Sjelljet e presidentit, burimi kryesor i mosbesimit mbi fatin e paktit SHBA-Iran
Shtetet e Bashkuara dhe Irani publikuan dje në mbrëmje tekstin e një marrëveshjeje të përkohshme, të nënshkruar nga presidentët e tyre për t’i dhënë fund luftës mes tyre.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të rifillonte sulmet dhe do të vriste zyrtarë iranianë nëse ata nuk do të respektonin zotimet e marra.
Trump, i cili po merrte pjesë në samitin e G7 në Francë, hoqi gjithashtu dorë nga një prej arsyeve që kishte deklaruar për sulmin ndaj Iranit, duke thënë se do të ishte “e padrejtë” që Teherani të mos kishte raketa balistike, megjithëse më parë ishte zotuar se do t’i shkatërronte ato plotësisht.
“Do t’i bombardojmë pa mëshirë nëse shkelin marrëveshjen!” tha Trump gjatë një konference për shtyp. Ai i quajti iranianët “njerëz të zgjuar”, ndërsa negociatorët amerikanë dhe iranianë po punojnë për një armëpushim të përhershëm gjatë 60 ditëve të ardhshme. Trump tha se shpreson që kjo të sjellë paqe në Lindjen e Mesme dhe të ulë çmimet e naftës.
Pavarësisht dyshimeve, edhe iranianët po festojnë momentin. “Gjithçka që synonim të arrinim me veprime ushtarake e fituam shumëfish përmes negociatave. Nuk ka të krahasuar” – deklaroi negociatori kryesor iranian Mohammad Baqer Qalibaf për televizionin shtetëror.
Marrëveshja përfshin edhe zhbllokimin e miliarda dollarëve asete iraniane. Trump e nënshkroi dokumentin pak para një darke solemne me Presidentin francez Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës, vendi ku u nënshkrua traktati që i dha fund zyrtarisht Luftës së Parë Botërore.
Presidenti amerikan “kritikoi” paksa Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili është distancuar nga marrëveshja SHBA-Iran, për mënyrën si po vepron ndaj Hezbollahut në Liban.
“Netanyahu është një njeri i mirë, por ndonjëherë emocionohet pak. Kemi një mosmarrëveshje të vogël për Libanin. Unë them se mund të përdorësh një qasje më të butë, Bibi. Nuk ke nevojë të rrëzosh një ndërtesë sa herë që hyn aty dikush nga Hezbollahu”- deklaroi Trump me një cinizëm të dukshëm.
Ndërkohë mediat shtetërore libaneze raportuan sulme të reja ajrore dhe bombardime artilerie izraelite në disa qytete të jugut gjatë gjithë ditës së mërkurë. Burime të sigurisë në Liban thanë se Hezbollah-u kishte kryer gjithashtu dy sulme me dronë ndaj forcave izraelite në jug.
Më vonë, Izraeli deklaroi se pesë ushtarë të tij ishin plagosur si pasojë e dy sulmeve me dronë të Hezbollahut në Libanin jugor. \tesheshi.com\
