8.4 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Videoja me Lilën dhe Sadikun, imam Ahmed Kalaja: ndjesë miqve të krishterë për një keqkuptim

Më të lexuarat

Pasi i është publikuar një video me aspekte të rëndomta bisedash dhe humori me dy futbollistë të kombëtares, imami i njohur i Tiranës, Ahmed Kalaja ka shprehur ndjesë, edhe pse e konsideron të keqkuptuar atë që është shfaqur.

Videoja u publikua nën cilësimin “skandal”, duke iu referuar rrëfimit të Andi Lilës mbi priftërinjtë grekë që vinin e spërkatnin me ujë, që ata e konsiderojnë  si të “bekuar”, futbollistët e Janinës para ndeshjes, ekip ku luan dhe kavajasi i kuqezinjve Lila.

Gjithçka zhvillohej nën një atmosferë humori, por disa batuta janë marrë si tallje me klerikët e një besimi tjetër. Gjithsesi,

Kalaja ka kërkuar ndjesë me anë të një statusi duke përcjellë nota respekti për njerëzit nën raso me besim të krishterë.

“Sqarim për mediat.

Duke marrë shkas nga publikimi i bisedës të bërë mes meje dhe dy miqve të mi lojtarë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, e cila u publikua nga të gjitha mediat e vendit, më lejoni të shpreh keqardhjen time për keqkuptimin e qëllimit të asaj bisede.

Si një përfaqësues i besimit islam, si prijës fetar dhe si atdhedashës, nuk do ia lejoja kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e mia për klerikë apo pjestarë të komuniteteve te tjera fetare, të jenë në kundërshtim me mësimet e Islamit, i cili na mëson respekt dhe tolerance me pjestarë të besimeve të tjera qiellore, aq më tepër të cenohet toleranca ndërfetare e jona si vlerë kombëtare.

Dua të shpreh gjithashtu keqardhjen time për mënyrën se si u kuptua biseda jonë e cila anonte më shumë në rrafshin e humorit, pa ndonjë të keqe, duke qenë se shakatë u bënë edhe për përfaqësues të besimit islam.

Gjej rastin, si një njeri i besimit, të shpreh keqardhjen time nëse fjalët e mia apo të miqve të mi kanë cenuar sadopak kolegët edhe miqtë e mi të krishterë, duke i shprehur në të njëjtën kohë ndjesën time si dhe garancinë se respekti dhe toleranca ime për ta ngelet e palëkundur”, shkruan imami i njohur i Tiranës, që ndryshe njihet dhe si “imami kuqezi”, i pagëzuar i tillë nga Top Channel në një dokumentar të javëve më parë kushtuar raporteve të tij me një pjesë të futbollistëve të kombëtares shqiptare. /tesheshi.com/     

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit