1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

IHH nis në Kosovë “Programin për luftimin kundër drogës”

Më të lexuarat

Fondacioni Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) në përkrahje nga Qendra Mediko-Psikoterapike “Labyrinth” dhe Policia e Kosovës sot në Qendrën e Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë organizoi një tryezë të diskutimit me temën “Droga, fundi i lirisë”. Kjo tryezë u organizua në kuadër të “Programit për luftimin kundër drogës” të IHH-së, raporton AA.

Gjatë fjalimit të tij, Osman Atalay anëtari i Bordit Drejtues të IHH, tha se vartësia nga droga është një problem shëndetësor global i cili po rezulton me vdekjen e miliona njerëzve, Duke cituar raportin e vitit 2016 të Kombeve të Bashkuara, Atalay bëri të ditur se gjatë këtij viti në botë kanë vdekur 200 mijë njerëz, kurse 250 milionë të tjerë kanë shprehur se së paku një herë e kanë përdorur drogën.

Ai po ashtu vuri në dukje rrezikun që kanoset për të rinjtë kosovar, duke theksuar se drogat të cilat shkojnë për në Evropë kalojnë në rrugët nga shtetet e Ballkanit.

“Ne si IHH që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar vendosëm që ta zhvillojmë programin për luftimin e drogës dhe në muajin e kaluar filluam nga Bosnja. Sot këtë program po e fillojmë edhe në Kosovë dhe pastaj do të vazhdojmë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe në Sanxhak”, tha Atalay.

Kurse togeri i drejtorisë së hetimeve për substanca narkotike, Bajram Nuhiu nga Policia e Kosovës foli për punën e institucioneve shtetërore lidhur parandalimin dhe luftimin e përdorimit të drogës. Ai me këtë rast theksoi se në këtë aspekt Turqia ka dhënë një kontribut të madh, sidomos në trajnimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Sa i përket krahasimit me vendet e rajonit ne jemi shumë më mirë, kemi raste më pak, si dukuri është shfaqur shumë më pak, mirëpo kjo nuk do të thotë se duhet të jemi të kënaqur. Përderisa ka raste, ne të gjithë së bashku duhet të luftojmë dhe të angazhohemi për parandalimin dhe luftimin e sa më shumë të kësaj dukurie”, tha Nuhiu.

Safet Blakaj, drejtori i Qendrës Mediko-Psikoterapike “Labyrinth” tha se në Kosovë nuk ka programe të mira dhe kualitative të trajtimit të fenomenit të drogës dhe se kanë nevojë për mbështetje në këtë aspekt.

“Përafërsisht përdorues problematik të drogës bazuar në ekspertizat e ekspertëve janë rreth 5 mijë persona në Kosovë, ndërsa ata që përdorin kohë pas kohe është rreth 20 mijë”, tha Blakaj.

Në kuadër të Programit për luftimin kundër drogës” në Kosovë do të organizohen edhe konferenca, punëtori, hulumtime dhe ndihma për qendrat terapeutike. IHH me këtë rast ka botuar 25 mijë broshura me temën “Droga, fundi i lirisë” të cilat do të shpërndahen tek të rinjtë, shkollat dhe familjet, për t’i vetëdijesuar ata për rreziqet e këtij fenomeni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit