Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup është distancuar nga deklaratat e profesorit Deivid Filips, të shprehura gjatë konferencës “Ekstremizmi i dhunshëm në Ballkanin Perëndimor: Ndikimi i jashtëm dhe udhëheqësit lokalë” javën e kaluar në Shkup. Nga Ambasada e SHBA-së, në një përgjigje me shkrim për televizionin Shenja, thanë sot se qëndrimet e z. Filips nuk paraqesin qëndrimet zyrtare të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Si qytetar privat, pikëpamjet e z. Philips janë pikëpamje të tij personale dhe nuk paraqesin politikat ose qëndrimet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, kanë thënë për TV SHENJA nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.
Në konferencën “Ekstremizmi i dhunshëm në Ballkanin Perëndimor: Ndikimi i jashtëm dhe udhëheqësit lokalë”, të organizuar më 22 shkurt në Shkup nga Instituti “Maks van der Shtul”, profesori Filips shfaqi dyshime rreth mënyrës së financimit të Lëvizjes Besa. Sipas tij, kjo Lëvizje duhet të jetë më transparente rreth financimit të fushatës zgjedhore që i solli 5 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë. Nga Lëvizja Besa kishin thënë se financimi i tyre është publik dhe transparent, ndërsa deklaratat e profesorit Deivid Filips i quajtën të pabaza dhe vetëm supozime. Sipas tyre, kjo deklaratë është e porositur për shfrytëzim politik nga kundërshtarët e Besës.
Distancimi i Ambasadës Amerikane në Shkup nga qëndrimet e profesorit Deivid Filips vjen pas pyetjes së televizionit Shenja dërguar përfaqësisë diplomatike të SHBA-ve, nëse ndajnë qëndrimet e profesorit nga Universiteti i Kolumbisë rreth financimit të Lëvizjes Besa në Maqedoni.
Benjamin Arifi /SHENJA/