18.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Nga Floriar ARAPI: Hillary Clinton: ishte dështim, apo mashtrim mediatik?

Më të lexuarat

Gjithçka kishte përfunduar: Hillary Clinton udhëheq me 14%, me 2%, diku me 7%! Ndonjëherë dëgjonim edhe ndonjë avantazh të lehtë të Trump-it, që zgjaste shumë pak, dhe më pas Clinton-i përsëri udhëhiqte bindshëm. Në opinionin tim, edhe pse nuk e ndiqja me aq interes, ishte çështje e përfunduar: Clinton kishte fituar!

Por a ishte kjo e vërteta? Këtë e morëm vesh vetëm pas rezultatit: që të gjitha sondazhet paskan gabuar!

Por a kanë gabuar në të vërtetë të gjitha sondazhet?

Fitorja e Trump-it ishte e pastër, e padiskutueshme, e thellë. Madje ishte mjaftueshmërisht e thellë, për të tejkaluar edhe ndikimin e jashtëzakonshëm sondazhor dhe mediatik jo vetëm amerikan, por edhe ndërkombëtar. Kur kutitë numëroheshin, Trump-i udhëhiqte bindshëm.

Por a ishte kjo një garë e drejtë dhe e barabartë?! Vërtet ndikimi i institucioneve shtetërore amerikane ishte i pavarur, veç a mjafton kjo për të pasur zgjedhje të lira dhe të barabarta?!

Po mediat dhe sondazhet?! Sa është ndikimi i tyre krahasur me ndikimin shtetëror? Më i ulët apo më i lartë? Dikush mund të thotë më i lartë, dikush më i ulët, dikush i barabartë, dikush mund të thotë varet nga alternimi…

Ama një gjë thuhet zyrtarisht: MEDIA ESHTE PUSHTETI I KATERT. Media është zyrtarisht e pavarur.

Por e pavarur nga kush?!

Në rastin e zgjedhjeve në SHBA, u duk që ishte e pavarur nga populli amerikan. Madje pas zgjedhjeve po shohim që paska qenë në anën e kundërt me popullin amerikan.

A ishte e rastësishme që masivisht të gjitha mediat ndërkombëtare ishin në të njëjtin krah?! Dhe sa do ishte në të vërtetë rezultati nëse do të ishte një garë pa ndikimin e mediave?

Ne pamë një betejë mes Clinton-it dhe Trump-it. Clinton-i humbi, por nuk humbi vetëm ajo. Humbja e thellë ishte e mediave amerikane dhe ndërkombëtare. Ato humbën dy herë: humbën betejën për të qenë të pavarura, dhe më pas humbën betejën me popullin amerikan.

Unë s’mund t’u besoj më sondazheve, dhe as paanshmërisë së mediave të pavarura. Ky ishte një fakt i fortë.

Po nga kush varen mediat e pavarura?!

Këshilltari i presidentit Trump tha sot në një televizion se do t’i jepet fund korrupsionit të Soros-it në SHBA dhe në Shqipëri.

Unë përgjithësisht jam skeptik ndaj teorive konspirative, ose nuk u kushtoj vëmendje, por historia e këtyre zgjedhjeve në SHBA ka ndryshuar shumë gjëra.

Një fakt tjetër interesant ishte qëndrimi i kryeministrit tonë. Një qëndrim prej një kamikazi, ose prej një ushtari, dhe jo i një drejtuesi shteti. Ai do t’i drejtohej Trump-it me një gjuhë të papërshtatshme, siç i drejtohet ndonjë deputeti të opozitës.

Po a ishin ato fjalët e Edi Ramës, apo ato fjalë ishin vënë në gojën e një kryeministri ushtar, madje kamikaz, për të ushtruar sadopak ndikim në opinionin e popullit amerikan?

Pyetja tjetër është se kur ndikimi është kaq i madh te populli amerikan, sa mund të jetë tek shqiptarët ose tek popujt e tjerë nëpër botë?

Populli amerikan e fitoi betejën, por pas kësaj historie a do të vazhdojë ajo, dhe kush janë palët? Njëra palë e di që janë popujt e botës, po pala tjetër nuk e di si do të quhet, media ndërkombëtare, biznesi ndërkombëtar, korrupsioni ndërkombëtar, mafia ndërkombëtare, masoneria ndërkombëtare, Soros-i ndërkombëtar???

Çfarëdo që të quhen, ato janë përballë popujve, për t’i pushtuar, manipuluar, vjedhur, e për t’i humbur. Ata nuk janë në anën e drejtësisë, ata janë kundër saj.

Është e qartë se njeriu i vënë në krah të drejtësisë duhet të jetë kundër tyre. Ka njerëz që zgjedhin drejtësinë, ka njerëz që zgjedhin paranë dhe interesin; kjo është e vulosur në karakterin e tyre.

Mos harroni dhe diçka. Ata që janë në krahun e drejtësisë kanë edhe mik të fortë me vete: ai është Zoti. Sa keq që ka njerëz që mendojnë se Zoti është i pafuqishëm!

Dua të sqaroj se këto që kam shkruar nuk janë mbështetje ndaj Trump-it; atë le ta tregojë puna e tij. Janë mbështetje për ata njerëz që duan të hapin sytë dhe të shikojnë manipulimin mediatik e mafien që i ka pushtuar. Trump-it i uroj të marrë pushtetin dhe i sugjeroj t’i dyfishojë bodigardët, pasi kur ke të bësh me mafien, çfarë nuk pret.

Malcom X ka thënë: “Media është entiteti më i fuqishëm mbi tokë. Ata kanë pushtetin ta bëjnë të pafajshmin fajtor dhe ta bëjnë fajtorin të pafajshëm; dhe ky është pushteti. Sepse ata kontrollojnë mendjet e masave. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit