4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Në kërkim të së veçantës: një xhami në dru dhe pa asnjë gozhdë në Bosnjë

Më të lexuarat

“Xhamia e vjetër në Buzhim, megjithëse e ndërtuar tërësisht prej druri dhe pa një gozhdë të vetme, ende i qëndron kohës, dhe përfaqëson në shumë aspekte një shembull unik të ndërtimeve historike dhe të arkitekturës së mahnitshme jo vetëm në Bosnjë-Hercegovinë, por në tërë rajonin,” thuhet në një përshkrim mbi këtë bina.

Krejt e veçantë në llojin e vet, kjo xhami u ndërtua në formën e në dimensionet e tanishme në vitin 1838, por, sipas të dhënave, ka ekzistuar dhe më herët në atë vend.

Xhamia u ndërtua, apo, më saktë, u rindërtua, nga Mehmed Vexhihi Pasha, asokohe vali i Buzhimës. E tëra në dru, gjatë ndërtimit të strukturës së saj kryesore nuk është përdorur asnjë gozhdë e vetme.

Ja se ç’thotë imami i kësaj xhamie, Emin Groshiç: “E veçanta e kësaj xhamie është se ajo u ndërtua krejt me dru, pa përdorur asnjë gozhdë. Përndryshe, lidhja e palëvizshme u bë me pyka druri. Ajo është xhamia më e gjerë dhe më e vjetër e drunjtë në Europë, e mbase në tërë botën islame, sepse struktura të ngjashme nuk ka gjëkundi. Ekzistojnë disa xhami të ngjashme në Turqi, në Azi, e në vendet pranë Kinës, ku është përdorur më së shumti druri. Por nuk ka një xhami tjetër të këtij lloji, të bërë plotësisht me dru e me një sistem shtyllash që e mbajnë tërë strukturën e saj.”

Në këtë xhami është ndërhyrë disa herë, më së pari në 1937-n, rreth njëqind vite pas ndërtimit. I është ndërruar çatia dhe i është shkurtuar minarja. Restaurimi më specifik u bë në vitet ’60 të shekullit të shkuar.

“Për t’i ndërruar trarët e vjetëruara, ndërtuesit do ta ngrinin xhaminë në ajër, duke ndërtuar një mur nën strukturën e drunjtë. Një punë e cila zgjati për muaj të tërë, dhe interesante është se gjatë kësaj kohe të gjitha namazet në xhami u falën pa asnjë problem. Pasi themeli i ri u përfundua, xhamia u ul përsëri në tokë pa u dëmtuar. Mendoj se ky është vërtet një shembull i veçantë nga pikëpamja arkitekturore dhe inxhinierike, e mbase diçka e jashtëzakonshme, kur e tërë xhamia ishte në ajër për muaj të tërë e pastaj u kthye në pozicionin e vjetër,” rrëfen imam Groshiçi.

Xhamia në dru u shpall monument kulture në vitin 2003, e vendosur kështu nën mbrojtjen e shtetit. /tesheshi.com/

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit