7.3 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

Ibrahim Kalin: Të injorosh mizoritë e regjimit të Esadit është një katastrofë politike

Më të lexuarat

Zëdhënësi dhe sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi se të bësh një sy qorr ndaj regjimit të Esadit dhe mizorive të tij është një katastrofë politike…

Zëdhënësi dhe sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi se të bësh një sy qorr ndaj regjimit të Esadit dhe mizorive të tij është një katastrofë politike.

Në analizën e tij me titull “Kimike ose jo, Siria është duke vdekur”, publikuar në orët e para të së mërkurës në gazetën “Daily Sabah”, Ibrahim Kalin thekson se regjimi i Esadit po bën masakra me armë kimike dhe njëherësh konvencionale përpara syve të gjithë botës.

“Me të vërtetë që nuk ka një zgjidhje të lehtë në Siri, të paktën në fazën aktuale. Përkrahësit e regjimit nuk do të heqin dorë nga mbështetja e tyre vetëm pse SHBA-ja bombardoi një bazë ajrore të regjimit. As Esadi nuk do të marrë në konsideratë thirrjet që ai të japë dorëheqjen, si ajo e liderit shiit irakian, Muqtada al-Sadr, javën e kaluar. Pasi, sipas llogarive të tij, ai është duke fituar luftën jo vetëm për arsyen se gëzon mbështetjen e Rusisë, Iranit dhe Hizbullahut, por edhe sepse ai sheh kundër tij një koalicion ndërkombëtar të pavendosur dhe të dobët. Për më tepër, ai mund të përdorë DAESH-in si një mjet për të paraqitur veten si e keqja më e vogël. Propozimi i Turqisë për të krijuar zona të sigurta për sirianët brenda Siri mund të kishte shpëtuar mijëra jetë dhe penguar sulmet kimike gjatë 3 viteve të fundit, por ajo ka rënë në vesh të shurdhër në të dyja brigjet e Atlantikut. Rrjedhimisht, Turqia strehon aktualisht rreth 3 milion refugjatë dhe vazhdon të ofrojë ndihmë humanitare për dhjetëra-mijëra njerëz brenda Sirisë. Nuk ka absolutisht asnjë dyshim se ‘DAESH-i është një organizatë terroriste, e cila duhet luftuar dhe shkatërruar’. Ky përbindësh ka shkaktuar tashmë më shumë dhimbje e terror sesa është dashur të lejohej. Por të bësh një sy qorr ndaj një përbindëshi tjetër të luftës siriane, pra, regjimit të Esadit dhe mizorive të tij, kjo është një katastrofë politike dhe skandal moral”, shkruan ai.

Pasi rikujton mes rreshtave të analizës së tij se ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e ka paralajmëruar regjimin sirian me fjalët “e gjithë bota po ju shikon”, gjatë një fjalimi në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2012; zëdhënësi Kalin shprehet se “regjimi i Esadit ndërkohë vuri re që bota vetëm sa po i shikonte masakrat dhe kështu i vazhdoi barbaritë e tij”.

Duke iu referuar raportit të publikuar më 22 shkurt 2017 nga Organizata Ndërkombëtare e Amnistisë (Amnesty International), sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë thekson se lufta civile siriane kishte shkaktuar vdekjen e të paktën 300 mijë njerëzve deri në fund të vitit 2016, ndërkohë që bilanci i sotëm është shumë më i lartë, ndoshta mbi 600 mijë të vrarë nga forcat e regjimit të Esadit dhe milicia nën komandën e tij.

Ibrahim Kalin vlerëson gjithashtu bombardimin e bazës ajrore të regjimit sirian nga SHBA-ja duke e cilësuar atë si një hap në drejtimin e duhur.

“Përgjigja amerikane për sulmin kimik në Han Shejhun ishte një hap në drejtimin e duhur dhe një paralajmërim me vepra, jo vetëm me fjalë. Megjithatë, duke pasur parasysh poshtërsinë e vrasjeve të vazhdueshme me armë konvencionale dhe përmasën në rritje të krizës humanitare, kjo nuk është e mjaftueshme për të ndalur luftën apo për të siguruar mbrojtje për popullin sirian”, komenton zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit