë në një formë apo tjetër me personalitetin tim profesional e publik.
Kjo analizë synon të nxjerrë në pah një propagandë, e cila nuk është gjë tjetër veçse mbjellje e ndasive mes shqiptarëve, në pikën që asnjëherë nuk i ka ndarë shqiptarët nga vëllazëria e tyre shekullore dhe besimi, që me shekuj ka jetuar në një rreth e shoqëri, pra, tek përçarja fetare.
Tentimi për të manipuluar në emër të fesë, duke pretenduar se më i mirë është një shqiptar katolik e ortodoks sesa një mysliman shqiptar, apo se më patriot është të jesh katolik sesa mysliman, dhe se më shumë duhet vlerësuar shqiptaria dhe kombi duke qenë katolik sesa mysliman shqiptar, janë premisa të mbjelljes dhe më pas korrjes së një ndasie të cilën as armiqtë shekullorë nuk kanë mundur ta fusin, apo ta mbjellin dhe të korrin një ndasi të tillë.
Por edhe një mysliman nuk mund të jetë kombëtarisht më i mirë se një katolik apo ortodoks shqiptar. Pra, shqiptaria dhe kontributi për atdheun nuk maten me kutin e fesë, por me kutin e kontributit dhe angazhimeve krah popullit dhe për popullin shqiptar.
Për të arritur këtë qëllim të ndasisë mes fetare tek shqiptarët, armiqtë e shqiptarëve, në vazhdimësi si ata serbë, rusë, grekë, kinezë e iranianë janë munduar të fusin hundët në këtë mes, por gjithsesi kanë dështuar.
Kanë dështuar për shkak se elita e Rilindjes sonë kombëtare, e cila u ka vënë themelet historisë sonë kombëtare dhe nga ajo i ka nxjerrë figurat më fundamentale të identitetit tonë kombëtar dhe fetar, ka vendosur themele aq të forta, sa që as tërmetet dhe magnitutat më të mëdha që kanë regjistruar sizmiologët nuk do të mund ta shkatërronin.
Ymer Prizreni, si myderriz i njohur mysliman; vëllezërit Frashëri, si bektashinj; Dom Nikoll Kaçorri, si katolik; Fan Noli, si ortodoks; e shumë e shumë figura të tjera të kombit tonë, i kanë vendosur themelet e shëndosha të identitetit kombëtar dhe fetar të shqiptarëve andej e këndej kufijve të shtetit amë shqiptar, apo në gjithë arealin shqiptar.
Shqiptarët e besimit islam, katolik e ortodoks ishin bashkë në bërjen e Shqipërisë shtet më 1912. Shqiptarët, pa dallime, ishin bashkë në Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Shqiptarët pa dallime fetare ishin bashkë në përpjekje për liri e çlirim kombëtar edhe gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Shqiptarët pa dallim fetar ishin bashkë edhe në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, e cila udhëhoqi rezistencën me të shquar të shqiptarëve të Kosovës kundër okupimit serb e jugosllav. Shqiptarët pa dallime fetare ishin bashkë në Demonstratat e vitit 1968, 1981, në lëvizjen gjithëpopullore të viteve ’90 të prirë nga ideologu i pavarësisë dhe arkitekti i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Shqiptarët pa dallim feje ishin bashkë edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1998-1999.
Shqiptarët pa dallime fetare do të jenë bashkë dhe jo të përçarë deri në ekzistimin e këtij civilizimi. Pra, të kota janë tentimet për përçarje mes vëllezërve të një kombi.

Deçani dhe manipulimi në emër të tij

Emri i Saim Tahirajt nuk figuron në asnjë nga faqet më të lavdishme të historisë së luftës sonë çlirimtare. Ai nuk pati kontribut gjatë gjithë viteve të luftës 1998–1999, as në aspektin logjistik, politik apo ushtarak. Pavarësisht kësaj, sot përpiqet të imponojë veten si “zë i pastërtisë kombëtare”, ndërsa godet në mënyrë të vazhdueshme figurat dhe institucionet themelore të rezistencës kombëtare dhe shtetndërtimit.
Duhet nënvizuar se pjesa më e madhe e shokëve të Saim Tahirajt nga fillim vitet ’90 janë sot dëshmorë të kombit ose kanë qenë pjesë e drejtpërdrejtë e luftës çlirimtare të UÇK-së. Krahasuar me ta, angazhimi i tij i përkohshëm dhe episodik në periudhën e hershme të rezistencës, i ndjekur nga largimi dhe mospjesëmarrja në luftë, tregon më shumë mungesë pjekurie patriotike sesa përkushtim real ndaj çlirimit të Kosovës. Patriotizmi i vërtetë nuk është fjalë e vonuar pas lufte, por veprim dhe sakrificë në kohën kur kombi kishte më shumë nevojë.
Pra, emri i Deçanit nderohet nga Tahir Efendi Lluka, themeluesi i mejtepit të Llukës dhe i shkollës së parë shqipe, nga Jusuf Gërvalla si figura unifikuese e ilegales shqiptare, nga mësuesit heronj si Ismajl Balaj dhe Metë Alaj, të cilët u vranë për të shkruar shqip, si dhe nga shumë figura të tjera që i kanë dhënë emër Deçanit dhe historisë sonë kombëtare.

Kush është Pajazit Jashari, një nga ideatorët e “Lëvizjes së Deçanit”?

Edhe më shqetësues është fakti se bashkëthemelues i “Lëvizjes së Deçanit” është vetë Pajazit Jashari, një figurë e njohur për lidhjet e tij me organizata me ndikim serb e malazez, dhe për deklaratat publike që bien ndesh me të vërtetën historike dhe interesin kombëtar.
Kjo përbën një kontradiktë të thellë, sepse një lëvizje që pretendon të mbrojë “vlerat kombëtare” nuk mund të ndërtohet mbi themele të përziera me bashkëpunime të dyshimta, që i shërbejnë narrativave armiqësore ndaj Kosovës.
Pajazit Jashari ka pasur lidhje të dokumentuara me organizata joqeveritare me origjinë ose ndikim nga Serbia dhe Mali i Zi. Në një prononcim publik në RTV21, në emisionin Echo, më 3 maj 2024, ai pranoi se kishte themeluar një OJQ me emrin “Budućnost-Ardhmëria”, ku ishte bashkëthemelues me disa serbë e malazezë lokalë të veriut të Kosovës.
Kjo organizatë ka qenë e përfshirë në projekte që synojnë relativizimin e krimeve të luftës, krijimin e një narrative të barazisë fiktive mes agresorit dhe viktimës, dhe shpesh është përdorur si instrument i butë i propagandës rajonale për destabilizim të brendshëm në Kosovë.

Roli i diskutueshëm i pseudo-historianit Muhamet Shabani?

Në këtë analizë nuk mund të lihet pa përmendur figura si Muhamet Shabani, i cili, sipas disa burimeve, jo vetëm ka pasur lidhje me sistemin komunist jugosllav dhe lidhej drejtpërdrejt me kreun e komunistëve të Serbisë, por ka zhvilluar edhe fushata shpifëse dhe të dëmshme kundër krerëve të UÇK-së.
Veprime të tilla, të dokumentuara edhe në librin e tij “Degradimi i Pavarësisë së Kosovës”, përbëjnë jo vetëm falsifikim, por edhe tradhti ndaj së vërtetës historike, si dhe akt dëmprurës për kohezionin shoqëror në një vend që ka kaluar një luftë të përgjakshme çlirimtare.

Nuk ka “islam politik” në Kosovë – përpjekje për përçarje të sponsorizuara nga shtete armike të Kosovës

Një prej aksioneve më të rrezikshme të kësaj “lëvizjeje”, por edhe eksponentëve të saj si Pajazit Jashari, Saim Tahiraj e Muhamet Shabani, është përpjekja për të promovuar idenë e një “islamizmi politik” në Kosovë.
Kjo është një narrativë e rreme, që nuk gjen mbështetje në realitetin e vendit tonë.
Kosova është e njohur për tolerancën ndërfetare, ku komunitetet fetare kanë bashkëpunuar për dekada në shërbim të paqes, arsimit dhe pavarësisë së vendit.
Pretendimet për ekzistencën e një “islami radikal” apo “politik” nuk janë as origjinale, as të bazuara në fakte: ato janë të importuara nga propagandat serbo-ruse, kineze dhe iraniane.
Janë pikërisht këto shtete që në forumet ndërkombëtare përpiqen ta paraqesin Kosovën si vatër të ekstremizmit, për të minuar legjitimitetin e saj dhe për të ndikuar opinionin ndërkombëtar.
Lëvizjet që ushqejnë këto narrativa brenda Kosovës bien në shërbim të agjendave anti-kombëtare.
Kjo narrativë, që mundohet ta paraqesë Kosovën dhe banorët e saj si “islamistë”, është thellësisht e rrezikshme, por edhe pa bazë.
Në Kosovë nuk ka islam radikal e as islam politik. Madje, fushata të tilla shkojnë deri aty sa e paraqesin Kosovën si vend islamist dhe anti-amerikan.
Kosova është vend me shumicë myslimane, i cili u çlirua falë rezistencës kombëtare të popullit të saj dhe ndihmës së pamohueshme të SHBA-së.
SHBA-të e kanë çliruar Kosovën duke ditur se mbi 90% e popullsisë janë myslimanë.
Kosova ka qëndruar gjithmonë në krah të SHBA-së dhe ka qenë pjesë e çdo nisme amerikane kundër grupeve dhe shteteve terroriste.
Ajo është dhe mbetet pjesë e aleancës perëndimore kundër çdo radikalizmi fetar, ekonomik, politik apo kulturor.
Mbi të gjitha, Kosova është ndër vendet më pro-perëndimore dhe më pro-amerikane jo vetëm në Ballkan, por edhe në gjithë Evropën dhe më gjerë.
Kjo nuk është thjesht një qëndrim politik momental, por një orientim i rrënjosur thellë në ndërgjegjen kombëtare, që buron nga historia jonë e afërt, nga aleancat e gjakut dhe nga mirënjohja e thellë për rolin vendimtar që SHBA-të dhe Perëndimi kanë pasur në çlirimin, mbështetjen dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Pse sulmohet Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) – institucion i shtetndërtimit

Sulmet ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) janë të pabaza dhe të padrejta. BIK-u ka qenë një ndër institucionet më të rëndësishme në mbështetjen e proceseve kombëtare dhe në ruajtjen e stabilitetit shoqëror në Kosovë.
Gjatë viteve ’90, kur regjimi serb kishte suprimuar çdo institucion shqiptar, Medreseja “Alauddin” në Prishtinë u shndërrua në një vatër të vërtetë të rezistencës intelektuale dhe kombëtare. Në këtë medrese u mbajt Kuvendi i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i prirë nga Dr. Ibrahim Rugova. Po aty zhvilluan aktivitetet e tyre Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti i Historisë dhe Instituti Albanologjik. Veprimtarinë e zhvilloi edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Janë të evidentuara mbi 1200 ngjarje dhe aktivitete të zhvilluara në këtë medrese.
Në këtë mes nuk duhet harruar roli kombëtar i drejtorit të atëhershëm të Medresesë, myftiut aktual Naim Tërnava.
Për veprimtarinë kombëtare të BIK-ut dhe Medresesë “Alauddin”, këto dy institucione janë nderuar me dekorata shtetërore nga presidenti Hashim Thaçi dhe presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.
Që nuk ka islam radikal në Kosovë dhe as ndasi ndërvëllazërore, vërtetohet lehtësisht: Rexhep Boja, kryetar i atëhershëm i BIK-ut, ishte ndër bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Së bashku me Mark Sopin, udhëheqësin e Kishës Katolike në Kosovë, ishin pjesë thelbësore e lëvizjes gjithëkombëtare paqësore që hodhi themelet e pavarësisë së vendit.
BIK-u nuk ka qenë asnjëherë institucion me qasje politike. Përkundrazi, ka ruajtur një qasje të moderuar, kombëtare dhe bashkëpunuese, duke qenë pjesë e pandashme e përpjekjeve për unitet dhe mirëkuptim ndërmjet qytetarëve të të gjitha besimeve.
Gjatë luftës çlirimtare, BIK dhe Medreseja ishin krah popullit dhe rezistencës kombëtare. Nga kjo organizatë kombëtare, shumë imamë lanë petkun e imamit dhe u bashkuan me UÇK-në; mbi 37 prej tyre janë dëshmorë të kombit.
Nuk duhet harruar as shkatërrimin e trashëgimisë sonë kulturore: mbi 200 xhami janë shkatërruar në gjithë Kosovën. Kjo trashëgimi kulturore mbetet pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare.
Në këtë mes nuk duhet harruar as kontributi i dhjetëra imamëve, të cilët, në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, lanë petkun e imamit dhe hapën dhjetëra shkolla anembanë Kosovës, me të vetmin qëllim që popullsia (mbi 90% sipas statistika zyrtare ishte analfabete) shqiptare, të mësonte e të lexonte, e të shkruante të bukuren gjuhë tonën shqipe, të cilën na e lanë amanet Naim Frashëri, Gjergj Fishta dhe shumë e shumë figura të tjera kombëtare.

