1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Të pushtetshmit zënë vendet e punës

Më të lexuarat

Ligjvënës e zyrtarë shtetërorë të institucioneve tjera mbajnë nga dy apo tri vende pune në kohën kur papunësia në nivel kombëtar kalon shifrën prej 44 për qind bazuar në regjistrimin zyrtar të popullsisë të kryer nga Qeveria e Kosovës.

Ata sidomos janë duke gjetur mundësi të ardhurash më të mëdha duke u angazhuar në arsimin privat, pasi kjo nuk ndalohet me ligj, por kritikohet — nga aspekti i drejtësisë — prej shoqërisë civile dhe vetë kolegëve e deputetëve që marrin nga dy apo tri paga.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit e legjitimon mbajtjen e disa vendeve të punës nga zyrtarët shtetërorë. “Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari i lartë mund të ushtrojë punë nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarisë humanitare, nëse nuk parashihet ndryshe me ligje tjera”, thuhet në nenin 10 të këtij ligji.

Këtë pikë e kanë shfrytëzuar mirë zyrtarët e lartë shtetërorë, në mesin e tyre edhe gjysma e deputetëve të Parlamentit, të cilët mbajnë nga dy apo tri vende pune.

Por, organizatat e shoqërisë civile vejnë në pikëpyetje kohën që kanë në dispozicion këta zyrtarë, dhe kështu efikasitetin e tyre, si dhe thonë se ata janë duke “fyer dhe injoruar” qytetarët tjerë duke ua marrë mundësitë për vende pune.

Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, thotë se “puna është thelbësore për mirëqenien e njerëzve”. Sipas saj, përveç që puna krijon të ardhura, ajo mund të hapë rrugë për avancim ekonomik dhe social si dhe forcim të individëve, familjeve dhe komuniteteve.

ILO thotë se është e përkushtuar për drejtësi sociale në botë e që shpesh definohet si ofrim i kushteve për qasje në punë dhe mundësi, krijim të rezultateve përkatëse dhe ndihmesë të atyre që janë me disavantazhe.

Por, në Kosovë, puna është duke u koncentruar tek njerëzit me pushtet.

Listës me disa vende u prijnë deputetët, gjyqtarët e prokurorët, ministrat dhe zyrtarët tjerë të lartë. Në anën tjetër, sipas të dhënave statistikore, rreth 34 për qind e qytetarëve të vendit jetojnë me vetëm 1.55 euro në ditë.

[B]Arsim Bajrami e Vjosa Osmani mbajnë edhe dy vende tjera pune[/B]

Arsim Bajrami nga PDK-ja në pushtet, përveç që punon si deputet, ligjëron edhe në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, kolegjin “Fama” si dhe merr një honorar vjetor prej rreth 10 mijë eurosh për “vepër arti”.

Bajrami, në formularin e deklarimit të pasurisë, ka shënuar se merr nga 1 mijë euro në muaj nga UP-ja. Si pagë nga kolegji “Fama” figuron shuma zero në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2012. Por, në vitin 2011 kishte shënuar se merrë 18 mijë euro pagë vjetore nga ky kolegj.

“Për mua është relaks të punoj me studentët sepse me përvojën e eksperiencën time, ajo është një art”, thotë Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kam 28 vjet që ligjëroj. Jo të njëjtën lëndë në të dy vendet, por ligjëroj 7-8 lëndë që bëjnë pjesë në grupin e lëndëve kushtetuese”, thotë Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë.

Bajrami thotë se tregues i vërtetë i rezultateve janë studentët, kurse të ardhurat për “vepër arti”, janë librat që publikon dhe honorarët nga punimet shkencore brenda e jashtë vendit.

“Nuk janë libra të njëjtë, por të rinj. Deri tash kam 23 libra. Përafërsisht çdo dy apo tre vjet shkruaj për ta plotësuar literaturën time”.

Një deputete tjetër që mban dy vende tjera të punës është Vjosa Osmani (LDK), e cila përveç pagës në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se ligjëron edhe në Universitetin e Prishtinës (UP) dhe Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).

Osmani shënon se nga UP-ja merr një page vjetore prej mbi 2 mijë e 800 eurosh në vit ndërsa nga AUK-u merrë pagë vjetore në shumën prej mbi 9 mijë e 800 eurosh në vit.

“Në qoftë se punon 18 orë në ditë si puna ime, mund të jeni shumë efikas”, thotë Osmani për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kur je e re, ke energji, dedikim e përkushtim jashtëzakonisht të madh ndaj punës”, thotë Osmani. “Definitivisht mund të kesh koncentrim dhe rezultat”.

Ajo beson se puna e saj vlerësohet nga të gjithë.

“Orari im nuk lidhet me Parlamentin. Ligjëratat janë gjithmonë në mbrëmje ose herët në mëngjes”.

Deputetja shton se punët që mban kanë të bëjnë me kualifikimet. “Nuk ia kam zënë vendin dikujt në universitet. I kam të gjitha kualifikimet e nevojshme”, thotë  ajo.

“Mos harroni që në garën për deputet kanë qenë me mijëra njerëz dhe këta që janë sot i kanë zgjedhur qytetarët”.

Njëjtë ka vepruar edhe Ruzhdi Morina, anëtar i bordit në Trustin Pensional të Kosovës, i angazhuar një kohë edhe në bordin e hekurudhave edhe si ligjërues në kolegjin AAB. Ai thotë se mbajtja e disa vendeve të punës lidhet me natyrën dhe angazhimin përkatës.

Sipas tij, në Bordin e Drejtorëve të Trustit aktivizimi nuk është i përhershëm dhe prandaj i mundëson angazhim edhe në një vend tjetër të punës.

Ai më herët kishte tri vende të punës. Morina ishte Kryeshef Ekzekutiv i kompanisë publike “Trainkos”, që merret me menaxhimin e trenave.

Këtë veprim e kishte bërë pasi që Agjencia Kundër Korrupsion kishte nisur një hetim ndaj tij nën dyshimin se kishte shkelur Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit me mbajtjën e dy posteve publike.

Morina kishte zgjedhur të mbante vetëm postin e anëtarit të bordit në Trust. Por, ai është edhe mësimdhënës i angazhuar në AAB-Riinvest nga e cila merrë mbi 3 mijë euro në vit.

Deputeti Behar Selimi, PDK, i angazhuar me orë shtesë në kolegjet private të arsimit të lartë “Dardania” e “UBT”, thotë se mbajtja e disa vendeve të punës kur 44.9 për qind e njerëzve janë të papunë “është moralisht e padrejtë”.

Prandaj, thotë Selimi, ai mban vetëm orë shtesë por nuk ka marrëdhënie të rregullt pune me institucionet private të arsimit të lartë.

Për këtë, sipas deklarimit të pasurisë që ka bërë në Kundër-Korrupsion, ai merr 2 mijë euro në vit nga “Dardania” e 3 mijë euro në vit nga UBT-ja.

Selimi kritikon zyrtarët që krijojnë marrëdhënie të rregullt pune me institucione tjera.

“Ligjërisht është në rregull, por moralisht është e padrejtë”, thotë Selimi. “Është çështje e vlerave personale të secilit”.

Selimi thotë se shteti do të duhej të krijonte mekanizëm që të bënte matjen e përformancës të secilit që punon në institucione publike.

“Nëse unë si deputet, ministrat apo të tjerë në agjenci tjera, do ta dinin se puna e tyre po matet, nuk besoj se do të kishin komoditet të mbanin nga dy a tri vende pune”, thotë Selimi.

Me 44.9 për qind të papunë e me zyrtarë të lartë që kanë nga tre e katër vende të tilla nuk pajtohet as Mejdi Bektashi, anëtar bordi në Bankën Qëndrore të Kosovës.

Edhe Bektashi ligjëron në UP e AAB.

“Nuk është e drejtë, por të mijat nuk janë marrëdhënie të rregullta pune, janë honorare”.

“Punoj vetëm jashtë orarit zyrtar”, thotë Bektashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Në AAB kam vetëm dy orë dhe mund ta shikoni orarin”. Në bazë të shënime në Kundër Korrupsion, Bektashi nga AAB-ja merr mbi 1 mijë e 400 euro në vit.

Ai po ashtu merr mbi 21 mijë euro si kompenzim nga puna si anëtar bordi në Bankën Qëndrore si dhe mbi 25 mijë euro nga Universiteti i Prishtinës.

Bektashi ka deklaruar edhe të ardhura nga qiraja nga dy kompani private – nga njëra mbi 30 mijë euro në vit ndërsa nga tjera merr mbi 7 mijë euro në vit.

Jusuf Thaçi, analist për çështje të arsimit nga organizata jo-qeveritare “EnCompass”, thotë se angazhimi në shumë vende pune zvogëlon mundësinë e të qenit efikas.

“Ata që punojnë në kaq shumë vende pune janë raste për tu studiuar se si e menaxhojnë kohën”, Thaçi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Lulzim Tafa, rektor në AAB, thotë se angazhimet e zyrtarëve për të ligjëruar në këtë kolegj, i bëjnë në përputhje me dispozitat ligjore që janë në fuqi, në këtë rast në përputhje me Ligjin e Punës.

“Ligji i mundëson çdokujt qe krahas detyrës primare të ketë të drejtën e angzhimit shtesë edhe me gjysmë norme, që ne e quajmë punë në bazë të honorarit”, thotë Tafa për Gazetën Jeta në Kosovë.

Tafa thotë efikasitei është obligim kontraktual dhe respektohet nga ana e zyrtarëve të angazhuar në AAB.

“Te ne funksionon Zyra për Sigurim të Cilësisë e cila në baza të rregullta përcjell përformancën e të gjithë profesorëve, përfshirë edhe atyre që janë të angazhuar me normë jo të plotë”.

Edhe Naile Demiri, zyrtare informimi në kolegjin UBT, thotë se stafi akademik në këtë kolegj privat të arsimit të lartë caktohet me normë jo të plotë “nëse është në marrëdhënie të rregullt pune në ndonjë institucion tjetër”.

UBT-ja, sipas saj, ka interes të angazhojë përsonalitete me peshë publike të cilat kanë njohuri profesionale dhe akademike.

Megjithatë në UBT, sipas Demirit, është një numër shumë i vogël i profesorëve që njëkohësisht kanë edhe poste politike. Por, thotë ajo, politikanët kanë pasur përformancë të mirë në UBT.

“Deri më tani, stafi i tillë akademik ka qenë në lartësinë e përgjegjësive akademike profesionale dhe shkencore, konform standardeve të mësimdhënies”.

Deputetja Alma Lama nga Vetëvendosja thotë se duhet bërë një ndarje mes atyre që kanë ligjëruar para se të bëhen deputetë, ndonëse prapë, kur mbajnë dy punë, kanë pikëpyetje efikasitetit.

Por, thotë ajo, “ka deputetë që shfrytëzojnë pushtetin për të arritur tek kolegjet private”.

“Përdorimi i pushtetit për të arritur tek to, mua më duket një lloj korrupsioni”, thotë Lama.

Gati Gjysma e Deputetëve Kanë Vende Tjera Pune

Gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kanë edhe nga një vend tjetër të punës apo burim të ardhurash.

Ngjashëm situata është edhe me gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë të lartë të Agjencive të ndryshme publike.

Po ashtu nga 18 ministra të Qeverisë së Kosovës, 6 prej tyre kanë edhe nga një burim tjetër të ardhurash, përfshirë edhe angazhimet e ndonjërit në Universitetet Publike e  private.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontrolluar formularët e deklarimit të pasurisë të publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit për vitin 2012. Aty rezulton se nga 120 deputetë, 54 prej tyre kanë më shumë se një vend pune ose burim të ardhurash. Ka prej tyre  edhe me nga katër e pesë të tilla.

Nga 34 deputetë të PDK-së, vetëm 18 prej tyre kanë deklaruar se nuk marrin pagë diku tjetër, kurse nga 27 të LDK-së, 17 prej tyre kanë deklaruar se marrin më shumë se një pagë. 

AAK-ja ka 12 deputetë e SLS-ja 11. Nga të dy grupet, secila ka nga 6 prej deputetëve të cilët kanë një e më shumë burime të ardhurash.

Nga 12 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti merr një honorar nga shkrimet në një media dhe Florin Krasniqi që ka edhe burime të tjera të ardhurash. Të tjerët e kanë deklaruar vetëm postin e deputetit.

Ndërkohë derisa parlamentarët kanë më shumë se një burim të ardhurash, gati gjysma e njerëzve që udhëhiqen nga ta nuk kanë asnjë vend pune.

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të publikuara në shtator 2012, nga 1.7 milionë banorë sa ka Republika e Kosovës, 44.9 për qind e njerëzve janë të papunë.

Mbajtja e disa vendeve të punës nga ligjvënësit kritikohet nga Instituti Demokratik i Kosovës – KDI, një organizatë jo-qeveritare që merret me monitorimin e punës së deputetëve.

“Qasja e tillë e deputetëve shpreh injorimin dhe fyerjen që këta përfaqësues i bëjnë qytetarëve të Kosovës”, thotë Driton Selmanaj, zyrtar i KDI-së.

Kjo organizatë planifikon që këtë javë të publikojë raportin e monitorimit të punës së kuvendarëve që i referohet gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar.

“Fatkeqësisht shumica e deputetëve nuk e kanë kuptuar rolin e deputetit si parësor në kuadër të aktiviteteve të tyre”, thotë Selmanaj.

“Ata këtë e shohin vetëm si një mundësi për shfrytëzimin e benefiteve që sjell ky post i rëndësishëm”.

Selmanaj thotë se KDI-ja nga raportet e vazhdueshme që publikon ka nxjerrë konkludim për një kualitet të dobët të perfomancës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, qoftë në procesin e ligjbërjes po ashtu edhe në aspektin e mbikëqyrës ndaj institucioneve ekzekutive.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit