Në kuadër të Javës së shëndetësisë Turko-Kosovare mjekë specialistë nga Turqia kanë realizuar me shumë sukses mbi 100 operacione të ndërlikuara kirurgjike në Kosovë.
Mjekët specialistë nga Turqia kanë realizuar me shumë sukses mbi 100 operacione të ndërlikuara kirurgjike në Kosovë, gjatë javës së shëndetësisë turko-kosovare. Kjo ndihmë e mjekëve nga Turqia ka gëzuar shumë familjar të pacientëve duke e marrë parasysh se intervenimet e tilla nuk kanë mundur të realizojnë mjekët nga Kosova, ka thënë ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, gjatë vizitës që i bëri pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Kemi parë edhe rastin e fëmijës 5-muajsh që është hera e parë që bëjmë një intervenim të tillë te një moshë e re në Kosovë dhe shpresojmë se këto bashkëpunime do të vazhdojnë edhe më tej, sepse shkëmbimi i përvojave mes profesionistëve shëndetësorë të vendeve të ndryshme shkon në dobi gjithmonë të cilësisë së shërbimeve dhe në dobi të shëndetit të pacientëve”, ka thënë ministri.
Ekipi i mjekëve nga Turqia udhëhiqej nga Dr. Öner Güner, drejtor i përgjithshëm për marrëdhënie ndërkombëtare dhe me Bashkimin Europian në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë. Ai duke premtuar se Turqia do të vazhdojë të ndihmojë edhe në të ardhmen, theksoi se ndihen të lumtur pasi që pacientët ndihen mirë pas intervenimeve.
“Gjatë vizitës me ministrin edhe ju keni parë se të gjithë pacientët po ndihen mirë, edhe ne po ndihemi shumë të lumtur që me të vërtet ata shumë shpejt po e marrin veten, përveç këtyre vlen të theksohet se deri tash janë kryer edhe 19 koronografi”, ka thënë Guner.
***
Ministri i shëndetësisë Rrahmani falënderon mjekët turq
Gjatë mbajtjes së javës së shëndetësisë turko-kosovare, ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë, ka pritur një delegacion zyrtar nga Turqia të udhëhequr nga Dr. Öner Güner. Ministri Rrahmani ka falënderuar ekipin nga Turqia duke vlerësuar lartë marrëdhëniet e mira midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Kosovës e Turqisë, kanë mundësuar një bashkëpunim shumë të mirë edhe në shëndetësi midis profesionistëve, shoqatave profesionale dhe institucioneve të dy vendeve”, tha Ministri Rrahmani.
Ministri Rrahmani tha se këmbimi i përvojave midis ekspertëve të dy vendeve rritë mundësinë e ofrimit edhe të shërbimeve që më parë nuk janë ofruar në Kosovë.
Dr. Güner tha se në shëndetësinë e Kosovë po vërehet përparim në krahasim me vendet të tjera që kanë bashkëpunime të tilla.
Ai më tej shtoi se organizimi për herë të katërt i Javës së shëndetësisë është dëshmia më e mirë e përkushtimit të Qeverisë së Turqisë në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.
“Turqia është dëshmuar me të arriturat e saj të larta në shëndetësi, andaj besoj që ekspertët tanë do të dëshmojnë këtë me punën e tyre me kolegët kosovarë edhe gjatë kësaj jave të qëndrimit këtu si në javët e shëndetësisë të viteve të kaluara duke bërë intervenime të komplikuara dhe duke këmbyer përvojat e tyre profesionale”,- tha dr. Güner.
Ekspertë të fushave të ndryshme të shëndetësisë nga Turqia, në bashkëpunim, me mjekët nga Kosova gjatë javës kanë kryer intervenime në fushën e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë, etj.
*