Me këtë vendim, vlerësohet se është mbyllur rruga për aplikim për azil të mundshëm
BRUKSEL (AA) – Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk janë të detyruar t’u japin viza personave që rrezikohen nga tortura ose trajtimi jashtënjerëzor, raporton Anadolu Agency (AA).
Në vendimin e Gjykatës së BE-së lidhur me padinë e hapur nga familja siriane së cilës u ishte mohuar e drejta për vizë në Belgjikë, thuhet se “Sipas ligjeve të BE-së, shtetet anëtare nuk janë të detyruara t’u japin viza humanitare personave që dëshirojnë të hyjnë në këto shtete më qëllim që të aplikojnë për azil, megjithatë këtë janë të lirë ta bëjnë në bazë sipas ligjeve të tyre kombëtare”.
Me këtë vendim, i cili u dha ndryshe nga mendimi i kryeprokurorit të Gjykatës së Drejtësisë Paolo Mengozzi i cili mbronte qëndrimin se familjes siriane duhet dhënë vizë, vlerësohet se është mbyllur rruga për aplikim për azil të mundshëm.
Gëzimi në Belgjikë: “Po, fituam”
Theo Francken, ministri belg i Azilantëve dhe Migrimit, i cili refuzoi dhënien e vizave edhe krahas vendimit paraprak të gjykatës lokale, në median sociale ka shkruar: “Po, fituam.”
Francken ka falënderuar “13 shtetet anëtare të BE-së që kanë mbështetur Belgjikën në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë lidhur me këtë proces gjyqësor jetik”.
Zhvillimi i procesit
Një familje siriane me dy fëmijë, nga Halepi i Sirisë, kishte aplikuar për vizë që të jepet për qëllime humanitare, në mënyrë që të iknin nga lufta dhe të vinin në Belgjikë. Babai i familjes ishte justifikuar se është rrëmbyer, rrahur, torturuar dhe më pas është liruar pasi ka paguar shpërblesë.
Megjithatë, dhënia e vizave pas ardhjes në Belgjikë ishte refuzuar nga ministri i Azilantëve dhe Migrimit, Francken. Pasi gjykata lokale dha vendim në favor të familjes, Byroja Belge e Azilit dhe Migrimit kishte kërkuar mendim edhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Kryeprokurori i Gjykatës së Drejtësisë Mengozzi kishte shprehur qëndrim se familjes i duhet dhënë vizë për qëllime humanitare.
Viteve të fundit në Evropë kanë ardhur afro 1,5 milionë refugjatë. Për ta zvogëluar migrimin, Evropa zbaton metoda si marrëveshje me shtete të treta, ndërtim muresh apo gardhesh me tela dhe deportim i refugjatëve.