22 C
Pristina
Saturday, May 25, 2024

A njeh ndokënd?

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

A njeh ndokënd?

Po, njoh veten time e cila lindi si një foshnje dhe u prit nga dy duar të dhembshura. Të shumtë ishin ata që kishin pritshmëri rreth foshnjës së porsalindur. Sakaq, vetja ime, asokohe nuk kuptonte asgjë nga ato që thuheshin. Maksimalisht, mund tu komunikoja një të qarë, apo një buzëqeshje. Ime më, dëshironte që unë të qëndroja mbi çdo gjë të ligë dhe banale. Ajo dëshironte të më shihte krenar, që të thuhej se isha edukuar dhe rritur me gjithë të mirat.
Fillova të rritem dhe ti shoh gjërat me qartësi, filluan të rriten dhe qartësohen edhe ëndrrat e mia. Herë doja një lodër të vogël, e herë të tjera, më rriteshin ëndrrat dhe doja të marr diçka që sapo ra në tokë, e cila më dukej si ëmbëlsirë. Fillova të rritem dhe të shqiptoj fjalët babi e mami. Të pranishmit qeshnin, kurse ime më u thoshte se tashmë emri i saj filloi të shqiptohej prej meje.  Një ditë, vetja ime mbante librat rrugës për në shkollë, për të mësuar dijet e jetës, ku filloi ëndrra e madhe të hedhë hapin e parë, shqiptoi a,b,c-në. Filloi të flasë rrjedhshëm, të bëjë llogaritë matematikore, të përdorë të gjitha shqisat. Asokohe, “Uni” kishte hedhur hapin e parë drejt Sulejmanit, në të cilin donte të më shihte im atë.
 E kalova filloren i fiksuar pas ëndrrës për tu bërë pilot. Të gjithë, kur më pyesnin se çfarë do të bëhem në të ardhmen, përgjigjesha gjithë qejf “pilot”, shoqëruar me një buzëqeshje plot krenari dhe entuziazëm. Asnjëherë nuk më kishte vajtur në mendje, se kapari i kësaj ëndrre, një ditë, do të jetë pyetja drejtuar një personi indiferent:”A njeh ndokënd?”
U nisa gjithë shpresë, dëshira të zjarrta dhe përpjekje pafund. Me përfundimin e etapave shkollore, ëndrra bëhej çdo ditë e më e afërt dhe më e realizueshme. Kur iu afrova hapit më të rëndësishëm para realizimit të ëndrrës, ndërkohë që përpjekjet ishin maksimale, me vete mendoja:”Jam shumë afër!” E hodha dhe hapin para realizimit të ëndrrës dhe kur fillova të bëj çmos për procedurat e fundit, dikush më tha:”A njeh ndokënd, i cili ti rregullon gjërat për të studiuar jashtë?”
“Jo” u përgjigja unë.
“Atëherë zgjidh çfarëdo profili tjetër dhe shtrëngo rripin!” më tha.
E ndala ëndrrën time të madhe dhe i thashë:”Një ditë, ditë do të realizohesh. Po, do të realizohesh, atëherë kur shpresa tek Zoti të jetë e madhe dhe e palëkundur.” Tashmë, në vend të një ëndrre dikur, kam dy syresh, një ëndërr pas të cilës rend aktualisht dhe një tjetër, pas të cilës do të rend më vonë.
Gjatë muajit të Ramazanit, ime bijë hyri në koma. Ato çaste, ndjeva se distanca mes jetës dhe vdekjes ishte vetëm disa sekonda. U telefonoja numrave të ndryshëm, por askush nuk përgjigjej. Isha i detyruar, pavarësisht dëshirës time, që tu them se “Unë jam Selman Aude”, me shpresë se dikush do të kujtohej dhe do të reagonte pozitivisht me këtë emër.
Vlera e vërtetë e njeriut, shpaloset kur përballet dhe konfrontohet me problemet sociale, kur përballet guri i çmuar me baltën, invalidët me të fuqishmin plot shëndet.
Në ato shtete, ku drejtësia është thjeshtë një panoramë e varur mbi mur, ku shkruhet “Të gjithë para ligjit jemi të barabartë”, ku dokumentet nënshkruhen nga telefonata e filan zyrtari të lartë, nuk ke çfarë  bën tjetër, veçse të nxjerrësh nga fjalori shprehjen:”A njeh ndokënd?”
Në institucionin e arsimit, i cili financohet nga vetë taksapaguesit dhe buxheti i shtetit, yt bir dhe jot bijë, nuk mund të gjejë një shkollë dhe bankë të përshtatshme, veçse pasi të kesh përdorur “A njeh ndokënd?”
Ai u çirret në fytyrë njerëzve të thjeshtë:”Respektoni radhën!”, por pas tij qëndron një derë tjetër, nga e cila ofrohet buzëqeshje, nuhaten parfume të shtrenjta dhe ku të thuhet:”Pa problem, çështja juaj do të zgjidhet sa më shpejt.”
Në një mjedis ku dikujt i shtrohet rruga me trëndafila, vetëm se mban në dorë një letër rekomandim nga “i madhi” dhe privon dikë tjetër që ka gjithë jetën që ngjit shkallët nga poshtë lart, duke skalitur shkëmbin, do i thyhet shkalla këtij të shkretit.
Në një mjedis ku nevojat e tua themeltare, bëhen pjesë e ëndrrës, je i detyruar të pyesësh:”A njeh ndokënd?”
Filan institucion arsimor, ka hapur dyert për “të gjithë” dhe të gjithë, nga të katër anët turren për tu regjistruar. Në fund, ato pak karrige janë të rezervuara për zyrtarin më të lartë e deri tek zyrtaruci më i vogël. Sakaq, ai që është rraskapitur në trafik, kushte ekonomike të rënda dhe status social të ulët, duhet të kërkojë për ndonjë fije shprese tjetër.
Në shoqërinë tonë, celulari, sado i shtrenjtë të jetë, merr vlerë vetëm nga emrat e zyrtarëve të lartë që mban të regjistruar.
A njeh ndokënd?
Ka vite që unë kam këtë vend pune në pritje për të një ngritje profesionale. Kurse ata që kanë ardhur pas meje, më kanë shndërruar në një urë, mbi të cilën kalojnë dhe bëjnë karrierë.
A njeh ndokënd? Është pyetja e cila u jep vlerë viteve larg vendit tim, vite plot rropatje, të kaluara në studime për të marrë diplomën që mbaj.
A njeh ndokënd? Është mënyra e vetme për të hequr qafe dosjet e shumta të grumbulluara në gjykatë, është mënyra e vetme për ti dhënë fund këtij stresi.
A njeh ndokënd? Vetëm kështu mund të fluturosh edhe pa pasur rezervuar më parë, duke ua shtyrë udhëtimin atyre që nuk kanë të njohur.
A njeh ndokënd? Vetëm kështu mund ti mbulosh gropat e lagjes të mbushura plot baltë e ujë fekalesh.
A njeh ndokënd? Vetëm kështu mund të takohesh me “të madhin”.
A njeh ndokënd? Vetëm kështu mund të heqësh pluhurin e dosjes tënde në arshiva.
A njeh ndokënd? Vetëm kështu mund ta shndërrosh ëndrrën në realitet dhe jo realitetin në ëndërr.
A njeh ndokënd, i cili mund të më sigurojë një vend, ku nuk kam nevojë për të njohur ndokënd?
O Zot i madh! Nëse të njoh Ty, nuk më lipset të njoh askënd tjetër.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit