-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

BIK: Ligjëratat e Shefqet Krasniqit nuk përbëjnë urrejtje

Më të lexuarat

Komisioni i formuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, për të shqyrtuar lëndën e Prokurorisë së Shtetit, përkitazi me hoxhën Shefqet Krasniqi, nuk ka gjetur asnjë argument për të cilin ai po akuzohet.

Kështu thotë zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, duke shtuar se ligjëratat e ish-imamit të Xhamisë së Madhe në kryeqytet, Shefqet Krasniqi, nuk janë në frymën e urrejtjes e as që kanë bazë për nxitjen e besimtarëve për të shkuar në vatrat e luftës.

“Ky Komision që e ka shqyrtuar këtë material ka konstatuar se absolutisht nuk mund të gjejmë diçka me atë për të cilën ai akuzohet. Do të thotë nuk ka gjuhë që shpreh ndonjë urrejtje ndaj ndonjë përkatësie apo komuniteti. Apo diçka që nxitë besimtarët për të shkuar në ato vende për çka ai akuzohet”, thotë ai.

Sadriu thotë se nga Prokuroria kanë pranuar tri kërkesa për të dhënë vlerësimin përkitazi rreth dy ligjëratave të Krasniqit për të cilat kanë pasur dyshimin.

Thotë se shkresa e cila ka qarkulluar nëpër media nuk është vendimtarja, ngase sipas tij kanë pranuar edhe dy të tjera për të cilat Komisioni ka dhënë vlerësimet e veta.

“Nuk është ajo që e kemi parë dhe është publikuar nëpër rrjetet sociale. Ekziston edhe një shkresë e fundit për të cilën ka punuar një komision dhe ka ardhur në përfundim që nuk mund të ngarkohet me një akuzë të tillë duke u bazuar në materialin që ata neve na e kanë sjellë për shqyrtim”, thotë ai.

Duke u bazuar në këto vlerësime, zëdhënësi i BIK-ut shprehet optimist se vendimi final i organeve të drejtësisë, do të dëshmojë pafajësinë e Shefqet Krasniqit.

“Fillimisht ne shprehim keqardhjen dhe shqetësimin tonë për këtë çfarë ka ndodhë. Njëkohësisht besojmë fuqishëm në pafajësinë e tij. Nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në organet e drejtësisë. Presim deri në vendimin final nga organi i gjyqësisë, për të cilin besojmë se do të jetë në favor të Krasniqit”, përfundon ai.

Edhe Krasniqi ditë më parë në një intervistë dhënë për Ekonomia Online tha se ndjehet plotësisht i pafajshëm, duke u shprehur i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me organet e drejtësisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Krasniqi akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.

Aktakuza përshkruan se veprën e shtytjen në kryerjen e veprave terroriste, Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014 ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit