Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov, tha se me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara Andrey Karlov në sulmin e armatosur është synuar pengimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Ankarasë dhe përpjekjeve për arritjen e zgjidhjes politike për Sirinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën për gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Peskov tha se “Me vrasjen e Karlovit synohet si pengimi i procesit të normalizimit mes dy shteteve, ashtu edhe pengimi i përforcimit të përpjekjeve të Rusisë dhe Turqisë për arritjen e zgjidhjes politike për Sirinë”.
Peskov tha se hetimet do të nxjerrin në pah se kush qëndron prapa sulmit. “Ekspertët rusë tani ndodhen në Ankara. Krerët e shteteve dje ranë dakord për hetim të përbashkët. Të jemi durimtarë dhe të presim që ekspertët t’i kryejnë hetimet e tyre”, vazhdoi Peskov.
“Provokim i planifikuar”
Nga ana tjetër, kryetarja e Këshillit të Federatës së Rusisë Valentina Matvienko tha se forcat e sigurisë me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve rusë duhet të bëjnë gjithçka të mundur që t’i gjejnë përgjegjësit e sulmit dhe se kjo gjë është “çështje nderi”.
Në deklaratën për media, Matvienko u shpreh se “Vrasja e Karlovit ishte provokim i planifikuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve ruso-turke”