3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Njohje e shkurtër rreth shkencës së hadithit

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lëvdatat i përkasin Allahut, Zotit të botërave. Salavatet dhe selamet janë për profetin tonë, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, familjen dhe shokët e tij, si dhe për çdokënd që i  pason ata me të mirë deri në Ditën e Gjykimit.

Duke marrë shkas nga fakti që unë jepja mësim lëndën e shkencës së hadithit, në vitin e tretë të shkollës së mesme në institutin e Imamit të Davetit, në Rijad në vitin 1376 h,  nga libri en-Nuz-heh alen-Nuhbeh të hafidh Ibn Haxher el Askalanij, disa nxënës më kërkuan që të përpiloja me shkrim në formën e pyetjeve-përgjigjeve, ato shënime që unë ua diktoja gjatë mësimdhënies. Ky propozim më pëlqeu, sepse është një formë e thjeshtuar që ndihmon në kuptimin e këtyre shënimeve dhe të dhënave, ndaj vendosa ta realizoj këtë dëshirë dhe e  emërtova (këtë libër): “Jani`u eth-thimer fi mustalahi ehlil ether” (Vjelja e frutave  në lidhje me njohjen e terminologjisë së pasuesve të transmetimeve).

Në mënyrë  që përfitimi të jetë  sa më i plotë vendosa ta botoj,  ashtu që të përfitojnë kërkuesit e diturisë. Kjo broshurë është shpjeguar dhe shtjelluar nga njerëz të shumtë.

Le të fillojmë me realizimin e këtij qëllimi, duke e lutur Allahun  e madhërishëm, Zotin e Arshit gjigant, që t`i bëjë dobi  lexuesve dhe atyre që e dëgjojnë, vërtetë Allahu nuk e braktis atë që i drejtohet me lutje. Amin.

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. Salavatet dhe selamet  janë për atë që nuk ka më profet tjetër pas tij. O Zot më ndihmo dhe ma lehtëso.

Pyetje  1: Si quhet kjo shkencë?

Përgjigje: El Mustalah (Terminologjia).

Pyetje 2: Kush është i pari që shkroi në këtë  shkencë?

Përgjigje: I pari që shkroi në këtë lëmi , është el kadij Ebu Muhamed el Hasen bin Abdurrahman bin Halid er-Ramuhurmuzij, i cili ka vdekur në vitin 360 h.

El hafidhu Ibn Haxheri ka thënë: “Ai është i pari që ka shkruar (libër akademik) në shkencat e hadithit”, në librin e tij: el Muhadithul fasil bejne er-rauij uel ua`ij fil hadith.

Pyetje 3: Kush është i pari që është marrë me këtë shkencë, duke e tubuar dhe përmbledhur atë (me memorizim përmendësh)?

Përgjigje: I pari është Ebu Bekr Muhamed  bin Muslim ez-Zuhrij, i  cili ka vdekur në vitin 124 h.  Në ato kohë dijetarët çdo gjë e bazonin  në memorizimin e të dhënave përmendësh, por në kohën e sundimit të Umer bin Abdulazizit (në krye të njëqind vjetarit të parë), ai (Umeri) kishte frikën se do humbasë dituria me vdekjen e dijetarëve, ndaj ai u shkroi letër dijetarëve në të gjitha anët, ku u kërkonte q ë t`i mblidhnin hadithet e Profetit salallahu alejhi ue sel-lem.

Pyetje 4: Cili është përkufizimi njohës i kësaj shkence?

Përgjigje: Dituri, me rregulla të përcaktuara, nëpërmjet së cilave bëhet e mundur njohja e gjendjes së transmetuesit dhe asaj që transmetohet.

Pyetje 5: Cili është përkufizimi i saj në aspektin e transmetimit?

Përgjigje: Është përcjellja e fjalëve, veprimeve dhe miratimeve të Profetit salallahu alejhi ue sel-lem.

Pyetje 6: Cila është dobia e kësaj  diturie?

Përgjigje: Dobia e saj është dallimi ndërmjet hadithit që duhet  të pranohet dhe atij që duhet  të refuzohet.

Pyetje 7: Cila është dobia në aspektin fetar?

Përgjigje: Na ndihmon që të arrijmë të fitojmë lumturinë e të dy botëve.

Pyetje 8: Cili është fryti i kësaj shkence?

Përgjigje: Na mundëson të ruhemi nga gabimet në përcjelljen e haditheve.

Pyetje 9: Cili është objekti i  studimit të kësaj lënde?

Përgjigje: Objekti i studimit të saj është zinxhiri i transmetimit dhe vetë teksti i hadithit.

Pyetje 10: Cili është subjekti i  studiuar?

Përgjigje: Profeti salallahu alejhi ue sel-lem, në thëniet, veprimet dhe miratimet e tij.

Pyetje 1: Çfarë kemi për qëllim kur themi objekt studimi?

Përgjigje: Çdo element dhe pjesë e cila ka të bëjë me transmetimin dhe e cila studiohet nga kjo shkencë.

Pyetje 12: Ku bazohet kjo shkencë?

Përgjigje: Në aspektin studimor  bazohet  tek analizimi  i gjendjeve të ndryshme të zinxhirit  të transmetimit dhe tekstit. Ndërsa në aspektin e transmetimit bazohet  tek fjalët, veprimet dhe miratimet e Profetit salallahu alejhi ue sel-lem.

Pyetje 13: Ku klasifikohet kjo shkencë?

Përgjigje:Është një nga lëmit e diturisë fetare.

Pyetje 14: Cila është vlera e kësaj shkence?

Përgjigje: Është një nga llojet më të vlefshme të diturisë, sepse nëpërmjet saj bëhet e mundur që të ndjekim Profetin salallahu alejhi ue sel-lem dhe ta marrim atë për shembull.

Pyetje 15: Çfarë gjykimi ka angazhimi me këtë shkencë?

Përgjigje: Është obligim kolektiv i bashkësisë myslimane (farz kifaij) që do të thotë se nëse me këtë shkencë merren disa njerëz që e përmbushin nevojën, atëherë bie obligimi nga të tjerët, ndërsa konsiderohet obligim individual nëse është i vetmi person i aftë për tu angazhuar me të.

Marrë nga libri :
Jani`u eth-themer fi mustalahi ehlil ether

(Vjelja e frutave të pjekura  në lidhje me njohjen e terminologjisë së pasuesve të transmetimeve)

Shejhu el alameh el muhadith: Hamad el Ensarij

Përktheu: Shuajb Rexha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit