5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Policia e Kosovës përzuri investitorin nga Dubai

Më të lexuarat

Salim Al Shamsi, drejtor i kompanisë “TS Marine Engineering”, që po vinte nga Dubai për të parë mundësitë e investimeve në Kosovë, është ndalur në Aeroportin Adem Jashari. Ai bashkë me partnerin e tij Ëillian Buchanan nga Britania e Madhe janë kthyer pa u futur fare në territorin e Kosovës. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit e vlerësojnë se kjo tregon situatën reale se sa miqësore janë institucionet e Kosovës me investuesit e huaj.
Mezi i bindën të vijnë dhe kur erdhën, nuk i lanë as të shkelin tokën e Kosovës. Salim Al Shamsi, drejtor i kompanisë “TS Marine Engeeniering”, me seli në Dubai të Emirateve të Bashkuara, u kthye sapo ateroi në Aeroportin Adem Jashari. Policia kufitare nuk e lejoi të futej në Kosovë.

Bashkë me të u kthye edhe partneri tjetër britanik Ëillian Buchanan. Kështu mundi gjashtëmujor, përfaqësuesve të kompanisë farmaceutike Trepharm nga Prishtina i shkoi huq, shkruan Express.

Mërgim Prishtina, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie, tregon se mezi i kishin bindur këta investues potencialë të vinin në Kosovë për ta vizituar fabrikën e tyre dhe për të parë mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në të ardhmen.

“I kemi bërë të gjitha dokumentacionet gati. Kemi bërë garancion me gjyq. I kemi përmbush të gjitha kushtet që kërkohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por policia kufitare i ka ndal”, thekson Prishtina.

Sipas tij, gjithçka ka ndodhur pasi zyrtarët policorë në aeroport, nuk ishin informuar me kohë nga Ministria e Punëve të Brendshme për ardhjen e këtyre afaristëve. Sipas rregullave në fuqi, për personat që vijnë nga shumë vende të botës, siç janë në këtë rast edhe këto të botës arabe, kërkohet garancion i ftuesit.

Krejt këtë dokumente, ai thotë se i ka plotësuar. Por, sipas Mërgim Prishtinës, shkaku i vetëm i kthimit të këtij investitori ka qenë mos koordinimi i institucioneve mes vete.

Drejtori i Trepharm, tha se kjo është edhe pasqyrë e mungesës së informacionit, se si duhen trajtuar investuesit nga ana e zyrtarëve policorë në aeroport.

Për të sqaruar këtë situatë, ai ka kërkuar edhe ndihmën e Odës Ekonomike të Kosovës, të cilës i ka shkruar një letër në të cilën ia sqaron hallin.

“Në si Trepharm kemi më se 6 muaj që mundohemi t’i bindim këta investitorë potencialë të vinë dhe ta vizitojnë kompaninë tonë dhe vendin tonë për mundësi investimesh. Sjellja e policisë kufitare në aeroport dhe kthimi i këtyre investitorëve potencialë, përveç shpenzimeve shumë të mëdha të kompanisë sonë dhe humbjes së investitorëve potencialë, po krijon edhe imazh shumë negativ për vendin tonë”, shkruan ai në letër.

Drejtori i fabrikës Trepharm shpjegon se me kompaninë “TS Marine Engineering” nga Dubai po planifikonin investime të përbashkëta për zgjerimin e shtatë linjave të reja të prodhimit me synim eksportin e barërave.

Por, gjithçka duket se ka shkuar ters, pasi Salim Al Shamsi, drejtor i kompanisë “TS Marine Engineering”, nuk u lejua të hyjë në Kosovë. E kur ndodhi kjo, as partneri i tij nga Britania e Madhe Willian Buchanan nuk pranoi të vizitojë vendin.

Ajo çfarë u ndodhi këtyre investuesve potencialë, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit thonë se tregon situatën reale se sa miqësore janë institucionet e Kosovës me investuesit e huaj.

“Nuk duhet të aplikohet qasje selektive ndaj investitorëve, pavarësisht nga cilat vende vijnë ata”, ka pohuar kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Sipas tij, institucionet e Kosovës janë duke shpenzuar para të shumta në promovim të investimeve, qoftë në SHBA, qoftë në vende të ndryshme evropiane, por shumë herë këto konferenca dhe këto takime janë më tepër të karakterit turistik sesa substancial.

“Barrën e tërheqjes së investitorëve të huaj e kanë marrë vetë biznesmenët, që me punën e tyre jo vetëm që gjenerojnë, por edhe promovojnë vlera. Në të shumtën e rasteve investitorët janë duke u kthyer në kufi dhe kjo duhet të analizohet me një qasje shumë më serioze”, thotë Gërgjaliu.

Në qoftë se raste të tilla u ndodhin kompanive serioze, sipas tij, nuk i bëhet nder përmirësimit të ambientit dhe imazhit në Kosovë.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që një gjë e tillë i ndodh fabrikës farmaceutike Trepharm. Kohë më parë ishin ndaluar të hynë në Kosovë ekspertë të farmaceutikës. E rasti më interesant duket të jetë me doktor Anil Ghogare nga India, shkencëtar i rangut botëror që ishte dërguar për të inspektuar cilësinë e produkteve në fabrikë nga FDA (Food and Drogs Administration) nga Amerika. Për shkak se vinte nga India, ky shkencëtar nuk ishte lejuar të hynte në territorin e Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit