16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

A lejohet t’i jepet sadaka një njeriu që konsumon alkool?

Më të lexuarat

Pyetje:

A lejohet t’i jepet sadaka një njeriu që konsumon alkool?

***

Përgjigje:

Të gjithë njerëzit kanë gabime, shumica e tyre kanë vese të ndryshme, kush më shumë e kush më pak dhe nga të gjithë këta njerëz përbëhet shoqëria, e cila është e shëndoshë apo e degraduar në varësi të dominimit të vlerave kundrejt veseve ose anasjelltas. Nga kjo kuptojmë, se është vështirë të gjesh njerëz nevojtarë për t’i ndihmuar, e ata të mos kenë gabime dhe vese, përfshi këtu dhe konsumimin e pijeve alkoolike, lëndëve narkotike etj. Madje në vendin dhe shoqërinë ku jetojmë është lehtë të konstatosh e të dallosh pijanecët nga konsumuesit normalë. Në këto rrethana, kur këta njerëz kanë nevojë ata duhen ndihmuar për nevojat e tyre jetike, dhe për problemet dhe hallet në jetën e përditshme, por jo nëse sadakaja shkon në ndihmë të veseve dhe gjynaheve të tyre, sepse Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Ndihmohuni mes vete në të mira dhe devotshmëri dhe mos u ndihmoni në gjynahe dhe armiqësi!” (Maide 2).

Për heqjen e përgjegjësisë, që sadakaja të mos shkojë për qëllime të gabuara duhet të plotësohen dy kushte:

1) Nevojtari që konsumon alkool ose është i varur nga vese të tjera t’i bëhet e qartë, që sadakaja duhet përdorur vetëm për nevojat jetike që ka.

2) Të jetë njeri i rregullt dhe i besueshëm, kur t’i bëhet e ditur destinacioni i sadakasë ta mbajë fjalën dhe ta përdorë për ato nevoja për të cilat orientohet.

Në rastet kur nuk kemi garanci nga nevojtari dhe kemi frikë se mund t’i shpenzojë dëm, ose në gjëra të ndaluara, dhe nuk i përdor sipas porosisë dhe nevojave që ka, atëherë të ngarkohet dikush që me ato të holla t’ia përmbushë nevojat që ka (ushqime, veshmbathje, ilaçe, shlyerje e borxheve etj,) pa i dhënë të holla në dorë.

Komisioni i studimeve dhe fetvave pranë LHSH

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit