Abdullah el-Hedlak
Titujt: al-Fatāwā al-Miṣriyyah, ar-Risālah al-Qubruṣiyyah, at-Tuḥfah al-ʿIrāqiyyah, ar-Risālah at-Tadmuriyyah, ar-Risālah al-Baʿlabakkiyyah, ar-Risālah al-Madaniyyah, al-ʿAqīdah al-Wāsiṭiyyah, ar-Risālah al-Baghdādiyyah, al-Fatwā al-Ḥamawiyyah al-Kubrā, al-Masāʾil al-Mārdīniyyah, ar-Risālah aṣ-Ṣafadiyyah — janë disa prej titujve të veprave të imamit hyjnor, Shejhut të Islamit Ibn Tejmije (Allahu qoftë i kënaqur me të, ia faltë dhe e mëshiroftë).
Nuk njihet, në mbarë historinë e Islamit, ndonjë dijetar tjetër veprat e të cilit të mbajnë në titujt e tyre emra vendesh në një masë të tillë sa i mbajnë veprat e këtij imami të madh. Kjo dëshmon për shtrirjen gjeografike të veprimtarisë së tij shkencore, për ndërveprimin e drejtpërdrejtë me realitete të ndryshme shoqërore dhe fetare, si dhe për përgjigjen e tij të menjëhershme ndaj çështjeve konkrete të komuniteteve të ndryshme islame. Për Allahun, sa i madh qe përkushtimi i tij ndaj dijes dhe sa i thellë ndikimi i tij mbi bashkëkohësit dhe mbi brezat pasues. Allahu e shpërbleftë Ebu’l-Abasin, nga ana jonë dhe nga ana e Islamit e pasuesve të tij, me shpërblimin më të mirë.
Një nga mirësitë e Allahut mbi trashëgiminë e Shejhut të Islamit Ibn Tejmije është se ajo nuk u ringjall si rezultat i një “zbulimi orientalistik”. Përkundrazi, ai që ia rizgjoi vëmendjen botës islame ndaj Ibn Tejmijes, duke ringjallur emrin dhe trashëgiminë e tij shkencore, ishte imami ripërtëritës Muhamed ibn Abd el-Uehab, së bashku me imamët e thirrjes nexhdase (Allahu i mëshiroftë dhe ua faltë).
Shejhu i Islamit Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) nuk u martua dhe nuk pati konkubinë, rrjedhimisht nuk pati pasardhës. Kunyja e tij ishte Ebu’l-Abbas, sipas zakonit të dijetarëve të hershëm, të cilët atij që quhej Ahmed i jepnin kunyjen Ebu’l-Abbas.
Që nga mosha pesëmbëdhjetëvjeçare jam marrë me studimin e trashëgimisë së Shejhut të Islamit Ibn Tejmije. Për vite me radhë kam përkushtuar përpjekje të vazhdueshme në gjurmimin e asaj që ai vetë shkroi dhe të asaj që u shkrua për të, në biblioteka publike, private dhe tregtare. Për përgatitjen e librit tim “el-Hādī ue’l-Hādhī – Ibn Tejmije, xhelati i urtësisë së kryqëzuar” kam shqyrtuar mbi njëqind vepra, disa prej tyre nga fushat më të vështira dhe më komplekse të dijes islame. E megjithatë, pasha Allahun, vazhdoj të ndihem si një fëmijë i vogël që luan me lopatën e tij përballë bregut të detit të këtij imami; ndërkohë që vjen dikush i cili, sikur ta ngarkoje të lexonte vetëm një faqe nga Darʾ Taʿāruḍ al-ʿAql ue’n-Naql, do të binte pa ndjenja, e pastaj do të pyeste me habi: “Po kush është Ibn Tejmije?!”
