A ka apo jo shenja autentike për Natën e Kadrit?

Më të lexuarat

Çdo vit në muajin e Ramazanit, myslimanët përpiqen me përkushtim në adhurim për të arritur begatitë dhe shpërblimet e këtij muaji të bekuar, mes të cilave është edhe shpërblimi i Natës së Kadrit – një natë më e mirë se një mijë muaj. Për këtë arsye, përkushtimi shtohet sidomos në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, në kërkim të kësaj nate të veçantë.

Nga disa transmetime autentike mësohet se Lejletul-Kadr gjendet në dhjetë netët e fundit, por pa përcaktim të saktë të natës së saktë. Ekzistojnë gjithashtu disa transmetime që përmendin shenja që e karakterizojnë atë natë. Mirëpo, sa të besueshme janë këto transmetime?

Hadithologu ‘Ammār Aḥmad ka hulumtuar të gjitha transmetimet në dispozicion lidhur me këtë temë dhe ka arritur në këto përfundime:

1. Janë përmendur gjithsej 12 shenja që supozohet se tregojnë për Natën e Kadrit: nata është e qetë, e pastër, as e ftohtë as e nxehtë, pa re, pa erë dhe pa shi, nuk shihen yje që bien, dielli lind pa rreze, nuk dëgjohen lehje qensh etj.

2. Asnjë nga transmetimet që përmendin këto shenja nuk është i saktë (autentik) nga Profeti (paqja qoftë mbi të). Të gjitha zinxhirët e transmetimit janë të dobët.

3. Disa dijetarë kanë përmendur edhe shenja të tjera si: përkulja e pemëve, ndriçime të forta, uji i kripur që bëhet i ëmbël etj. Mirëpo, nuk ka dëshmi të vlefshme nga burimet islame për këto pretendime.

4. Disa nga këto shenja bien ndesh me realitetin, si për shembull: nata është gjithmonë me temperaturë të moderuar, nuk ka lehje qensh, apo që qielli nuk ka re – apo që uji i kripur bëhet i ëmbël.

5. E vetmja shenjë që vjen me një zinxhir transmetimi që mund të konsiderohet në përgjithësi autentik, është ajo që dielli në mëngjes del pa rreze. Por, pas analizës më të thellë, del se kjo nuk është thënie e Profetit, por e një pasuesi (tabi’in) të quajtur Zirr b. Hubaish.

6. Edhe nëse e pranojmë që kjo shenjë është thënë nga Profeti, atëherë ajo vlen vetëm për vitin në të cilin ai e ka përmendur, ashtu siç ndodhi kur ai bëri sexhde në baltë pas shiut – një ngjarje që nuk përsëritet çdo vit.

7. Dielli që lind pa rreze është diçka që ndodh për arsye klimatike dhe ndryshon sipas vendeve, prandaj nuk mund të merret si shenjë e përhershme e Natës së Kadrit.

8. Kjo shenjë (dielli pa rreze) nuk është ndonjë fenomen i jashtëzakonshëm që e dallon këtë natë nga të tjerat, sepse ndodh edhe në net të tjera gjatë vitit.

9. Nuk ka transmetime nga dijetarët e mëdhenj të gjeneratave të para që këto shenja t’i kenë konsideruar me rëndësi të veçantë. Ka disa transmetime të dobëta që tregojnë se disa dijetarë të Basrës dhe Kufës i kanë vërejtur këto shenja, por edhe këto janë të dyshimta.

10. Ligjvënësi (Allahu dhe Profeti i Tij) nuk e ka bërë të mundur për njerëzit që ta dinë me siguri se cila është nata e Kadrit, në mënyrë që ata të përpiqen me adhurim në të gjitha dhjetë netët. Kjo urtësi do të humbiste nëse do të ekzistonte një shenjë e qartë, pasi njerëzit do të tregonin neglizhencë në netët e tjera.

11. Ligjvënësi ka urdhëruar që nata e Kadrit të “kërkohet” në dhjetë netët e fundit me adhurim, por nuk e ka treguar se cila është ajo.

Dhe Allahu e di më së miri.

Muhamed Ziberi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit