Një gjykatë në Beograd, dënoi sot me dy vjet heqje lirie një shtetas të Kosovës nën akuzat për krime lufte. Sipas gjykatës, Mark Koshnjeti ishte i përfshirë në siç thuhet “krime lufte kundër civilëve serbë, me qëllim largimin e tyre nga Prizreni”.
Sipas akuzës, Mark Koshnjeti, si pjesëtar i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj ushtrie, kishte rrëmbyer dy pjesëtarë të komunitetit serb në Prizren, Lubomir Zdravkovicin dhe Bozidar Gjurovicin, nën kërcënimin se do të vriten dhe më pas i ka mbajtur për disa orë në oborrin një shtëpie.
Gjithnjë sipas akuzës, Koshnjeti më pas i ka urdhëruar të ndaluarit që të largohen për në Serbi, nëse duan të mbeten gjallë. Në këtë mënyrë, thuhet në akuzë, ai ka kryer krim të luftës me qëllim që të detyrojë të ndaluarit të braktisin Kosovën.
I akuzuari Koshnjeti, gjatë tërë procesit gjyqësor mohoi pretendimet e prokurorisë duke theksuar se nuk ka qenë asnjëherë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mark Koshnjeti, është arrestuar nga policia serbe në muajin prill të këtij viti, në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, ndërsa akuza ndaj tij u ngrit në maj të këtij viti.