10.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Analiza ekonomike e së drejtës – shpjegimi i fenomeneve juridike me konceptet ekonomike

Më të lexuarat

Nga Adrian Civici

Analiza ekonomike e së drejtës, apo “ligji nën optikën ekonomike” është një disiplinë relativisht e re që kërkon të shpjegojë fenomenet juridike falë metodave dhe koncepteve të shkencës ekonomike. Duke ndërthurur teorinë juridike me teorinë ekonomike, “Ligji dhe ekonomia” tenton ti shpjegojë “ndryshe” fenomenet klasike juridike.

Aktualisht, koncepti “analizë ekonomike e së drejtës” apo “Ekonomia e së drejtës” përfaqëson një profil të ri studimesh në fushën e së drejtës dhe ekonomisë, në të cilën “instrumentat e shkencës ekonomike përdoren për të analizuar fenoment me natyrë juridike. Analiza kosto-përfitim, kosto mesatare dhe marxhinale, të ardhurat dhe fitimi, parimi ndotës-pagues, efektet kolaterale, testet ekonometrike, etj., janë disa nga konceptet ekonomike që përdoren më shpesh në analizën e fenomeneve juridike në tërësi.

Shpesh, lidhja ndërmjet shkencës ekonomike dhe të drejtës, të çon automatikisht drejt konceptit të së “drejtës ekonomike apo financiare”, e cila përmbledh disa degë të së drejtës që kanë të bëjnë me rregullimin e aktiviteteve ekonomike apo financiare të tilla si e drejta bankare, e drejta e konkurrencës, e drejta tregëtare, etj., Por, analiza ekonomike e së drejtës është krejt ndryshe nga një konceptim i tillë. Ajo është një metodë që propozon “leximin e së drejtës me ndihmën e koncepteve të huazuara nga shkencat ekonomike”.

Të dy disiplinat, juridike dhe ekonomike, që prej një kohe të gjatë kanë qënë në “lidhje”me njëra-tjetrën. Përsa i përket sistemit juridik dhe atij politik, mjaft elemente të analizës ekonomike janë trajtuar nga ekonomia politike në një optikë specifike. Tematika e ndërlidhjes midis aspekteve juridike dhe atyre ekonomike gjendet në një numër të madh teorish e shkollash të mnendimit ekonomik: marksizmi, shkolla historike gjermane, shkolla e Frankfurtit, analiza klasike dhe neoklasike, shkolla institucionaliste dhe neo-institucionaliste, neokeynesianiste, etj.

Në një optikë më juridike, egzistojnë dhe një sërë lëvizjesh apo përpjekjesh që kërkojnë “një kuptim e përfshirje më të madhe të ekonomisë në sferën e së drejtës”. “Realizmi juridik” apo “Studime kritike juridike”, në fillimet e shek.XX-të, këmbëngulte në “nevojën e juristëve për të njohur më mirë funksionimin e tregjeve, mekanizmat e vlerës dhe fitimit, të ardhurave dhe inisiativës së lirë, konflikteve dhe hierarkinë ekonomike, raqportet e forcave ekonomike, etj.”

Shfaqjen serioze dhe imponuese në publik, ekonomia e së drejtës e bëri gjatë gjithë shek.XX-të, sidomos me punimet e John Rogers Commons dhe shkollës institucionaliste amerikane, e cila synonte të kuptonte se si sfera ekonomike dhe ajo juridike ndërthureshin dhe ndikonin reciprokisht te njëra-tjetra. Më vonë, në gjysmën e dytë të shek.XX-të, autorë të shquar si Ronald Coase dhe Guido Calabresi, trajtuan problematikën e eksternaliteteve duke hapur një perspektivë të re studimesh të përbashkëta ndërmjet juristëve dhe ekonomistëve, duke i hapur rrugën “analizës së re bashkëkohore të ekonomisë së të drejtës”.

Por, do të ishin disa teoricienë të shquar të shkollës së Cikagos dhe disa universiteteve të tjera prestigjoze amerikane, Richard Posner, Aaron Director,  Henry Manne dhe George Stigler, të cilët i dhanë një vizion të ri dhe zhvillim më bashkëkohor kësaj disipline : bëhej fjalë për të analizuar me ndihmën e instrumenteve mikroekonomike tradicionale, kryesisht analizës së prodhimit, kostos, fitimit dhe eficencës, të rregullave të së drejtës. Në këtë rast, nuk bëhet më fjalë thjesht dhe vetëm “kuptimi se si sfera ekonomike dhe ajo juridike influencojnë reciprokisht te njëra-tjetra, por, te analiza e prodhimit të rregullave të së drejtës dhe vendosjen e rregullave për një të drejtë optimale në një optikë të rregullave dhe logjikës ekonomike.

Në funksion të objektivave të saj kryesore, fushave të kërkimit dhe specializimit të ekonomistëve dhe juristëve, analiza ekonomike e së drejtës ndahet në dy degë apo drejtime themelore : analiza pozitiviste dhe ajo normative. Analiza ekonomike pozitiviste e së drejtës përdor instrumentet e analizës ekonomike për të përshkruar dhe interpretuar efektet e rregullave të së drejtës në sjelljen e aktorëve ekonomikë. Ndërsa, analiza ekonomike normative e së drejtës, bazuar në llogaritjen e eficencës, prodhon rekomandime për politika publike. Përcaktimi i saj më kryesor është ai “optimalitetit – Pareto” dhe kriterit Kaldor – Hick.

Si zhvillime më të fundit të analizës ekonomike të së drejtës konsiderohen përdorimi i teorisë së lojës, vënia në pikëpyetje e racionalitetit të agjentit ekonomik në bazë të mësimeve të psikologjisë kognitive, përdorim në rritje i ekonometrisë dhe statistikave në prodhimin e modeleve gjithnjë e më komplekse, zbatimi i parimeve të neuroekonomisë në analizën ekonomike të ligjit, etj.

Analiza ekonomike e ligjit është një shkollë apo metodologji kërkimi shumë e përhapur dhe vlerësuar në SHBA. Një numër i konsiderueshëm vendimesh të drejtësisë ju referohen koncepteve të huazuara nga shkenca ekonomike; një numër i madh universitetesh zhvillojnë programe e diplomojnë studentë në të tre ciklet në fushën e analizës ekonomike të së drejtës.

Në Europë, kjo rrymë apo shkollë ekonomiko-juridike u zhvillua në fillim të viteve 1980-të, fillimisht në Britaninë e Madhe, Hollandë dhe Gjermani, dhe më vonë u shtri edhe në shumë vende të tjera europiane. Tashmë, edhe “European Association of Law and Economics” është një institucion mjaft aktiv dhe i rëndësishëm në shtrirjen sa më të gjerë të kësaj disipline komplekse kudo në Europë.

Duke i dhënë çmimin Nobel në 1991 Ronald Coase, Komiteti Nobel bëri shumë për të promovuar qasjen ekonomike ndaj ligjit në qarqet akademike. Në zhvillimin e kësaj fushe kërkimore kanë kontribuar edhe laureatë të tjerë: George Stigler (1982) studioi burimet dhe efektet e rregullimit publik, James Buchanan (1986) u interesua për bazat kontraktuale dhe kushtetuese të procesit të vendimmarrjes politike. Gary Becker u shpërblye në vitin 1992 për zgjerimin e fushës së analizës mikroekonomike në një numër të madh sjelljesh jo të tregut, duke përfshirë sjelljen kriminale.

Kësaj liste duhet t’i shtojmë sigurisht edhe Friedrich Hayek, i vlerësuar në vitin 1974 dhe puna e të cilit ka ngjallur prej kohësh interesin e ekonomistëve dhe juristëve, por edhe William Vickrey apo James Mirrlees, fitues i çmimit Nobel në vitin 1996, kontributet e të cilëve në fushën juridike kanë qenë domethënëse.

Ekspertë të ndryshëm shohin në këtë qasje ndërdisiplinore një rizbulim të vonuar të interesit të ekonomistëve “klasikë” për lidhjet e ngushta që bashkojnë disiplinat që ndikojnë në organizimin e shoqërisë (filozofia, ligji, ekonomia, historia). Të përmendura shpesh në këtë drejtim janë veprat e Jeremy Bentham ose Cesare Beccaria në fund të shekullit të 18-të. Në traditën utilitare, llogaritja bentamiane dëshiron që një ligj të vlerësohet në lidhje me aftësinë e tij për të promovuar “lumturinë” e anëtarëve të shoqërisë, për të çliruar një tepricë kënaqësie. Nëse vërtet mund të perceptojmë një ndërlidhje intelektuale midis këtyre pararendësve dhe ithtarëve të analizës bashkëkohore, rezulton se kjo metodë sot hyn në teorinë mikroekonomike.

Richard Posner – Funksionet ekonomike të së drejtës

Richard Posner konsiderohet si “pionieri i analizës ekonomike të së drejtës”. Duke filluar që në vitin 1969 në gjirin e “National Bureau of the Economic Research”, Posner realizoi një seri kërkimesh me fokus “funksionet ekonomike të së drejtës”, mbi konceptet themelore të së drejtës kushtetuese dhe civile. Ai nuk hezitoi të përdorte parimet themelore të shkencës ekonomike për të “goditur” bazat tradicionale të së drejtës në SHBA, vecanërisht të drejtën e konkurrencës (Antitrust Law).  Posner kontestoi egzistencën e barrierave “të krijuara” për të hyrë në një treg të dhënë, gjë që favorizonte ndërrmarjet e tjera që vepronin në kuadrin e këtij tregu. Për shkollën e analizës të së drejtës, ky konstatim nuk ishte gjë tjetër vecse “reflektim i eficencës më të madhe që kishin ndërrmarjet egzistuese në këtë treg”. Për Posnerin, të vetmet pengesa që ka për të hyrë në një treg, janë ato që imponohen nga pushtetet publike nëpërmjet “masave të rregullimit të tregut”.

Me një këndvështrim krejt të ri për kohën, ai tregoi se “për të gjykuar për egzistencën apo mosegzistencën e konkurrencës nuk mjaftonte vetëm një fotografim i tregut në një moment të dhënë, por mbasi të kesh njohur të drejtën dhe lirinë e konkurrentëve të rinj për të hyrë në këtë treg dhe ofruar atje produktet apo shërbimet e tyre”.

Në këtë kuptim : monopoli nuk e përjashton konkurrencën. Sipas Posner, nëse në treg ka vetëm një ndërrmarje që e dominon atë, por nuk ka asnjë pengesë që ndërrmarje të tjera të hyjnë atje, kjo do të thotë se kjo ndërrmarje është e vetmja që i përgjigjet me eficencë kërkesave të këtij tregu.  Ai e shtriu studimin në shumë elemente të tjera të Common Law : kontratat, përgjegjësia kontraktore dhe jashtë-kontraktore, e drejta penale, konfliktet, arbitrazhet, etj. Teza e tij kryesore synonte të ilustronte eficencën e madhe të së drejtës bazuar në sistemin Common Laë, që nuk vinte nga natyra e së drejtës, por nga qëllimi i saj. Duke mbrojtur këtë tezë, Posner nënvizonte se sistemi gjyqësor anglo-sakson është eficent sepse gjykatësit amerikanë apo britanikë, ndryshe nga magjistratët europianë, kanë motive ekonomike direkte të lidhuara me ushtrimin e juridiksionit të tyre./fjale/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit