Presidenti amerikan, Donald Trump, firmosi të martën ndërtimin e dy naftësjellësve, “Keystone XL” dhe “Dakota Access Pipeline”, shumë të diskutuar prej vitesh…
Presidenti amerikan, Donald Trump, firmosi të martën ndërtimin e naftësjellësit mjaft të diskutueshëm “Keystone XL”, i cili lidh Kanadanë dhe SHBA-në, një projekt gjigant i bllokuar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, sipas disa mediave amerikane.
Trumpi firmosi edhe nisjen e projektit të gazsjellësit të kompanisë “Energy Transfer Partners” në Dakotën e Veriut, ndërtimi i të cilit u hodh poshtë në dhjetor pas një mobilizimi masiv të indianëve amerikanë dhe ambientalistëve.
Fisi indian Siu, vendas i zonës Standing Rock, akuzon kompaninë se dëshiron të kalojë gazsjellësin e emërtuar “Dakota Access Pipeline” mbi zonat e shenjta, ku janë varrosur të parët e tyre, duke kërcënuar në të njëjtën kohë dhe burimet me ujë të pijshëm në këtë shtet në pjesën veriore të SHBA-së.
Me një gjatësi rreth 1.900 km, duke përfshirë 1,400 km në territoret e SHBA-së, tubacioni “Keystone XL” synon të transportojë naftën kanadeze nga zonat ranore bituminoze të Albertas (në perëndim të Kanadasë) deri në Nebraskë (qendër e SHBA-së), nga ku mund të arrijë rafineritë amerikane në Gjirin e Meksikës.
Donald Trumpi firmosi gjithashtu një tjetër urdhër ekzekutiv për të përshpejtuar rregullimet mjedisore të projekteve në fjalë.
Presidenti i ri amerikan bëri me dije ndërkaq se do të lëshojë të mërkurën udhëzimet e nevojshme për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, ndërsa javën e ardhshme do të bëjë publik edhe emrin e kreut të Gjykatës Supreme.
Nga ana tjetër, Trumpi theksoi se do të dërgojë forcat e sigurisë në Çikago (Chicago), në rast se nuk qetësohen ngjarjet e dhunës në këtë qytet.
Ashtu siç edhe kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, urdhri ekzekutiv i parë, që Donald Trumpi firmosi pasi mori zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte ai që parashikon shfuqizimin e ligjit për reformën në shëndetësi, njohur gjerësisht si “Obamacare” dhe miratuar nga pararendësi i tij, Barack Obama.