Fushata “Kosova – vend islamist”: një narrativë e vjetër antishqiptare

Ideja se shqiptarët e Kosovës janë “islamistë” dhe përfaqësues të një “radikalizmi islamik” nuk është as e re, as spontane. Kjo fushatë është e vjetër dhe lidhet ngushtë me propagandën jugosllave, veçanërisht atë serbe.
Që nga dekadat e hershme të shekullit XX, shumë prej udhëheqësve serbë të Jugosllavisë kanë paraqitur Kosovën si një “zonë të rrezikshme islamike”. Ka edhe raste të dokumentuara kur shqiptarët janë quajtur “kanibalë” me qëllim dehumanizimi dhe justifikim të represionit sistematik ndaj tyre.
Kjo fushatë arriti kulmin në vitet ’90, veçanërisht gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së. Serbia përhapi gënjeshtrën se UÇK-ja kishte lidhje me grupime islamiste dhe priste ndihmë nga Irani, me qëllim njollosjen e qëndresës shqiptare.
Një rast domethënës është se Irani, mik tradicional i Serbisë dhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, kishte ofruar ndihmë për luftën, por kjo ndihmë u refuzua nga strukturat atdhetare të UÇK-së. Sipas burimeve të kohës, edhe SHBA-ja dha udhëzime të qarta për mospranim të armëve apo luftëtarëve të huaj, veçanërisht nga Irani apo vende me agjenda të errëta fetare. Kjo sepse qëndresa shqiptare nuk kishte asnjë lidhje me “xhihadizmin”.
Kjo fushatë serbe nuk u ndal as pas luftës. Serbia, në çdo forum ndërkombëtar, përpiqet ta paraqesë Kosovën si vend islamik dhe të rrezikshëm për Perëndimin, duke nxitur frikë dhe dyshime. Për këtë qëllim ka përdorur edhe individë shqiptarë që, nën petkun e “aktivistëve islamikë”, keqpërdorin fenë për qëllime politike dhe propagandistike, gjithmonë në shërbim të narrativës antishqiptare.
Edhe në kohën kur Kosova u përball me dhunë ndaj objekteve fetare ortodokse, veçanërisht në mars 2004, Serbia tentoi ta paraqiste këtë si dëshmi të “radikalizmit islamik shqiptar”. Por kjo propagandë dështoi. Kosova dëshmoi pjekurinë politike dhe qytetare, duke treguar se nuk i përket vendeve me agjenda islamike radikale.
Së fundmi, prej dy vitesh, po tentohet të ringjallet kjo narrativë, në një formë më të sofistikuar: disa individë, nën maskën e “shqetësimit kombëtar”, promovojnë idenë se shqiptarët e Kosovës janë antiamerikanë për shkak të besimit të tyre islam. Kjo është gënjeshtër e pastër dhe përpjekje e rrezikshme për ndarje dhe përçarje shoqërore.
Por edhe kjo fushatë është e përkohshme. Kosova ka treguar se është pjesë e botës demokratike, aleate e besueshme e SHBA-së dhe Perëndimit, dhe se besimi fetar i shumicës nuk është pengesë, por pasuri shpirtërore, qytetare dhe kombëtare.
Për SHBA-në, islami nuk është problem, as Kosova nuk është problem për shkak të përkatësisë fetare të qytetarëve të saj. Amerika ka marrëdhënie strategjike me shumë shtete myslimane, duke përfshirë Arabinë Saudite, me të cilën ka marrëveshje të shumta, përfshirë kontrata armatimi me vlera milionëshe.
SHBA furnizon me armatim aleatët myslimanë dhe i konsideron partnerë besnikë në iniciativat globale për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në këtë kuadër, Kosova nuk bën përjashtim: ajo është aleate e vërtetë dhe ka qenë në anën e drejtë të historisë në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ndarjeve ideologjike.

Ekstremi i të ashtuquajturës “Lëvizje e Deçanit”

Në Kosovë ka pasur dhe ka ekstremizëm politik, partiak, e ndonjëherë edhe rajonal.
Për shembull, gjatë dhe pas luftës, janë regjistruar rreth 400 vrasje me motive politike, ku individë dhe parti kanë akuzuar njëri-tjetrin për këtë.
Ky është ekstremizmi i vërtetë, ndërsa pretendimet për ekzistencën e ekstremizmit islam apo “islam politik” janë të pabazuara. Në Kosovë nuk ka asnjë vrasje të regjistruar për shkak të ekstremizmit islam.

Ideja “Kosova shtet islami” nuk buron nga realiteti, por nga agjenda të jashtme dhe brenda vendit

Kosova nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë shtet islamik as në rrafshin kushtetues, as institucional, as kulturor.
Është shtet laik, me ndarje të qartë të fesë nga shteti dhe me shumicë popullsie myslimane.
Kjo ide është shpikje politike, e shtyrë nga qarqe serbe, ruse dhe greke, dhe e përvetësuar nga disa individë shqiptarë me prirje ideologjike që duan të ndryshojnë natyrën shtetformuese të Kosovës.
Qëllimi është diskreditimi i Kosovës në sytë e Perëndimit, duke e paraqitur si “shtet islamik” në Evropë, dhe ndarja e shqiptarëve sipas përkatësisë fetare në “myslimanë të rrezikshëm” dhe “katolikë apo ortodoksë më të civilizuar” një narrativë toksike pa mbështetje historike apo reale.
Qendra kryesore propagandistike janë qarqet serbo-ruse, me ndihmën e kishës ortodokse dhe shërbimeve inteligjente që e paraqesin Kosovën si vatër të “islamizmit radikal”. Disa figura publike shqiptare dhe grupime pseudointelektuale po përhapin këtë narrativë përçarëse.
Qëllimi është rrënimi i unitetit kombëtar, delegjitimizimi i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe mbjellja e dyshimeve që dobësojnë shtetin.

Koha e të vërtetës dhe përgjegjësisë historike

Kosova ka nevojë për një diskurs të matur, të bazuar në fakte dhe unitet kombëtar, jo për zëra që përçajnë dhe krijojnë ndasi të rreme.
Çdo përpjekje për rrëzimin e rolit të institucioneve që kontribuan në shtetndërtim, si BIK-u, për të etiketuar pa fakte dhe për të ringjallur ndasi ideologjike, është hap prapa në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë.
Në Deçan dhe më gjerë kemi nevojë për kujtesë të pastër, jo për zëvendësim të historisë me mitologji personale.
Kosova e ka në vetëdijen e saj bashkëjetesën ndërfetare si vlerë të trashëguar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila theksoi unitetin, jo ndarjen, bashkimin pa dallim feje.
Kjo trashëgimi nuk mund të zhbëhet nga zhurma e individëve me ambicie personale apo axhenda të errëta.
Prandaj, as Pajazitët, as Saimat, as Muhametët, me përpjekjet e tyre për ndarje, nuk mund të prishin themelet e bashkëjetesës ndërfetare që është vlera dhe vullnet i trashëguar brez pas brezi.
Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë është provë e qytetarisë sonë dhe armë kundër propagandave armiqësore.
Duhet theksuar se qarqet serbe tashmë në shkrime e tyre, po përdorin këtë narrative të kësaj fushatë nga individë të pa adrese, se Kosova është “islame e radikale”, me qëllimin e vetëm për të ndryshuar imazhin e Kosovës dhe për ta paraqitur atë si një shtet islamist.
Kjo është shumë e dhimbshme, pasi disa individë, qoftë me vetëdije apo pa vetëdije, po bien në kurthin e historisë së keqe dhe po përfundojnë në “koshin e plehrave” të saj, duke lejuar që ide apo lëvizje të tilla të keqpërdoren për qëllime armiqësore ndaj Kosovës.
Të mos lejojmë që zhurma të mbulojë gjakun e dëshmorëve dhe të vërtetën e popullit tonë.
E ashtuquajtura “Lëvizja e Deçanit” do të mbetet një pikë e vogël në rreshtat e historisë një përçarëse dhe një episod i shkurtër, por i dhimbshëm, i disa personaliteteve.
Shqiptarët, as në të kalaruan, as tash e as në të ardhmen nuk do të i ndaj feja. Të gjithë jemi vëllezër dhe një komb i pandarë.
Krejt në fund, ketë analizë dua të përfundoj me mendimin së: të jesh historian është nder, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe, ngase mbi supe bart përgjegjësinë që brezave që do të vijnë t’u lihet e shkruar historia ashtu siç ka ndodhur, pa mitizime dhe pa shtrembërime, në mënyrë që brezat e rinj të kuptojnë se rruga jonë për shtet, pavarësi, liri e çlirim ka qenë e gjatë dhe e mundimshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit