1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Zaev për AA: Gjatë këtij muaji do të ketë qeveri, qytetarët nuk duan konflikt

Më të lexuarat

Kryetari i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) deklaroi se pret që gjatë këtij muaji Maqedonia të ketë qeveri të re dhe porositi se qytetarët në Maqedoninë multietnike nuk duan konflikte, por përmirësim të cilësisë së jetës në vend.

Zaev, incidentin e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë e vlerëson si ngjarje të pahijshme e cila nuk dëshiron të përsëritet as në Maqedoni dhe në asnjë vend tjetër në botë, pasi që siç thotë ai, tempulli i demokracisë është Kuvendi dhe deputetët janë zgjedhur nga qytetarët të cilët edhe i përfaqësojnë. Ai thekson se të gjithë personat që ishin objektiv dhe punonjësit e medias kanë përjetuar trauma.

“Lëndimet ishin serioze. Unë e cilësova si ‘përpjekje për vrasje me paramendim’, sepse kemi qenë të gjithë të rinj, kemi hasur në situata të vështira si të rinj dhe gjak nxehtë, e dimë çfarë është grindje. Mirëpo, kjo ishte ‘përpjekje për vrasje me paramendim’ dhe me të vërtetë ndihem me fat që nuk ka jetë të humbur. Jam i lumtur që nuk ka as pasoja shqetësuese tek kolegët deputetë dhe tek gazetarët të cilët ishim bashkë aty”, deklaroi Zaev.

Kreu i LSDM-së thekson se për incidentin në fjalë ka dëshmi edhe në publik dhe se deputetët e oponentit politik të tij, VMRO-DPMNE-së, kanë hapur dyert e Kuvendit të cilat janë të sigurara me profile çeliku që të mos mund të hapen nga jashtë. Zaev beson se incidentet e dhunshme të 27 prillit dërguan një mesazh serioz tek të gjithë që asnjëherë të mos mendojnë që në hapa dhe aktivitete të këtilla të bëhet diçka.

“Ata (deputetët) tërhiqen nga ana e brendshme. I dimë me emër dhe mbiemër kolegët tanë deputetë të cilët e bënë atë, gjë e cila tregon se sa ishte e paramenduar dhe dakorduar. Pjesa tjetër e deputetëve dhanë udhëzime që t’i gjejnë gazetarët dhe deputetët të cilët ishin në Press Qendrën, për arsye se vështirë arrihet deri aty”, shpjegon Zaev.

Në lidhje me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së të cilët theksojnë se zgjedhja e kryeparlamentarit Talat Xhaferi në atë mënyrë është skenar dhe nuk është legjitim, Zaev thekson se që nga pavarësia e Maqedonisë e deri më tani çdo herë kur është zgjedhur kryeparlamentari pas zgjedhjeve, procedura ka zgjatur nga një orë deri në më së shumti pesë orë.

Sipas tij, partia e tij në mbështetje të partive shqiptare kanë formuar shumicën parlamentare dhe lejuan që procedura të zgjasë pesë javë të plota, por kjo vonesë siç thotë ai, nuk është në të mirë të shtetit, pasi qytetarët kërkojnë subvencionet, ndihmat sociale, pagat, pensionet etj. Prandaj, thotë Zaev, morën vendim që në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores të veprojnë për zgjidhjen e kryeparlamentarit.

“Dëshmi konkrete se gjithçka është në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit është prania e tyre në Kuvend. Ata ruanin ulësen e kryesuesit duke besuar se ne do të duam ta marrim atë ulëse. Mirëpo, pse ishin brenda… sepse e dinin se shumica parlamentare në bazë të Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores ka të drejtë të vendosin, prandaj ishin aty”, shprehet Zaev, duke shtuar se nëse nuk do të ishte në bazë të Kushtetutës, atëherë deputetët e VMRO-DPMNE-së do të lëshonin sallën, por Rregullorja lejon të kryesohet seanca edhe nga vendi ku qëndrojmë.

“Zgjodhëm Talat Xhaferin sepse ai ka përvojë dhe e kaluara e tij do na bashkojë me opozitën”
Kreu i LSDM-së thotë se zgjodhën Talat Xhaferin për kryeparlamentar, sepse ai ka një të kaluar të përbashkët me VMRO-DPMNE-në dhe se ka përvojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ai shton se është zgjedhur Talat Xhaferi sepse ai nuk ka asnjë kontest në diskutime me VMRO-DPMNE-së, aq më pak se nuk është maqedonas, por është shqiptar, ndërsa Kushtetuta dhe Rregullorja siç thotë Zaev, nuk përkufizon që në këtë vend multi-etnik kryeparlamentari të mos jetë i komuniteteve tjera etnike që jetojnë në Maqedoni.

“Mendoj se Talat Xhaferi është zgjidhja më e pranueshme për opozitën e ardhshme, sepse ishte ministër nga radhët e tyre, realisht ka koordnimin të mirë në Kuvend dhe ne mes tjerash, duke selektuar kandidatët e të gjitha partive politike, zgjodhëm personin që ka përvojë, por do të ishte edhe një bashkim i mirë me opozitën e ardhshme. Unë jam i vetëdijshëm se si mandatar dhe lider i shumicës qeveritare do të na nevojitet bashkëpunim me opozitën”, deklaron Zaev.

Zaev shton se kryeparlamentari, pa marrë parasysh i cilës përkatësi etnike është, duhet të ketë përvojë, të respektojë Rregullore, të ketë mirëkuptim me opozitën dhe të jetë demokrat.

“Këtu është tempulli i demokracisë. Nëse këtu Kuvendi është i fortë, i fuqishëm, serioz dhe korrekt i pushtetit ekzekutiv do të ndihmojë që të bëhet ky shtet. Kështu që, nuk shoh asgjë të keqe”, shprehet Zaev, i cili beson se Xhaferi do të kryejë detyrën e tij si kryeparlamentar me sukses.

Ai shton se të gjithë e dinë se si VMRO-DPMNE-ja e mbrojti Xhaferin në kohën kur u zgjodh ministër i Mbrojtjes dhe se për të ka komente pozitive në punën profesionale të tij.

“Do të ketë shtet ligjor dhe ligji do të vlejë për të gjithë”
Në lidhje me të kaluarën e partnerit që do të koalicionojë LSDM-ja në të ardhmen, Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), parti e cila një periudhë të gjatë kohore ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në, Zaev thekson se në bisedimet për koalicion janë dakorduar që ligji të vlejë për të gjithë njëjtë, gjë e cila sipas tij, do të mundësojë funksionimin e një shteti ligjor.

“Parimet që i ndërtuam për mbledhjen e nënshkrimeve dhe për të dhënë shpresë se mund të formohet koalicion për formimin e qeverisë ishin së pari që Ligji patjetër të vlejë njëjtë për të gjithë, pa marrë parasysh a është anëtar i ndonjë partie, përfshirë edhe partive të shumicës. Çdo kush patjetër duhet të mbajë përgjegjësi, pasi që hetime paraprake apo hetime të hapura ka për shumë njerëz në Maqedoni pas shpalosjes së të ashtuquajtura ‘Bomba politike’”, deklaron Zaev.

“Më 27 prill dërguam mesazh për përforcimin e unitetit multietnik në Maqedoni”
Zaev komentoi edhe paraqitjet e fundit në publik se deputetët e BDI-së nuk janë prekur në incidentin e 27 prillit nga protestuesit e dhunshëm që u futën në Kuvend. Ai thekson se deputetët e BDI-së ndoshta nuk janë të çarë nëpër pjesë të trupit si vet ai dhe disa deputetë tjerë, por se edhe ata janë sulmuar.

“Ne e përforcuam koalicionin tonë për shkak të solidaritetit që ishte i pranishëm aty mes maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, vllehëve, serbëve, të gjithë bashkë ishim aty nga të gjitha grupet etnike. Jo vetëm që e përforcuam koalicionin tonë mes të gjitha grupeve etnike në shumicën parlametare, por dërguam mesazh për përforcimin e unitetit multietnik në Maqedoni. Qytetarët panë solidaritetin njerëzor, humanitetin duke ndihmuar njëri-tjetrin krah për krah”, thotë kreu i LSDM-së.

Zaev shton se ai vet është kryetar i partisë më të madhe, por pas tij në atë turmë ishte kryetari i ri i Kuvendit, i cili siç thotë Zaev, duhet të mbrohet më tepër sepse funksioni kryeparlamentar është më i lartë. Ai porosit se kështu duhet të jetë rendi i të gjitha punëve, pa marrë parasysh cilit grup etnik i përket.

“Intonimi i himnit shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë ishte akt i pamatur”
Zaev në vijim thekson se Lëvizja BESA, edhe pse nuk votoi zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlementar, mbështet LSDM-në me nënshkrime në bisedime për qeverinë dhe shprehu shpresë se do të jenë pjesë e qeverisë nëse arrijnë të dakordohen. Ai shtoi se Lëvizja BESA i dinte procedurat dhe protokollet në bazë të Rregullores që do të zbatohen nga LSDM-ja dhe gjatë tërë kohës ishin të njoftuar.

Largimi nga Kuvendi i deputetëve të Lëvizjes BESA për kreun e LSDM-së është shumë normale, sepse siç thotë ai, ata nuk votuan për Talat Xhaferin për kryeparlamentar, ndërsa vetëm ata që votuan u ngjitën në Press Qendrën, ku dhe ndodhi incidenti. Ndër të tjera, Zaev dënoi intonimin e himnit shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë.

“Intonimin e himnit në Kuvendin e Maqedonisë e konsideroj si akt të pamatur dhe e dënoj. Ajo nuk duhet ashtu të ndodh. Himnet e vendeve tjera mund të intonohen kur janë të pranishëm përfaqësues zyrtarë, kryetarë, kryeministra apo kryeparlametarë, por kjo kështu është e papranueshme. Ne jemi Republika e Maqedonisë, po, multietnike, por jemi Republika e Maqedonisë dhe atë e kritikoj dhe e dënoj. Gabim është bërë”, deklaron Zaev.

Zaev porositi se me të gjitha partitë politike duhet të bëhen hapa dhe të kërkohen arsye për bashkëpunim, e jo për zënka.

“Qëndrimet e VMRO-DPMNE-së ndaj kryeministrit Rama: Nuk shoh qëllim të keq ndaj Maqedonisë”
Në vijim, Zaev foli edhe për qëndrimet e drejtuesve të VMRO-DPMNE-së të cilët vazhdimisht deklarojnë se kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndërhyn në punët e brendshme të Maqedonisë, si dhe ka ndihmuar në krijimin e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, me anë të të cilës sipas tyre “kërcënon sovranitetin, unitetin dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit Rama i cili përmend se Kushtetuta e Shqipërisë thotë se Shqipëria duhet të kujdeset për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, Zaev tha se: “Ajo është kushtetutë e vendit tonë fqinj dhe ndoshta ajo është ashtu për ndonjë arsye, e drejta e tyre dhe është okej. Ne nuk kemi problem kur dikush kujdeset për qytetarët tanë, në rastin konkret me qytetarët tanë që janë me origjinë etnike shqiptare. Nuk do të doja të gaboj, por këtu unë nuk pashë qëllim të keq ndaj Maqedonisë. Shqipëria është vendi ynë fqinj. Ndoshta ishte gabim që u shkua atje, ndoshta duhej që partitë së pari këtu të takohen të publikojnë atë (deklaratën shqiptare), pastaj të shkohet në një drekë, kafe apo çfarë do qoftë”.

Zaev shprehet i bindshëm se kjo deklaratë e përbashkët shqiptare është bërë në Shkup. Ai duke theksuar se liderët e partive politike shqiptare asgjë nuk kanë kërkuar kundër unitetit, multietnicitetit apo kushtetutës së shtetit, por kanë kërkuar atë që kushtetuta e mundëson dhe atë që është më e nevojshme në përdorimin praktik të qytetarëve, shton se “në fund të fundit nuk marrin vendime individ si liderët e partive politike, por vendimet i marrin institucionet, përkatësisht Kuvendi”.

“Pas hapjes së kufijve të Evropës për Ballkanin, askush nuk do të mendojë nacionalizmin”
I pyetur për deklaratën e kryeministrit Rama, i cili tha se “nëse BE nuk e pranon Ballkanin, atëherë është e mundur bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës”, kreu i LSDM-së e konsideron si deklaratë parazgjedhore dhe se Ballkani është një zonë multietnike, qytetarët e së cilës kanë qëllim të bashkohen në Bashkimin Evropian.

“Jetojmë në shekullin 21, qytetarët janë të emancipuar. Nacionalizmi është tashmë nevoja e tretë apo e katërt e qytetarëve. Nuk kanë të ardhme nacionalizmat sepse bota globale ecën përpara. Deklaratën e kryeministrit Rama, unë e respektoj, është majtist sikurse ne, por me siguri është deklaratë në zgjedhje. Ata janë në parazgjedhje dhe asgjë më shumë. Pra, a janë pyetur çfarë do të bëjnë politikanët në Kosovë nëse bashkohen me Shqipërinë, nuk do të jenë asgjë në Shqipëri. Kjo punë nuk bëhet. Unë besoj se edhe Kosova, edhe Shqipëria dhe të gjitha vendet tona në Ballkan presin që të hapen kufijtë e Ballkanit në Evropën e përbashkët”, deklaron Zaev.

Zaev thekson se shumica e qytetarëve të Ballkanit synojnë Evropën dhe vetëm një pjesë e vogël prej tyre janë individë nacionalistë dhe radikalë, por sipas tij, kur do të hapen kufijtë e Evropës e gjithë kjo do të përfundojë dhe askush nuk do të mendojë një gjë të tillë.

“Lidhja mes skenarit maqedonas dhe serb”
Kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili më herët fitoi bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, gjatë tubimeve të tij në fushatën parazgjedhore porosiste se “nuk do të lejojë skenarin e Maqedonisë”.

Lideri i LSDM-së, Zaev në lidhje me deklaratën e Vuçiç për skenarin e Maqedonisë në Serbi thotë: “Padyshim z. Vuçiç fitoi në zgjedhjet dhe ai është president i Republikës së Serbisë. Tek ne pushteti nuk arriti të formojë shumicën dhe kalon në opozitë. Nëse skenari i Maqedonisë është i tillë ku ndodh ndërrimi i pushtetit, nuk e di se çfarë mund të jetë skenari serb, përveç se njeriu e ndien se herët apo vonë do të marrë fund pushteti. Dhe, atëherë është normale të vjen opozita në pushtet ndërsa ata të mbeten në opozitë, nëse mendon në atë skenar.

“Lëvizjet gjeo-politike nuk varen nga Maqedonia”
Duke iu refuar ndikimit të forcave ndërkombëtare në Ballkan dhe Maqedoni, lideri Zoran Zaev thotë se Maqedonia është vend i vogël dhe duhet të ndërtojë miqësi, por vendi i saj është në BE dhe NATO.

“Miq të Maqedonisë janë edhe e gjthë bota demokratike. Ne duam të miqësi edhe me Federatën Ruse, edhe me vendet e Lindjes. Ne jemi vend i vogël, nga ne nuk varen lëvizjet gjeo-politike. Duam miqësi në vendin tonë, në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Alternativë tjetër nuk kemi”, deklaron Zaev.

Për rolin e komunitetit ndërkombëtar, parasëgjithash të SHBA-ve dhe BE-së në zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale, Zaev thotë se liderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni u kanë bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë të menaxhojnë me procesin e bisedimeve, por se vendimet i kanë marrë liderët politik të Maqedonisë.

“Qeveria e re e Maqedonisë do të vazhdojë me bashkëpunimin e shkëlqyer me Turqinë”
Kreu i LSDM-së vlerëson se Maqedonia ka shumë miq, ndërsa Turqinë një nga miqtë më të mëdhenj.

“(Turqia) Të parët na pranuan, populli ynë është në solidaritet, ka ndihmuar në të kaluarën gjithkund dhe qeveria e re do të vazhdojë me bashkëpunimin e shkëlqyer me Turqinë në frymën e ndihmës së ndërsjellë, në frymën e miqësisë që është ndërtuar. Turqia është asistenti ynë për NATO-n, ne këtë nuk mund ta harrojmë. Numër i madh i qytetarëve turq jetojnë në Maqedoni. Turqia edhe financiarisht ndihmon përmes projekteve të shumta në Maqedoni”, deklaron Zaev.

Në lidhje me incidentet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë, Zaev thotë se Turqia miqësore meriton t’i dijë të gjitha detajet rreth asaj që ndodhi, për shkak se edhe zyrtarët dhe shërbimet e Turqisë shprehën shqetësim dhe mbështetje për Maqedoninë, siç tha ai, në tejkalimin e kësaj krize dhe në proceset demokratike.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në fillim të muajit mars u shkroi një letër anëtarëve dhe kryetarit të Këshillit të Evropës, Donalld Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stolltenberg dhe dy partnerëve strategjik të Republikës së Maqedonisë, presidentit të SHBA-vë Donald Trump dhe atij të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Për kreun e LSDM-së, ky hap i presidentit Ivanov është për shkak se vendet tek të cilat është dërguar letra janë miq të mëdhenj të Maqedonisë.

“Atë unë e shoh si adresim miqësor të përfshihen me përvojan e tyre me gjithçka që kanë si palë e paanshme, sepse Turqia, SHBA-të apo Evropa nuk janë miq të Zaev-it apo Gruevskit. Ata janë miq të Maqedonisë dhe ata mund të jenë më të paanshëm”, thotë Zaev.

“Përmes referendumit për të zgjidhur çështjen e emrit”
Maqedonia me Greqinë kanë kontestin shumëvjeçar me emrin i cili paraqet një nga pengesat më të mëdha për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

Zaev beson se zgjidhja e këtij kontesti duhet të ketë konsensus të aktorëve politik në Maqedoni dhe vendimi përfundimtar do të vendoset në referendum nga të gjitha qytetarët që jetojnë në këtë vend.

“Qëndrimi ynë për këtë çështje është se bisedime me Greqinë duhet të ketë, ndërsa vendimet të merren në konsensus bashkarisht me opozitën dhe në fund qytetarët do të vendosin në referendum. Mirëpo, e gjithë kjo jo për të bllokuar procesin, por për të gjetur një zgjidhje. Greqia mund edhe 200 vite të jetojë me këtë çështje të pazgjidhur, për ne është pengesë për në NATO dhe BE”, thotë Zaev, duke shtuar se duhet të gjendet zgjidhje me të cilën qytetarët e Maqedonisë nuk do të shpërfytyrohen pa identitetin e tyre dhe pa identitetin e tyre kombëtar.

“Nuk ekziston rrezik për përleshje ndëretnike”
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në fund të intervistës hodhi poshtë mundësinë e përleshjeve ndëretnike në Maqedoni, duke theksuar se konflikti në Kuvend ishte politik jo etnik.

“Unë jam i kënaqur që ka humbur çdo shpresë për konflikte ndëretnike apo diçka të ngjajshme. Partitë shqiptare dërguan njoftimet e tyre, thirrjet, të gjithë të jemi të bashkuar, të jemi të qetë, të durueshëm dhe të mos veprojmë. Populli është i qetë, askush nuk dëshiron përplasje, konflikte dhe ajo do të përfundojë. Kjo që ndodhi si konfilkt ishte më shumë partiak, nuk ishte etnik, për shkak se VMRO-DPMNE-ja iu vërsul partive tjera, përfaqësuesit e të cilave ishin aty, përfshirë edhe mediat dhe gazetarëve që ishin aty”, deklaroi Zaev.

Ai thekson se në periudhën e ardhshme pret përmirësim të bashkëpunimit ndëretnik në Maqedoni, ndërsa ai bashkëpunim do të ketë dobi të madhe në zhvillimin e përgjithshëm dhe rritjen e ekonomisë si dhe në përgjithësi në dobi të shoqërisë në vend.

“Pres që në muajin maj Maqedonia të ketë qeveri të re. Flas edhe për afatet, kur duhet të negociojmë, t’i paraqesim në Kuvend, Kuvendi t’i diskutojë tre ditë në përputhje me rregullat dhe të zgjidhet qeveria. Ka rrethana reale në Maqedoni që në muajin maj të ketë qeveri të re reformuese”, shprehet Zaev.

Kreu i LSDM-së thotë se qeveria e re do të mundësojë procesin demokratik të ecë përpara në ngritjen e institucioneve shtetërore të cilat patjetër duhet të jenë në shërbim të qytetarëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit