0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Nga Fatjon NANAJ: Çfarë e përcakton fatin e çeljes së negociatave me BE-në?

Më të lexuarat

E hëna e 28 nëntorit është një datë e rëndësishme. Jo thjesht e vetëm si përkujtim i çastit historik kur burrat e mençur të Shqipërisë së fillimshekullit të XX-të, të unifikuar dhe njëmendësuar si rrallëherë, vendosën të shpallin Shqipërinë më vehte, të lirë e të mosvarme, por edhe sepse në këtë datë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, pritet të marrë një mesazh jetik mbi vijimësinë e marrëdhënies së vendit tonë me BE-në.

Një mesazh që jo pa qëllim është fiksuar të përcillet pikërisht në këtë ditë, me plot gjasë kërkuar kjo nga pala shqiptare, për të kryqëzuar simbolikisht pavarësimin nga Perandoria Osmane me çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Koreografi” e mirëmenduar për të përçuar idenë e shkëputjes nga tradita lindore, “vrasjes së turkut” që sipas kryeministrit mbartim brenda vetes, dhe shënuar “rikthimin” tek rrënjët evropiane. Përkujdesja për të tilla detaje sugjerojnë se qeveria është shpresëplotë në mbështetjen gjermane.

Megjithatë, përtej simbolikës dhe mjeshtërive koreografike, e vërteta është se shqiptarët janë dhe do të jenë evropianë, jo aq për meritë të tyre, apo për shkak të vullnetit të unifikuar të kastave tona politike që nuk lënë rast pa reklamuar vokacionin e tyre properëndimor shoqëruar me etiketimin e kundërshtarit si “anadollak”, edhe pse lundrojnë në batakun e abuzimit të pashembullt, krahasuar me çfarëdo sistemi referencial, në lindje a perëndim, por sepse rrethana përtejnjerëzore e kanë bërë fatin dhe të ardhmen tonë të lidhur me atë të kontinentit plakë.

Në arkitekturën aktuale të aleancave globale, qasja properëndimore dhe integrimi në BE është jo thjesht në interesin tonë, por rruga e natyrshme që si shoqëri na takon të përshkojmë. Por kjo rrugë ka rezultuar me jo pak kthesa e pengesa, shpesh edhe me hapa mbrapa, ku përpjekjet dhe dëshira, por edhe paaftësia dhe primitivizmi jonë, nuk kanë rezultuar gjithmonë vendimtare. Të tjerë faktorë, aktorë dhe interesa shpesh kanë qenë përcaktuese të largësisë apo afërsisë tonë me BE-në. Prandaj, ndoshta pyetja më e drejtë në prag të takimit të Kryeministrit me Kancelaren Merkel, do të ishte: A është Evropa gati të na presë dhe jo a jemi ne gati për t’u anëtarësuar? Përgjigja e kësaj pyetje merr akoma më shumë vlerë kur dihet se qëndrimi i Gjermanisë rezonon fuqishëm edhe në vendet e tjera anëtarë që duhet të shprehin pikëpamjen e tyre.

BE-ja ekziston si një strukturë mbinacionale, ku secili shtet anëtar dorëzon diç nga sovraniteti i tij, mirëpo politika e jashtme vijon të mbetet ekskluzivitet i secilit shtet anëtar. Kjo shpjegon edhe peshën e papërfillshme të Komisionerit të Jashtëm të BE në zhvillimet globale. Ndërkohë që vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim merret pikërisht nga mbledhja e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, nga i ashtuquajturi Këshilli i Bashkimit Evropian, ku ndërthuren dhe ndërpriten interesat vetjake te secilit shtet, me ato të unionit në tërësi, dhe ku jo rrallë interesat e vendeve të ndryshme në raport me njëri-tjetrin, por edhe me unionin në tërësi, përplasen mes tyre. Madje edhe brenda të njëjtit shtet ka nivele të ndryshme të përfaqësimit dhe ndikimit politik, çka shoqërohet me qëndrime të papërputhshme, qartazi pasqyruar në deklaratat e deputetit të CDU-së, Gunther Krichbaum, para pak ditësh në Tiranë që, edhe pse të lobuara nga opozita, mbeten sërish pikëpamje të konsoliduara të segmenteve të caktuara politike në Evropë.

Është pikërisht ky realitet kompleks i funksionimit të BE-së që e bën atë një strukturë thuajse të paparashikueshme. Sepse pavarësisht rekomandimit pozitiv të qeverisë së BE-së, Komisionit, që përfaqëson interesin e Unionit dhe filozofinë e integrimit, ndërkohë që i duhet të mbrojë edhe punën e tij për përparimin e reformave në vendet kandidate si Shqipëria, në fund vendimmarrja është pastërtish politike, dhe treguesit e paraqitur në progres-raportet e përvitshme mbeten të hapur për t’u lexuar sipas të dyja këndvështrimeve, pozitiv dhe negativ, për t’u përdorur më pas si argumentim aposterori për vendime të paracaktuara. Pra, ndryshe nga ç’dëshirojmë të besojmë, raporti nuk do të ketë peshën që supozohet në vendimmarrjen që pritet të ndodhë në dhjetor.

Leximi i kujdesshëm i këtij realiteti duhet të na shërbejë për t’i vënë fre retorikës boshe dhe hipokrizisë së politikës vendase, që në varësi të mesazhit të Kancelares Merkel pritet të ndërtojë edhe strategjitë e luftës politike. Cilido qoftë qëndrimi i saj, ai nuk duhet lexuar ngushtë, si sukses i qeverisë apo i opozitës, pavarësisht se mbështetja e deklaruar gjermane do të ishte një zhvillim fatlum.

Evropa sigurisht që s’mund të unifikohet me Gjermaninë, megjithatë, mbështetja e Gjermanisë është një gur i rëndë politik në domosdoshmërinë e anëtarësimit të Shqipërisë. Dhe kjo domosdoshmëri është më së pari e lidhur me zhvillimet rajonale dhe globale, me rëndësinë që Ballkani dhe konkretisht faktori shqiptar paraqet për Evropën.

Edhe nëse Evropa nuk shprehet e gatshme të na presë, pra nuk mbështet çeljen e negociatave, duke e justifikuar këtë me problematikat e qenësishme të përshkruara në raport, ky vendim nuk duhet përjetuar si traumë, aq më tepër në situatën aktuale politike, ku largimi i Britanisë së Madhe, zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve, fuqizimi i lëvizjeve të ekstremit të djathtë dhe tensionet me Rusinë janë shoqëruar me pasiguri dhe kaos në strukturat institucionale mbishtetërore të kontinentit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit