7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

A mund ta zgjidhin problemin e veriut ata që e krijuan?

Më të lexuarat

Neglizhenca, pafuqia dhe paaftësia e qeverive të Kosovës, mungesa e vullnetit politik të NATO-s dhe amatorizmi i UNMIK-ut e i EULEX-it janë faktorët që krijuan situatën e sotme në veri të Kosovës të jetë e tillë. A mund të pritet që ata të cilët e krijuan këtë situatë tash ta gjejnë edhe rrugëdaljen nga ajo
Lufta me nervat e qytetarëve të veriut të Kosovës, edhe serbë edhe shqiptarë, por edhe lufta me nervat e të gjithë qytetarëve të Kosovës do të vazhdojë edhe në ditët, javët dhe muajt që vijnë. Veriu i Kosovës tash e 13 vjet vazhdon të jetë jostabil, me mungesë të lirisë së lëvizjes, me mungesë të sundimit të ligjit dhe me një kaos të vërtetë të ndarjes së përgjegjësive. Situata është e tillë jo për shkaqe politike, të cilat datojnë nga koha e Konferencës së Rambouillettit. Serbët që atëherë kishin një plan që, nëse nuk mund ta ruajnë Kosovën si pjesë të Serbisë, të shkojnë në variantin rezervë, atë të ndarjes territoriale të Kosovës. Anarkia që u krijua në Kosovë pas hyrjes së NATO-s, ndasitë në mes të faktorit politik kosovar, marrja e bashkësisë ndërkombëtare me vetveten, krijuan një situatë të mirë për Serbinë që të koncentrojë më shukmë serbë në atë pjesë të Kosovës, përfshirë edhe serbë që vinin nga pjesë të tjera të Kosovës, qoftë nga frika, nga dëbimi apo edhe të organizuar. Më pas u dëbuan shqiptarët në numër të madh nga ajo pjesë. Edhe UNMIK-u, edhe EULEX-i pas tij e edhe NATO-ja dhanë kontribut të madh që veriu i Kosovës të jetë gjithmonë i trajtuar ndryshe. Qeveritë e ndryshme të Kosovës radhazi e neglizhuan problemin e veriut. Nuk është fjala për neglizhim në aspektin ushtarak, sepse Kosova nuk ka pasur asnjëherë forcë që të shtrijë me forcë autoritetin atje. Por është fjala më shumë për neglizhencë politike, ekonomike dhe sociale. Përpos në mënyrë folklorike pakkush është marrë seriozisht me problemin e veriut. NATO-ja, si forca e vetme konkrete në Kosovë, edhe sot e 13 vjet nuk ka bërë asgjë pos që ka ndihmuar në krijimin e konfliktit të ngrirë, duke ndihmuar në „ndarjen e palëve“. UNMIK-u, siç shihet tash edhe nga paraqitjen dhe qëndrimet e personave të cilët punuan për këtë mision në veri, ka ndihmuar pa asnjë rezervë strukturat paralele atje. EULEX-i kur erdhi, me qëndrimet se „nuk do të bëjmë asgjë që nuk është e pranueshme për popullatën lokale“ dhe se „nuk do të bëjmë invadim në veri“ stimuluan edhe më shumë strukturat paralele dhe Beogradin që ta mbajnë nën kontroll atë pjesë të Kosovës. Dhe tash kemi situatën që kemi; plot incidente, pasiguri, probleme dhe tensione. Qytetarët vuajnë dhe kanë ardhur në situatë të mjerueshme saqë të mendojnë të vetorganizohen për të mbrojtur pragun e tyre. Pamjet e civilëve të armatosur që vetorganizohen për të mbrojtur pragun janë pamje të cilat kemi menduar se nuk do t’i shohim më në këto troje, sidomos jo pasi nëpër Kosovë kanë parakaluar me qindra e mija ushtarë të NATO-s, me dhjetëra e mijëra policë të UNMIK-ut dhe EULEX-it, me qindra gjykatës, hetues e prokurorë ndërkombëtarë, janë shpenzuar me miliarda euro, janë bërë me dhjetëra dialogë dhe konferenca dhe janë angazhuar shumë ndërmjetës e përfaqësues të posaçëm, janë hapur zyra. E rezultati është një zonë pa ligj. Një „no mans land“ (tokë e askujt), nëse nuk dëshirojmë të pranojmë faktin se ajo pjesë e Kosovës de facto është vërtet pjesë e menaxhuar më shumë nga Serbia sesa ndokush tjetër.

Asnjëherë nuk ka pasur përpjekje të sinqerta që të gjendet një zgjidhje për situatën në veri. Çfarëdo që është bërë ka shkuar në favor të interesit të Serbisë që atje të ruhet „realiteti në terren“ dhe ky realitet, sipas leximit të Serbisë dhe të një pjese të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare duhet të shihet si fakt që popullata e atjeshme nuk pranon të jetë e administruar nga Prishtina. Prandaj, Serbia, përmes mekanizmave të saj në veri, dhe lirisë që i është dhënë policisë së Republikës së saj për të vepruar me vite në atë pjesë të Kosovës, me sukses po e mban këtë „realitet në terren“ në mënyrë që të sigurojë një pozicion të favorshëm në prag të nisjes së negociatave për veriun.

Neglizhenca, pafuqia dhe paaftësia e qeverive të Kosovës, mungesa e vullnetit politik të NATO-s dhe amatorizmi i UNMIK-ut e EULEX-it janë faktorët që krijuan situatën e sotme në veri të Kosovës të jetë e tillë. A mund të pritet që ata të cilët e krijuan këtë situatë tash ta gjejnë edhe rrugëdaljen nga ajo. Po, nëse do të ketë një qasje të sinqertë dhe të vendosur. Mund të gjendet zgjidhja nëse politikanët e Kosovës nuk e përdorin politikën ndaj veriut vetëm si vegël për të rritur mbështetjen për veten e tyre dhe për të përmirësuar imazhin dhe vërtet punojnë që të gjendet një zgjidhje afatgjatë. Zgjidhja mund të gjendet po ashtu vetëm nëse edhe bashkësia ndërkombëtare e bën të qartë, pa marrë parasysh pasojat që mund të jenë për politikanët e favorizuar të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë dhe Beograd, se nuk mund të ketë as ndarje të Kosovës e as shfrytëzim të veriut më për kontrabandë dhe krim të organizuar. Por problemi qëndron në faktin se asnjëra palë në këtë çështje nuk e ka ndërgjegjen krejtësisht të pastër dhe secila palë ka bërë gabime. Prandaj, edhe mbetet skepticizmi se mund të gjendet ndonjë zgjidhje e shpejtë. Në pozitë më të vështirë janë megjithatë qytetarët të cilat tash duhet të kenë kujdes që të mos bëhen viktima të lojërave politike. E kaluara na mëson se edhe tensionimet që duken në pamje të parë spontane mund të shkojnë në favor të imponimit të një zgjidhjeje të vështirë politike.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit