Projekti parashikon që objekti shkollor të jetë në dy kate, në një sipërfaqe totale prej 1300 metra katrore me 13 klasa, 5 zyra administrative dhe një sallë takimesh
STRUGË (AA) – Me ndihmën e Komunës turke Büyüçekmece, qytetit të Strugës do t’i shtohet një objekt i ri shkollor, që do të mbajë emrin e themeluesit të shtetit modern turk, “Mustafa Kemal Atartürk”. Projekti parashikon që objekti shkollor të jetë në dy kate, në një sipërfaqe totale prej 1300 metra katrorë me 13 klasa, 5 zyra administrative dhe një sallë takimesh, raporton Anadolu Agency (AA).
Në shkollën fillore “Mustafa Kemal Atartürk”, e cila pritet të jetë gati për zhvillim të mësimit në vitin e ardhshëm shkollor, mësimi do të ndiqet në tre gjuhë, atë turke, shqipe dhe maqedonase.
Ditën e sotme edhe zyrtarisht u hodh gurthemeli për ndërtimin e shkollës së re fillore, e cila ndërtohet në vendin e shkollës ekzistuese fillore “Vëllezërit Milladinov”. Ceremonia e hudhjes së gurthemelit u ndoq nga kryetarët e të dy komunave tashmë të binjakëzuara, Ziadin Sela dhe Hasan Akgün.
Prefekti i Komunës Büyüçekmeci, Hasan Akgün, për AA theksoi se vendimi për ndërtimin e kësaj shkolle është simbol i miqësisë historike mes Maqedonisë dhe Turqisë.
“Si pjesë e binjakëzimit mes dy komunave tona, nga Komuna e Strugës është kërkuar se ka nevojë për një shkollë. Ne me kënaqësi e pranuam këtë kërkesë dhe vendosëm për të ndërtuar shkollë të re. Dita e sotme, 24 nëntori, është një ditë shumë e rëndësishme për historinë e Turqisë si Dita e Punonjësve të Arsimit, prandaj ndodhemi këtu për hedhjen e gurthemelit të shkollës së re”, deklaroi Akgün për AA.
Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, tha se ky është një kontribut i madh për procesin arsimor të komunës.
“Ky është kontribut i madh duke marrë parasysh kushtet me të cilat përballemi në shkolla, jo vetëm në Strugë, por të gjithë territorin e vendit. Kjo është arritur me përpjekje të mëdha dhe është një shenjë e vëllazërisë mes Komunës së Strugës dhe Büyükçekmece”, tha Sela.
I gjithë projekti ka vlerën prej 2.5 milionë lira turke. Prefekti Akgün njoftoi se bashkëpunimi me Strugën do të vazhdojë edhe më tej përmes projekteve të reja, si parku i ri dhe salla sportive. Më herët në Strugë, si rezultat i këtij bashkëpunimi që filloi para një viti e gjysëm, u ndërtua një shesh lojërash për fëmijë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe anëtarë të këshillave komunalë nga të dyja komunat si dhe qytetarë të Strugës.