Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar në New-York, se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, pasi konsideron se çështja e statusit të Kosovës nuk është zgjidhur.
Daçiç ka thënë se, duhet kërkuar zgjidhje e drejtë, që do të jetë në interes të serbëve e shqiptarëve, ka kumtuar sot Qeveria e Serbisë, njofton Beta e Beogradit.
“Për ne është e palejueshme, e për këtë kemi edhe përkrahjen e Federatës (së Rusisë), që anëtarësimi në OKB të zgjidhet me marrëveshje pjesore”, ka thënë Daçiç gjatë bisedës me shefin e misionit rus në OKB, Vitalij Çurkinin.
Daçiç ka thënë se, Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e vet, kur bëhet fjalë për OKB-në. Ai ka shtuar se Serbisë për zgjidhjen e problemit të Kosovës i nevojitet përkrahja e Rusisë, e Kinës dhe të vendeve të tjera të mëdha.
“E falënderojmë Rusinë në përkrahjen që na e jep. Federata e Rusisë përkrah Serbinë me qëllim zgjidhjen e drejtë dhe një paqe afatgjatë në rajon e në veçanti për ekzistencën e serbëve. Është dënuar çdo keqpërdorim i misioneve ndërkombëtare, që çon në përforcim të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Daçiç./albtime/kohaislame