Ëndrra të këputura dhe dëshmi rrëqethëse nga makthi i shtypjes së protestave…
Me një bluzë të gjerë, duart në xhepa dhe një buzëqeshje spontane nën flokët e shpupuritur. Amir Ali Haydari, 17 vjeç, shfaqet kështu në një foto të bërë para se forcat e sigurisë të Ajatollahëve ta qëllonin në zemër dhe pak sekonda më vonë, koka t’i masakrohej nga goditjet me qytën e pistoletës.
Kur u vra më 8 janar, ai ndodhej në shesh në Kermanshah, në perëndim të Iranit, krah për krah me shokët e tij të klasës, një brez i bashkuar për të protestuar kundër qeverisë lirivrasëse të Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei. Fotografia, e cila po bëhet simbol i shtypjes së ashpër, i është dorëzuar medias britanike Sky News nga kushëriri i tij Diako, i cili jeton në Cardiff të Uellsit.
“U qëllua në zemër dhe ndërsa po jepte shpirt e goditën në kokë me qytën e pistoletës, aq shumë herë sa truri i tij u shpërnda përtokë”, tregoi ai duke cituar lajmet e marra nga familjarët in Iran.
Natyrisht, certifikata e vdekjes raporton një histori tjetër: në të thuhet se 17-vjeçari ka rënë nga një lartësi e madhe, duke goditur fort kokën. Ky është një rindërtim i ngjarjeve i përdorur nga Ajatollahët për qindra njerëz, mbase mijëra, të cilët që të gjithë etiketohen si “terroristë të manovruar nga agjentë të huaj”.
Videot e ditëve të fundit, të nxjerra nga vendi me gjithë bllokimin e internetit, tregojnë trupa të mbyllur në thasë të zinj, të grumbulluar në rrugë ose brenda spitaleve. Dëshmitë shtohen. Më 8 janar në Kermanshah, në protestë kishte shumë njerëz bashkë me Amirin.
Sky News nënvizon se në një filmim të asaj dite shihen policë me rroba civile duke frikësuar manifestuesit dhe duke qëlluar mbi ta nëpër rrugë. Sipas familjarëve të Amirit, shumë miq të adoleshentit mbetën të përfshirë në dhunë: “Dy janë në koma, shumë të tjerë janë vrarë. I kanë pushkatuar njëlloj si atë”, tregon kushëriri, duke shtuar se kur familja tërhoqi trupin, xhaxhai i Amirit foli për rreth 500 kufoma në spital.
“Iu desh ta identifikonte mes gjithë të tjerëve”, rrëfyen ata. Një torturë me të cilën janë përballur edhe të afërmit e Rubina Aminian, studentes 23-vjeçare të dizajnit të tekstilit dhe modës në kolegjin Shariati në Teheran, e vrarë pas shpine me një plumb në kokë, sikur të ishte një ekzekutim.
Familjarët e Rubinës, edhe ata me origjinë nga Kermanshah, u detyruan të shkonin në kryeqytet për të kërkuar trupin e vajzës, i cili ishte hedhur në formë tallëse pranë universitetit së bashku me qindra të tjerë, siç treguan nga OJQ-ja Iran Human Rights.
Të rinj, shpesh shumë të rinj. Të vrarë me gjakftohtësi, me trupat e tyre të poshtëruar dhe ëndrrat e thyera. Pothuajse gjithmonë në rresht të parë janë gratë, veçanërisht në kryeqytet, ku lëvizja feministe është e fortë dhe udhëheq protestat. Ata dalin në shesh për të kërkuar të drejtën e tyre për liri, për një të ardhme më të mirë. Dhe për këtë arsye janë shënjestra e preferuar e forcave të sigurisë.
Erfan Faraji, Yasin Mirzaei, Rubina Aminian. “Spoon River” (lista e të vdekurve) e OJQ-ve si Hengaw Organization for Human Rights është e tmerrshme. Një video tregon Rebin Moradin, një djalë kurd 17 vjeç, teksa kur ishte i vogël stërvitej në një fushë futbolli, i vetëm, duke bërë driblime me top.
Ishte një futbollist i ri i klubit Saipa dhe luante në Ligën Rinore të Teheranit. E qëlluan nga afër gjatë protestave në kryeqytet. Familja e tij mori konfirmimin e vdekjes vetëm të hënën, pas katër ditësh pa asnjë informacion. /tesheshi.com/
