Regjimi i Asadit dy ditë më parë bombardoi qytezën Han Shejhun të Idlibit me armë kimike, ndërsa shumë civilë humbën jetën, ku një pjesë e madhe e tyre ishin fëmijë
HAN SHEJHUN (AA) – Ekipi i Anadolu Agency (AA), ka filmuar spitalin dhe qendrën e kërkim-shpëtimit të bombarduara menjëherë pas sulmit me armë kimike në qytezën Han Shejhun të Idlibit në Siri.
Regjimi i Asadit dy ditë më parë bombardoi qytezën Han Shejhun të Idlibit me armë kimike, ndërsa shumë civilë humbën jetën, ku një pjesë e madhe e tyre ishin fëmijë.
Pas pak orësh të sulmit me armë kimike, regjimi ka ndërmarrë një tjetër bombardim. Këtë herë shënjestër e tij ishin spitali ku ndodheshin të plagosurit si dhe qendra e ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Ekipi i AA i cili ka shkuar në vendngjarje, ka filmuar nga afër spitalin dhe qendrën e ekipeve të kërkim-shpëtimit të bombarduara pak orë më pas.
Godinat ndodhen rreth 5 kilometra në largësi të vendit ku u sulmua me armë kimike. Ata ishin të ndërtuar përmes disa tuneleve të gërmuara në një kodër shkëmbore për shkak të bombardimeve intensive të regjimit kohët e fundit.
Ndërkohë, godina njëkatëshe e spitalit që ndodhej menjëherë jashtë tunelit është kthyer në një gërmadhë, si pasojë e shpërthimit të fuqishëm edhe pjesët e brendshme të tunelit janë bërë të papërdorshme.
Edhe pse të dyja godinat ishin ndërtuar në mënyrë për t’iu rezistuar bombardimeve, për shkak se bomba ka rënë në hyrje të tuneleve, këto hapësira janë bërë të papërdorshme, ndërsa e njëjta situatë është edhe në qendrën e ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Në pamje duket një karrocë për persona me aftësi të kufizuar, si dhe këpucë dhe shapka të civilëve që ndodheshin aty në atë moment.
Ndërkohë për rreth ende gjenden pjesë të bombës së hedhur nga avioni.
Hazim Shahvan, një zyrtar i këtij spitali thotë për AA: “Këtu jemi në spitalin e vetëm të Han Shejhun. Ky ishte spitali ku erdhën të plagosurit nga sulmi kimik. Regjimi goditi edhe këtë spital. Për shkak të bombardimeve të shumta të regjimit dhe forcave ruse ky vend është i papërdorshëm”.
Ndërkohë që ekipi i AA-së filmonte në këtë zonë, është detyruar të largohet me shpejtësi për shkak se dëgjohej zhurma e një avioni ushtarak që afrohej.
