4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

“Nëse Shqipëria nuk është efektive kundër FETO-s, mund të akuzohet për financim terrorizmi”

Më të lexuarat

Analisti dhe kolumnisti shqiptar, Dr. Ermir Gjinishi, vë në dukje se FETO është një botëkuptim doktrinar i deformuar me në qendër kultin e individit, njeriun

ANKARA (AA) – Analisti dhe kolumnisti shqiptar, Dr. Ermir Gjinishi, ka deklaruar se Shqipëria ka mbetur e dobët në përpjekjet kundër organizatës terroriste, Fetullahçı (FETO) dhe se “Shqipëria duhet të pengojë marrjen e tenderave e koncesioneve nga kompanitë e FETO-s. Nëse Shqipëria nuk do të jetë efektive në përpjekjet kundër FETO-s, në një të ardhme të afërt ajo rrezikon të akuzohet për financim terrorizmi”.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Gjinishi vë në dukje se FETO është një botëkuptim doktrinar i deformuar me në qendër kultin e individit, njeriun. “Fenë ia indeksojnë Fetullah Gylenit. Kjo gjë me kohë bën që feja të tjetërsohet në një parti. Prijësin e tyre e ngrenë më lart se i dërguari (Pejgamberi), ndërsa në Islam Pejgamberi, apo çdo krijesë tjetër nuk adhurohet. Adhurimi është vetëm për Krijuesin”, shton ai.

Gjinishi thotë se e ka njohur doktrinën bashkë me ndjekësit e FETO-s që prej 25 vitesh dhe në vazhdim ka shtuar se ka qenë pikërisht koncepti i tyre i devijuar “një fe me qendër liderin” që ka bërë të jetë i vëmendshëm e të distancohet me kohë nga doktrina e tyre. “Shikoja që përloteshin herë herë ndërkohë që flisnin për Gylenin dhe kuptova që ka diçka që nuk shkon këtu kur nuk qajnë për një pejgamber e qajnë për Gylenin”, thotë ai.

“Ata e keqpërdorin besimin për indoktrinim, si një laborator të shpëlarjes së trurit”

Duke vënë në dukje se Gyleni përdor fenë për të shpëlarë trurin e njerëzve, Gjinishi në vijim të fjalës së tij thotë: “Ata funksionojnë si laboratore për shpëlarjen e trurit. Dëgjojnë vetëm kasetat e Gylenit, shikojnë vetëm fjalimet e tij, lexojnë librat e tij dhe nëse ai nuk sugjeron një tjetër libër, nuk lexojnë. Për shkak se nuk lexojnë ata u afrohen me paragjykime refuzuese temave jashtë atyre që u shpjegon Gyleni. Gyleni i ka vendosur pranga lidhjes së tyre me botën e jashtme dhe u ka marrë atyre lirinë nga duart. Ky është problemi kryesor.”

Ndërsa duke theksuar se pjesëtarët e organizatës nuk pranojnë asnjë kritikë për Gylenin, Gjinishi në vijim shton: “Në librat e tij ka shembuj të shumtë që tregojnë se ata janë kanë devijuar nga Islami. Si për shembull fetvaja për vendosjen e parukeve në vend të shamisë. Muslimani nuk fsheh atë që bën dhe mendimin e tij. Dyfytyrësia nuk ka vend në Islam. Këtu kemi të bëjmë me një organizatë të fshehtë e ndërtuar mbi ‘sistemin e abilerëve’. Asnjë musliman në botë nuk fsheh personalitetin dhe veten e tij. Po përse i fshehin këto? Sepse nuk kanë një qëllim dhe mendim të pastër. Një nga veçoritë më të mëdha që kishte Pejgamberi jonë (as) ishte ‘el-emin’, ndërsa mes sjelljes se Gylenit dhe Pejgamberit tonë nuk ka asnjë gjë të përafërt.”

“KMSH nuk përfaqëson muslimanët, por Gylenin”

Gjinishi thotë se prej vitit 2010 ai vazhdon të shpjegojë miqve të tij FETO-n dhe se këto gjëra ai i ka thënë në programe mediatike dhe i ka shkruajtur në artikuj të shumtë. “Kam punuar për një kohë në Komunitetin Musliman Shqiptar (KMSH), i cili tani është në duart e FETO-s, dhe jam ndarë nga ky institucion para disa vitesh, ndërsa një nga arsyet e ndarjes sime ishte bashkëpunimi i tij me një parti politike. Isha kundër përzierjes së fesë me politikë dhe hyrjes së politikës në xhami. KMSH nuk përfaqëson sot muslimanët e Shqipërisë, por Gylenin.”

“Veprojnë kundër parimit të Islamit tradicional”

Duke vënë në dukje se FETO në Shqipëri ka marrë nën kontroll, krahas KMSH-së, edhe një pjesë të mirë të medreseve, Gjinishi në vijim thotë: “Ata veprojnë kundër parimit të Islamit tradicional. Në shumë institucione që morën nën kontroll hoqën punonjësit dhe vendosën gylenxhinj. Me financat e tyre të errta ata punojnë edhe për pastrimin e parave. Ende pa tentuar për një grusht shteti në Turqi, unë kam shpjeguar në shumë platforma se kemi të bëjmë me një organizatë kriminale, një organizatë e cila përdor Islamin për gjëra që nuk kanë të bëjnë me të.”

“Anëtarët e FETO-s në panik”

Dr. Gjinishi thotë se pas tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik, ndjekësit e FETO-s në Shqipëri janë në një gjendje paniku. Ai ka theksuar se ata fillimisht kanë filluar të tërhiqen nga media e shkruar, ndërsa më pas kanë marrë urdhër që të mos bëjnë publikime në rrjetet sociale.

Duke thënë se veçanërisht pas tentativës për grusht shteti ndjekësit e tyre kanë zhvilluar taktika të ndryshme, ai thotë se “Ata janë duke punuar për të forcuar edhe më tej lidhjet e tyre në politikën e Shqipërisë. Duke ndryshuar emrat e aksionerëve në kompanitë e tyre ata punojnë për të pastruar paratë e tyre të pista.”

Ai vë në dukje gjithashtu se ndjekësit e FETO-s në Shqipëri mundohen që situatën në Turqi ta transmetojnë si një problem personal të Fetullah Gylenit me drejtuesit zyrtar të Turqisë. “Në këtë aspekt nuk kanë patur sukses sepse rreziku nga ata këtu në Shqipëri nuk mund të justifikohet duke e transmetuar realitetin e Turqisë si mosmarrëveshje personale. Ata synojnë formimin e shteteve paralele. Këtë gjë ata e synojnë në të gjithë botën ku kanë shtrirë tentakulat e tyre.”

“Lufta kundër tyre duhet të fillojë fillimisht me biznesmenët e tyre”

Ndërkaq, duke radhitur disa mënyra se si mund të luftohet kundër tyre, Gjinishi thotë: “Strukturat e tyre në institucionet shqiptare duhet të hetohen dhe të nxirren në pah, ndërsa burimet e tyre financiare duhet të merren nën kontroll. Puna duhet të nisë nga biznesmenët e tyre. Një pjesë e parave që shteti i jep KMSH-së shkojnë tek kjo organizatë. Në këtë mënyrë shteti shqiptar edhe pse pa dashje bën të mundur indirekt financimin e atyre që u përfshinë në një tentativë për grusht shteti në një tjetër vend. Kjo gjë duhet të ndalet dhe duhet të ndërtohet një model me qendër vlerat. Duhet të pengohen aktivitetet e tyre të jashtëligjshme duke i mbyllur ato sepse ato nuk janë transparentë. Shërbimet Informative të Shqipërisë duhet të kenë nën kontroll shtëpitë e tyre në Shqipëri. Pasi në këto shtëpi Gyleni formon ushtrinë e tij të fshehtë dhe i përdor ato për interesat e veta.”

“Kompanitë të cilat marrin tendera nga shteti duhet të kontrollohen dhe kjo gjë të pengohet. Nëse Shqipëria nuk është efektive kundër FETO-s, në një të ardhme të afërt mund të mbesë përballë një akuze për financim terrorizmi. Është e jashtëligjshme dhe e pamoralshme që taksat e qytetarëve shqiptarë të përfundojnë në kasafortat e FETO-s e cila vrau qytetarë të pafajshëm dhe u përpoq të rrëzojë një qeveri të zgjedhur me votë popullore”, thekson më tej ai.

“Lufta duhet bërë sy më sy, dhëmbë më dhëmbë”

Dr. Gjinishi shprehet gjithashtu se edhe Turqia duhet të bëjë atë që i takon për sa i përket luftës kundër FETO-s në Shqipëri.

“Turqia duhet ti japë Shqipërisë listën e personave në vartësi të FETO-s në këtë vend. Pasi kjo të ndodhë atëherë shteti shqiptar do ta ketë më të lehtë të veprojë kundër tyre. Struktura e kësaj organizate dhe funksionimi i saj duhet t’i shpjegohet mirë Shqipërisë. Ndërsa në lidhje me metodat e tyre të zhvilluara të organizimit duhet të informohet në çdo moment. Në një sistem demokratik nuk mund të tolerohen organizata që sovranitetin marrin nga dora e popullit. Lufta kundër Gylenit është si legjitimja kundër të paligjshmes, e vërteta kundër të pavërtetës. Realisht, që me fillimin e njerëzimit në tokë kjo përpjekje dhe luftë vazhdon. Ne duhet të zgjedhim anën tonë. Lufta duhet bërë sy më sy, dhëmbë më dhëmbë. Nëse Gyleni dëshiron të merret me politikë, le të formonte një parti politike. Strukturat paralele nuk janë demokratike”, përfundon vlerësimin e tij Gjinishi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit