Afërsia me Kur’anin

Më të lexuarat

Afërsia me Kur’anin qoftë duke e lexuar apo duke e dëgjuar është fryt i një parathënieje të çmuar: fillon me njohjen e Atij që e zbriti Kur’anin, me afrimin tek Ai me dëshirë dhe përulësi, me zemër të përunjur, me sy që lotojnë ose të paktën përpiqen të lotojnë, me pendim për mëkate të shumta, me dridhje e turp para Tij, me mendim të thellë dhe marrje mësimi.

Nëse ne shumëfishojmë (veprat), Allahu është më bujar në shumëfishimin (e mirësisë së Tij).

Ndër mënyrat më të çmuara të afërsisë me Kur’anin që hap në zemër derën e afërsisë me Allahun e Madhërishëm është se Kur’ani i mëson njerëzit për Zotin e tyre: nga Surja Fatiha e deri te Surja Nas.
Lexuesi që mediton e shijon ëmbëlsinë e afërsisë me Allahun sipas masës së pastërtisë së zemrës së tij, sipas nderimit që i kushton Atij, sipas frikës së Tij dhe kuptimit të fjalës së Tij.
Dhe pas kësaj afërsie, nuk ka afërsi më të madhe.

Kush e do pranverën e tokës, do të donte që i gjithë viti të ishte pranverë.
Por pranvera e tokës është e kufizuar në kohë;
pranvera e vërtetë është pranvera e jetës, pranvera e zemrave me Kur’anin burimi i jetës së zemrës dhe i qetësisë së saj.
Sa e sa ndryshe është pranvera që zbret nga qielli, nga ajo që lind prej dheut!
Prandaj kërkoje pranverën e zemrës sate në vetë zemrën tënde.

Një pyetje që duhet bërë, siç e bëri tabi’u Maliku ibn Dinar (Allahu e pastë mëshiruar) në shekullin e dytë të hixhretit:
“O mbartës të Kur’anit, çfarë ka mbjellë Kur’ani në zemrat tuaja?”
E ne, në shekullin e pesëmbëdhjetë të hixhretit, jemi më të nevojshëm për këtë pyetje sesa ata që jetuan në shekujt e parë, të cilët Profeti ﷺ i dëshmoi për mirësinë e tyre.
Pra, çfarë ka mbjellë Kur’ani në zemrat tona?

Afërsia me Allahun dhe me Fjalën e Tij nuk është një ndjenjë emocionale që vjen shpejt dhe ikën shpejt; kurrsesi jo.
Ajo është si një pemë e mbjellë e rrënjosur në zemër, e ujitur me çdo frymëmarrje nga pranvera e zemrave.
Kjo pemë jep dhe vazhdon të japë frytet e saj afërsi dhe bekim në çdo kohë, me lejen e Zotit të saj.

Gjëja e parë që duhet të kërkojmë nga mbjellja e Kur’anit në zemrat tona është:
njohja e Allahut, Mbretit absolut të të gjitha krijesave, Zotit të çdo bote dhe çdo mbretërie; Atij që veçon robërit me mirësitë e Tij të pamatshme, që i largon të këqijat dhe fatkeqësitë; Atij që ka sundimin dhe falënderimin në këtë botë dhe në tjetrën; që s’ka të ngjashëm në urtësinë e Tij e as të barabartë në mëshirën e Tij.

Nga ajo që duhet të mbjellë Kur’ani në zemrat tona që të gëzojmë afërsinë dhe butësinë e Allahut të Gjithmëshirshëm është: forca e besimit dhe bindjes, qëndrueshmëria dhe fuqizimi, drita e shikimit të brendshëm dhe dallimit të së drejtës nga e kota, morali i mirë, edukata në fshehtësi dhe në dukje, ruajtja nga errësira e dyshimeve dhe e pasioneve, dhe nga shtytjet e shejtanit.

Ndër më të vlefshmet që mbjell shoqërimi me Kur’anin në zemra është se e bën Kur’anin ushqim dhe shërim për to.
Zemrat janë enë që ushqehen me Kur’anin, derisa bëhen të palëkundura, të sigurta, që nuk i trondisin dëshirat as sprovat, as nuk i zbut vështirësia e sprovave.
Kur’ani është për to edhe ilaç, edhe shërim për brengat që mbledhin gjoksat.

Ai që e ka zemrën të çmuar, nuk lejon të mbillet në të veçse ajo që e gjallëron dhe e lumturon.
Pranvera e zemrave është më e lartë dhe më fisnike se pranvera e tokës.

Pasha Allahun, nuk ka lexuar ndonjë rob Kur’anin duke kërkuar gjallërinë e zemrës dhe tregtinë me Zotin e tij, veçse ka fituar fitimin më të madh fitim që nuk e tejkalon asgjë dhe ka shijuar ëmbëlsinë e afërsisë me Allahun, afërsi që nuk ka të ngjashme me asgjë tjetër.

✍️ Dr. Wafaa Ali al-Hamdan

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit