Pas pauzës disaditore, shtatëvjeçarja nga Halepi, Bana el Abed dhe nëna e saj Fatma sërish janë shfaqur përmes rrjetit social Twitter ku kanë theksuar se u janë nënshtruar sulmeve të vazhdueshme dhe se secila minutë i ngjan vdekjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtatë-vjeçarja Bana el Abed dhe nëna e saj Fatma u bënë të njohura pasi përmes rrjeteve sociale raportuan për sulmet ajrore në qytetin sirian Halep.
Profilin në rrjetin social Twitter e hapën para tre muajsh, ndërsa përmes tij raportuan për ndodhitë e tmerrshme në Halep, por edhe i bënë thirrje botës për të ndaluar gjakderdhjen në këtë qytet sirian.
Për një kohë nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me vajzën dhe nëna e saj e cila është mësuese e anglishtes.
Mbrëmë shtatë-vjeçarja Bana shkroi në Twitter: Jemi të bombarduar. Nuk kemi ku të shkojmë. Secila minutë i ngjan vdekjes, lutini për ne. Mirupafshim”.
Në mesazhin e fundit të cilin nëna Fatma e ka publikuar të shtunën ka thënë: “Tani jemi të sigurt se do të na kapë ushtria. Botë e dashur, do të shihemi ndonjë ditë tjetër”.
Pas kësaj profili është fshirë mirëpo mbrëmë sërish është aktivizuar.
Në ditët e fundit Fatma përmes porosive të saj ka shfaqur brengën se mund të kapet nga pjesëtarët e ushtrisë lojale të Bashar al-Assadit.
Porosia e saj e fundit se janë zbuluar nga ushtria ka ngjallur brengën mos vallë nëna dhe e bija janë vrarë.
Pas humbjes së gjurmëve në rrjetin social Twitter janë shkruar mbi një mijë postime me “#Where is Bana” (Ku është Bana).
Forcat e regjimit dhe militantët shiitë tashmë 20 ditë kryejnë sulme nga ajri dhe nga toka në vendbanimet në lindje të Halepit, të cilat janë nën kontrollin e opozitës.
Opozita më parë kontrollonte territorin prej 45 kilometra katrorë, kurse tani kontrollon një sipërfaqe prej 25 kilometra katrorë.
Pala ruse pretendon se ata nuk marrin pjesë në sulmet ajrore në Halep.
Sipas të dhënave të ofruara nga ekipi i Mbrojtjes civile, për shkak të pamundësisë që të largohen nga zonat e konfliktit, 35.000 njerëz në lindje të Halepit kanë mbetur në territorin, ei cili u pushtua nga trupat e regjimit dhe degët siriane të organizatës PKK, PYD.
Halepi është qyteti i dytë më i madh në Siri. Qendra e qytetit është 40 kilometra nga kufiri turk.
Pjesa perëndimore e qytetit të Halepit është nën kontrollin e regjimit, kurse pjesa lindore nën kontrollin e opozitës.
Të dhënat e Drejtorisë së Shëndetësisë në Halep tregojnë se banorët për 101 ditë nuk mund të përmbushin nevojat themelore humanitare.
Tre javë në qytet nuk punojnë spitalet, qendrat mjekësore, furrat, shkollat…/AA