Para se fëmijës tënd t’i blesh një “telefon të mençur” të shtrenjtë, modern, shumë funksional dhe mjaftë të sofistikuar, sinqerisht pyete veten çfarë fiton dhe çfarë humb me këtë gjë.
Përvoja na mëson se prindërit me plotësimin e këtij lloji të dëshirës fëmijërore, përfitojnë shumë pak ndërsa humb gati gjithçka. Para së gjithash humbin fëmijët e tyre. Vullnetarisht ia japin fëmijën e vet mjeshtërve të manipulimit, të cilët luajnë me inteligjencën dhe moralin njerëzor.
Fëmijët më nuk janë më krijesa të buzëqeshura, të gëzuara, të gjallë dhe të pafajshëm të cilët as një milingonë nuk do ta shkelnin, por janë bërë “figura njerëzore” të ftohtë, të vdekur dhe pa ndjenja, të cilët nuk kanë kontakt me botën reale.
Fjala e tyre është dukat, buzëqeshja ari, por ku i kanë zemrat – vetëm Zoti i dashur e di. Sikur në ato aparate është futur ndonjë “fuqi” e padukshme e cila nga shpirtrat e tyre tërheq çdo virtyt dhe mirësi, ndërsa në to “injekton” helm. Po, mirë e lexuat – helm. Helm që nuk i helmon trupat, por shpirtrat. Nuk të duhet më tepër se një orë ndeje me ato fëmijë, që ta kuptosh se sa shumë janë fundosur në atë botë virtuale, të magjepsur dhe jo reale përmes atyre celularëve.
Me celularët shkojnë të flenë, me to zgjohen, me to i kalojnë ditët e netët, orët dhe minutat.
Prind i dashur, mos harro se ndoshta ti je fajtori kryesor që fëmija yt është “rebeluar” nga ty, familja, shoqëria dhe çdo mirësi. Allahu të urdhëroi ta ruash nga zjarri, ndërsa ti e shtynë drejtë zjarrit. Këtë isha i detyruar ta ndajë me ju sepse më dhemb shpirti kur shikoj se shumë janë rebeluar fëmijët tanë përmes atyre aparateve magjepsës.
Të mos keqkuptohem, nuk jam kundër shfrytëzimit racional të teknologjisë bashkëkohore të teknologjisë, madje besimtari është i obliguar t’i përdor arritjet e fundit të teknologjisë për dobinë personale dhe shoqërore, por jam kundër shërbimit, robërimit/varësisë ndaj asaj teknologjie, ngase teknologjia është këtu është për ne dhe jo ne për atë.
Deri sa dynjaja dhe stolitë e saj janë në duart tona, nuk ka rrezik, rreziku paraqitet në çastin kur dynjallëku na zotëron ne dhe na kthen në rob të saj. Prandaj i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ka humbur robi i dinarit…”
Allahu na faltë, na mëshiroftë dhe na ndihmoftë në luftën kundër shejtani dhe epshit! Amin!
Përktheu: Lutfi Muaremi