-0.3 C
Pristina
Monday, January 13, 2025

Bota respekton vendimin e popullit turk në referendum

Më të lexuarat

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel janë shprehur se respektojnë vendimin e qytetarëve turq për përcaktimin e kushtetutës nga vetë ata

SHKUP (AA) – Liderë të shumtë botërorë kanë deklaruar se respektojnë vendimin e popullit turk të marrë gjatë ditës së djeshme në referendumin për ndryshimet kushtetuese dhe kanë uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjermania respekton vendimin e qytetarëve turq në referendum
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel janë shprehur se respektojnë vendimin e qytetarëve turq për përcaktimin e kushtetutës nga vetë ata.

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim të Merkel dhe Gabriel, thuhet se “Qeveria Federale respekton të drejtën e qytetarëve turq për të vendosur për rendin kushtetues të shtetit të tyre”.

“Rezultatet e votimeve me një diferencë të vogël, tregojnë se shoqëria turke është thellësisht e ndarë. Dhe, kjo sjell një përgjegjësi të madhe për qeverisjen turke dhe personalisht për presidentin Recep Tayyip Erdoğan. Qeveria Federale pret nga qeveria turke që pas një përpjekjeje të vështirë të referendumit, tash të hyjë në një dialog të ndershëm me të gjitha fuqitë politike dhe shoqërore”, thuhet në deklaratë, duke iu falënderuar delegacionit vëzhgues të OSBE-së, i cili vëzhgoi procesin e referendumit në Turqi.

Kremlini: Çdo kush duhet të respektojë vendimin e popullit turk
Në një deklaratë për gazetarët në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov ka thënë se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve të Turqisë lidhur me referendumin.

Duke vënë në dukje se kjo është një çështje e brendshme e Turqisë, Peskov në vijim ka shtuar: “Mendoj që çdo kush duhet të respektojë vendimin dhe vullnetin popullit turk”.

Greqia respekton vendimin e popullit turk
Në lajmin e agjencisë shtetërore ANA-MPA të Greqisë është dhënë deklarata e qeverisë greke në lidhje me referendumin popullor në Turqi.

Në deklaratë thuhet se janë ndjekur me kujdes zhvillimet në Turqi dhe rezultatin e referendumit.

“Respektojmë vendimin e popullit turk në lidhje me të ardhmen e tij. Ne në vendin fqinj mbështesim stabilitetin dhe demokracinë. Dëshirojmë një Turqi që kontribuon në bashkëpunim dhe dialog me bazë respektin e ndërsjellë”, vlerësohet ndër të tjera në deklaratë.

Pakistani uron Turqinë për vendimin e marrë
Presidenti i Pakistanit, Memnun Husein dhe kryeministri Navaz Sherif, në mesazhet e dërguara deri tek homologët e tyre turq, kanë përgëzuar Turqinë për këtë vendim të rëndësishëm.

Duke vënë në dukje se vendimi pozitiv për ndryshime kushtetuese në referendum tregon dëshirën e popullit për një “Turqi të fuqishme”, Husein dhe Sherif kanë shprehur shpresën që rezultati t’i fuqizojë fitimet mbresëlënëse të Turqisë, të arritura gjatë 15 viteve të fundit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit