-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Fischer: Nacionalizmi shqiptar, më i dobët se i fqinjëve

Më të lexuarat

Një historian amerikan thotë se nacionalizmi shqiptar është zhvilluar më vonë se nacionalizmat e kombeve të tjera në Ballkan. Profesor Bernd Fischer, shef i Departamentit të Historisë në Univeristetin e Indianës në Fort Wayne dhe autor i librit “Shqipëria në Luftë”, tha në një takim, se edhe sot nacionalizmi shqiptar është shumë më i dobët dhe përbën shumë më pak kërcënim për rajonin se ato të kombësive të tjera. Kolegia jonë Keida Kostreci ndoqi takimin në qendrën Woodrow Wilson në Uashington dhe bisedoi me historianin.      
 
Profesori Fischer, thotë se nacionalizmi shqiptar është zhvilluar më vonë sesa ai i kombësive të tjera në Ballkan.

 “Një nga ndryshimet kryesore mes nacionalizmit shqiptar dhe atij të grupeve të tjera në Ballkan, është se në vende të tjera nacionalizmi është shumë më i fortë. Mendoj se arsyeja kryesore është se në vende të tjera është zhvilluar më herët dhe ka patur një shekull më shumë kohë për të marrë formë. Si rezultat, është edhe sot shumë më i dobët dhe në të vërtetë përbën më pak kërcënim për Ballkanin, sesa ndoshta nacionalizmi i disa prej fqinjëve shqiptarë”. 
  
Profesor Fischer thotë se në rastin e Shqipërisë, elitat kanë luajtur një rol shumë të madh. Profesori shpjegon se si pasojë e faktit që shqiptarët ishin aq të ndarë deri në fund të shekullit të 19-të, ishte e nevojshme një lloj nxitjeje nga ana e intelektualëve, gjë që nga fundi i shekullit arriti të t’i jepte shtysë zhvillimit në nacionalizimit. 

“Pa dyshim është kombinim i një sërë faktorësh. Mendoj se ky nacionalizëm është i filluar nga elitat dhe i drejtuar prej tyre dhe mendoj se edhe sot elitat luajnë një rol kritik në nacionalizmin shqiptar”.

Gjatë prezantimit të tij, profesor Fischer, që është ndër të tjera edhe autor i librit “Mbreti Zot dhe Beteja për Qëndrueshmëri në Shqipëri”, gjen edhe një ngjashmëri të pazakontë, të paktën përsa i takon nacionalizmit, mes Mbretit Zog dhe Enver Hoxhës:
 
“Mendoj se janë të ngjashëm në kuptimin që u gjendën përballë të njëjtave probleme. Nga pikëpamja ideologjike, ata janë shumë të ndryshëm, por për shkak të faktit që të dyve iu desh të përballen me ndërtimin e shtetit dhe pak a shumë në të njëjtin nivel zhvillimi, në fund të fundit do të thoja që politikat e tyre ishin të ngjashme.”

Në ditët e sotme thotë profesori Fischer, historia sjell gjurmët e saj në zhvillimet aktuale dhe thotë se nuk është për t’u habitur që po hasen vështirësi në Shqipëri përsa i takon krijimin të një shteti dhe shoqërie të qëndrueshme.  

“Shqiptarët kanë patur pak përvojë me ekonominë e tregut dhe sigurisht që nuk mjafton thjesht ta shpallësh veten demokrat, për të ndërtuar një demokraci. Shteteve të Bashkuara iu deshën qindra vjet dhe nuk mendoj se pret njeri që shqiptarët të kapërcejnë disa faza së bashku. Nuk jam i habitur që është dashur kaq kohë për të krijuar një qeveri të qëndrueshme. Shpresoj që me zgjedhjet e këtij viti, këtij procesi t’i jepet një shtysë, por kjo mbetet për t’u parë”. 

Profesor Fischer thotë se nuk ka dyshim që historia ka një rëndësi të jashtëzakonshme në gjithë kombësitë ballkanike. Ai thotë se mes serbëve, bullgarëve dhe rumunëve për shembull ekziston prirja për të parë me nostalgji perandoritë mesjetare dhe se ata i shohin si model, programet e atëhershme nacionaliste.

“Shqiptarët janë të ndikuar në një mënyrë të ngjashme megjithëse ata pavarësisht se kishin Skënderbeun nuk e kanë patur atë shtet mesjetar me bazë kombësinë (por nje administrim i një territori të vogël, që më bazë kishte krishterimin dhe jo kombin dhe që interesat ishin të ndikuara nga Venediku dhe nga sllavët)”, thotë ai.

VOA/2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit