10.8 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

A ka inkurajim për përballim të sprovave?

Më të lexuarat

Pyetje:
Cili është vendimi mbi mospranimin e së keqes? A është kjo vetëm një formë e
durimit ndaj fatkeqësisë? Si është puna e vërtetësisë së haditheve që inkurajojnë durim
në kohëra të vështira?

***

Përgjigje:

Nuk është qëndrim i lëvdueshëm të durosh të keqen pa e ndaluar atë. Është obligim ta dënosh të keqen, kurdo që të shfaqet, nëpërmjet dorës, dmth me largim fizik,
nëpërmjet gjuhës, dmth duke folur kundër saj, apo nëpërmjet zemrës, dmth duke mos e
pëlqyer atë, sipas mundësisë. Allahu i lartësuar thotë:

« Besimtarët – burrat e gratë – janë eulija [ndihmues, përkrahës, shokë] të
njëri-tjetrit. Ata urdhërojnë për el-Ma’ruf [monoteizëm islamik dhe krejt çka
Islami urdhëron] dhe i ndalojnë nga el-Munker [idhujtaria dhe mosbesimi it ë
gjitha llojeve si krejt çka Islami ka ndaluar] »

Kështu, krejt muslimanët duhet ta dënojnë të keqen, kurdo që të përballen me të, qoftë
në shtëpi, qoftë në udhë, etj. Ata s’bën ta tolerojnë të keqen aspak.
Sa i përket hadithit për vlerën e durimit në kohëra të vështira, ato janë shumë. Për
shembull, Pejgamberi ﷺ tha: “Pejgamberët përjetojnë fatkeqësitë më të mëdha në këtë botë, pastaj njerëzit e drejtë dhe ata që janë të ngjashëm me ta”.
Ky është hadith i vërtetë. Dhe Pejgamberi ﷺ po ashtu, ka thënë: “E çuditshme është gjendja e besimtarit! Në çdo gjendje të tijën ka mirësi dhe, përveç për besimtarin, kështu s’qëndron puna për askënd tjetër. Nëse ai ndjen kënaqësi, e falënderon Allahun dhe kështu kjo është mirë për të. Nëse pëson ndonjë dëm, ai duron dhe kjo është mirë për të”. [Muslim]

Allahu i lartësuar thotë në Librin e Tij:
« Me siguri, Ne do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, nga uria, nga humbja e pasurisë, e jetëve dhe e frutave, por përgëzoji të durueshmit, të cilët, kur dëmtohen, thonë: ’Vërtet, të Allahu jemi dhe Atij do t’i kthehemi’. Të këtillët kanë salavate [dmth bekime dhe janë të falur] nga Zoti i tyre dhe do të pranojnë mëshirën e Tij, dhe të këtillët janë të udhëzuar »

Allahu, më i larti, thotë:
« Vetëm të durueshmit do ta pranojnë të plotë dhe pa llogari shpërblimin e
tyre »

Vërtet, ka shumë ajete dhe hadithe lidhur me këtë. Allahu na bëftë të gjithëve nga ata që
durojnë. Ai është Fisnik, Dashamir. Po ashtu, është transmetuar se Pejgamberi
ﷺ ka thënë: “Besimtari dhe besimtarja do të vazhdojnë të dëmtohen në trupin e tyre, në pronë a në fëmijë, derisa ta takojnë Allahun si të pamëkatë”. [Ahmed në Musned nga Ebu Hurejre]

Kush sëmuret, është i mallkuar?!
Disa mendojnë se ata që sëmuren, janë të mallkuar. Kjo s’është e vërtetë, sepse Allahu i
lartësuar mund ta dëmtojë më sëmundje dikë që është i dashur për Të, si pejgamberët,
njerëzit e drejtë dhe kështu me radhë. Tashmë u përmend se “Pejgamberët përjetojnë
fatkeqësitë më të mëdha në këtë botë …” Kështu ishte rasti i vetë pejgamberit Muhamed
ﷺ në Mekë, në ditën e Uhudit, në betejën e Ahzabit dhe gjatë
vdekjes së tij. Ngjashëm, kështu ishte rasti dhe me pejgamberin Ejub [alejhi selam] si dhe
me pejgamberin Junus [alejhi selam]. Kjo ua ngrit gradat atyre dhe ua shton
shpërblimin. Këto janë shembuj të mirë për njerëzit që dëmtohen.

Një njeri mund të sprovohet me mirëqenie, si me pasuri, me gra e me fëmijë dhe kështu
me radhë. Ndaj, ai s’duhet të mendojë së është i dashur për Allahun, përveç nëse është
plotësisht i bindur. Vetëm atëherë mirësitë e kësaj bote mund të jenë shenjë e dashurisë
ndaj tij. Por, kjo s’është mundësia e vetme, sepse dashuria dhe mospëlqimi dallojnë sipas
gjendjeve të ndryshme. Është evidente që mirësitë si fëmijët, paratë e pozita nuk janë
dëshmi për dashurinë e Allahut.

Vërtet, vetëm veprat e mira, devotshmëria, pendimi dhe respektimi i fesë mund ta
afrojnë personin te Allahu i lartësuar. Sa më shumë që personi të ketë këso
karakteristika, aq më i dashur është për Allahun.

Qe transmetuar se i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu u jep gjërat e kësaj bote atyre që i do si dhe atyre që nuk i do. Por, Ai u jep fenë dhe besimin vetëm atyre që i do. Pra, atij qe i jepet feja nga Allahu, ai është i dashur për Të”.

Kështu, kushdo që dëmtohet me mosbesim dhe me gjynahe, ai nuk pëlqehet nga Allahu
në disa raste. Mirëpo, dëmtimi mund të jetë mënyrë për ta çuar atë në shkatërrim në po
të njëjtën mënyrë siç mirësia mund të jetë mënyrë për te e keqja dhe humbja. Allahu i
lartësuar thotë:

“Ne do t’i kapim gradualisht me dënim në mënyrën që ata s’e kuptojnë »

« Dhe jepu afat atyre, se vërtet që plani im është i fuqishëm »

Është transmetuar se pejgamberi ﷺ tha:
“Kur sheh që Allahu ia plotëson dëshirat një robi ndërsa ai e kundërshton Atë,
dije që ai person gradualisht po çohet në humbje”. Pastaj pejgamberi lexoi:
« Kështu, kur ata e harruan atë me çka këshilloheshin, Ne ua çelëm portat e
çdo kënaqësie, derisa i kapëm [me dënim] në kulmin e kënaqësisë së tyre që
Ne u dhamë. Dhe ata u zhytën në shkatërrim me pendim dhe dhimbje të
madhe »,
D.m.th. ata humbën shpresën për çdo të mirë. Allahu na shpëtoftë!

Allahu i lartësuar thotë:
« A mendojnë ata që me pasurinë dhe me fëmijët me të cilët Ne i zgjerojmë ata
po ngutemi t’u ofrojmë të mira atyre? Kurrsesi! [Kjo është vetëm një sprovë në
jetën e kësaj bote, që ata të mos kenë hise në të mirat e ahiretit] Por ata s’po e
kuptojnë këtë » [Tefsir el-Kurtubij]

Allahu, më i larti, mund t’i dëmtojë disa njerëz me sëmundje për ndonjë urtësi të
caktuar. Për shembull, për ngritjen e gradave të tyre dhe shlyerjen e gjynaheve, jo për
shkak se nuk i do ata.

Fetaua Ibn Baz, vëll.7, faqe 146-148

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit